Në zgjedhjet lokale të vitit 2013 që u mbajtën në Kosovë, treguan se bastionet partiake dinë edhe të dalin dorësh.
Përveç disa komunave tjera nëpër Kosovë, që pati ndryshime të qeverisjes, ishte edhe kryeqyteti që i rrëshqiti LDK-së nga dora.
Ishte e paimagjinueshme që LDK-ja ta humbiste qeverisjen e kësaj komune. Prishtina llogaritej bastioni më i madh i saj.
Në zgjedhjet lokale të 2013-ës, LDK-ja synonte ma merrte Prishtinën përmes kandidatit të saj, Isa Mustafa, i cili pretendonte mandatin e dytë. Mustafa tash është kryeministër i Republikës së Kosovës.
Më gjithë përpjekjet, Isa Mustafa nuk arriti të marrte vota të bollshme për t’u zgjedhë sërish në krye të komunës. Ai shkoi në balotazh me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, i cili tash është kryetar i Prishtinës.
Asnjëra parti nuk kishte bërë koalicion me partitë tjera asokohe për garën e balotazhit në Prishtinë.
Në kohën kur pritej që LDK-ja të fitonte, ishte Partia Demokratike e Kosovës, e cila e kishte mobilizuar elektoratin e vet për të votuar kundër Isa Mustafës. Kjo bëri që LDK-ja ta humbiste bastionin kryesor të saj.
Analistët vlerësonin se, deri te humbja e Mustafës erdhi edhe si pasojë e disa deklaratave të tij gjatë fushatës, në njëfarë forme, duke menduar se elektoratin e ka në dorë.
Mustafa, në fshatin Llukar të Prishtinës, kishte thënë para masës së mbledhur se nuk i vjen turp që ta kërkojë votën në atë vend, sipas tij, marrë parasysh projektet që i kishte realizuar për atë fshat.
“Bile mu prej juve s’më vjen hiq marre me ja u lypë votën edhe me ju thanë Zoti ju marroftë në qoftë se s’e jepni”, kishte thënë ndër tjera Mustafa, para masës së mbledhur.
Edhe pse PDK-ja e ndihmoi Vetëvendosjen ta fitonte Prishtinën, në fakt, ato nuk kanë koalicion në nivel komunal. Madje, asamblistët e saj shpesh e bllokojnë punën e kryetarit, Shpend Ahmeti.
Shansi i LDK-së për t’iu hakmarrë PDK-së në Drenas.
Komuna e Drenasit është bastioni kryesor i PDK-së, pas Skenderajt. Në këtë komunë sot votohet për balotazh. Në garë janë kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci, dhe ai i Nismës për Kosovës, Isa Xhemajlaj.
Në Drenas mund të përsëritet skenari i Prishtinës. Por kësaj here LDK-ja e ka mundësinë që t’i hakmerret PDK-së për dështimin më të madh zgjedhor që ia kishte shkaktuar në vitin 2013. Megjithatë, LDK-ja në ato zgjedhje fitoi disa komuna tjera që deri atëherë nuk i kishte nën qeverisje.
LDK-ja në Drenas nuk ka lidhur koalicion me asnjërin prej kandidatëve për ta mbështetur në balotazh. Kjo pari ka koalicion në nivel qendror me PDK-në.
Por kandidati i saj që ishte në garë në raundin e parë, Bedri Nika, pas humbjes, i kishte thënë Gazetës Insajderi se qytetarët e Drenasit kanë votuar për ndryshime.
“Qytetarët e Drenasit kanë votuar për ndryshimin , dhe ne jemi të obliguar që të mbështesim vullnetin qytetar!”, kishte thënë Nika për Insajderin pa precizuar saktë se për cilin kandidat e ka fjalën.
Që nga paslufta Drenasi është qeverisur nga PDK-ja.
Ai kishte thënë se do të konsultohen edhe me LDK-në në qendër për të marrë qëndrim përfundimtar. Por LDK ende nuk e ka përkrahë publikisht asnjërin kandidat në këtë garë.
Nëse merret për bazë përqindja e daljes së qytetarëve në votim në raundin e parë, dhe shpërndarja e votuesve nëpër parti, del se koalicioni Nisma+AAK+AKR+Fjala+kandidati i pavarur Xhadit Drenori, pritet të dalë fitues më 10 mijë e 431 vota kundrejt kandidatit të PDK-së, Ramiz Lladrovcit i cili i kishte 9 mijë e 458 vota, i cili nuk ka bërë asnjë koalicion për balotazh, duke thënë se ai ka lidhur ‘koalicion me qytetarin’.
Por, siç duket, votuesit e LDK-së pritet të jenë përcaktues për fituesin. Kandidati i kësaj partie, Bedri Nika, në raundin e parë kishte fituar 1 mijë e 113 vota./Insajderi.com