ANILA HOXHA
Ditë e diel, rrugët janë pothuajse të boshatisura. Në ndonjë kthesë pothuajse hajdutshe tek-tuk ndonjë patrullë policie që pret ndonjë shofer të pakujdesshëm. Janë për t’u adhuruar për forcën me të cilën nuk tolerojnë askënd. Tamam polici filmash, prokurori filmash dhe gjykata filmash. Me dorë të hekurt. Personazhet janë të zgjedhur me kujdes nga rregjisori, karakteri i tyre u ka dalë në fytyrë si tek vepra “Portreti i Dorian Greit”.
Ka shkuar ora 2 e mbasdites, në aksin nacional, në një nga rrugët më të frekentuara, një makine me tre të rinj udhëton drejt Fushë-Kuqes.
Tmerrësisht vapë. Ata po lënë pas krahëve kryeqytetin shqiptar për t’u kthyer secili në shtëpinë e tij. Të shpenguar. Mbas tyre, një makinë tjetër i ndjek në distancë. Për ata që gjenden në automjetin e dytë, që është i vjedhur dhe me targa të vjedhura, as dronet as patrullat nuk i verejtën. Armët ua ftohin disi duart. Gjithësesi janë profesionistë të dhunës. Por ata janë të padukshëm mbase sepse rregjisori është në krahun e tyre.
Në këtë aks ku shpesh vriten njerez, largohen grabitës bankash policia nuk është askund. E ka mbyllur me sukses javën duke arrestuar qytetarë që vendosin pa leje pllakat e shtëpisë, qytetarë që nuk paguajnë faturat, të dehur që ngasin makinën, drogaxhinj të vegjël me doza droge qesharake. Policia është lodhur edhe nga vapa, misioni është përmbushur ndaj këtyre kundravajtësve të vegjël që përfundimisht e kanë frikë ligjin. Gjithsesi qytetarët mezi u edukuan dhe duhet thënë që policia është lodhur prej tyre.
Në makinen e parë ata tre të shpenguarit, nuk janë emra dosido ndonëse mosha mesatare e tyre është 30 vjeç. Njëri ishte hetuar për vrasjen e një polici, por hetimet u pushuan ndaj tij. Pastaj u hetua për vrasjen e një ish polici , i cili kishte akuzuar në të gjallë kolegët se nuk vepruan kur e kishin ndjekur. Gjithsesi spati prova dhe dosjet u mbyllen. Polici e devotshme dhe gjykata të devotshme.
Tjetri kishte patur rekorde, por mjafton të qendronte në krah të të parit dhe mjaftonte.
Ata që gjenden në makinen e dytë, janë të perpiktë. Sapo viktimat mbërrijnë mbi urë, ata nxjerrin kallashet dhe i zbrazin , aq sa duart ju nxehen. Por nuk ndalojnë. Njëri nga shënjestrat zvarritet dhe përpiqet të shpetojë. Por jo, ata të makinës së dytë janë të vendosur, i qepen pas, e qëllojnë dhe atë derisa ai jep shpirt duke e lëshuar koken mbi asfaltin e nxehtë. Dy shoket e tij ndërkohë vec plumbave kalojnë dhe një vdekje e dytë. Ata karbonizohen mbasi automjeti shpërthen në flakë.
Qytetarët terrorizohen. Kushdo mund të kishte qënë aty dhe plumbat sdo ta kishin falur. Po rregjisori nuk ka në kuadër qytetarët e tjerë, ai ndjek makinen e dytë të vrasësve që i vunë flakën mjetit vetëm mbasi aty lanë edhe armët e krimit. Vrasësit ikin se kanë punë të tjera, këtë e mbyllen ashtu sic duhej me tre të vrarë. Gjithsesi janë vrasje të kushtueshme. Në burgje nis e flitet me një informacon për tu patur zili, qarkullojnë emra kapobandash. Në media po ashtu përshkruhen detaje predhash e gjurmësh.
Pastaj filmi dihet si vazhdon.. Teksa policia nis shoqërimet, tregon forcën dhe prezencën me mbledhje, urdhëra, udhëzime, pala që ju vranë tre njerëz nuk ka kohë për të vajtuar. Nis dhe mbledh informacione. I duhen vrasës, profesionistë, qitës të pagabueshëm dhe gojëkyçur./CNA.al