×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Shaqir Totaj nuk ndalet, vazhdon punësimet partiake

    Insajderi
    19 November 2022 - 18:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Punësimet e njerëzve të afërt me pushtetin lokal po vazhdojnë në Komunën e Prizrenit. Kësaj radhe zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës duket se kanë ndikuar që familjarët e tyre të përzgjedhen si drejtorë shkolle e si mësimdhënësa.

    Në gusht të 2022-ës, Besnik Berisha është përzgjedhur për drejtor në shkollën “26 marsi” në Landovicë.

    Burime të Gazetës Insajderi kanë treguar se ai është vëllai i kryesueses së Kuvendit të Prizrenit, Antigona Berisha Bytyqi.

    Përveç Besnik Berishës, edhe gruaja e tij, Mimoza Tafolli me 5 nëntor është pranuar si mësimdhënëse në tri konkurse.

    Mimoza Tafolli është pranuar si mësimdhënëse e gjuhës shqipe në shkollën “Dëshmorët e Kabashit” në Korishë, në shkollën “Motrat Qiriazi” në Prizren dhe “Dëshmoret e Zhurit” në Zhur.

    Në pozitën e mësimdhënësit është përzgjedhur edhe djali i drejtorit të Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Bexhat Bytyqi.

    Blendon Bytyqi është përzgjedhur si mësimdhënës në shkollën “22 Dëshmorët” në Randobravë.

    Insajderi ka kontaktuar tre personat e përzgjedhur në këto konkurse. Vetëm Besnik Berisha u deklarua. Ai mohoi se ka ndikuar motra e tij për përzgjedhjen e tij si drejtor shkolle.

    Ai tha se ky është mandati i tij i dytë në krye të shkollës “26 marsi” në Landovicë.

    “Jo nuk ka ndikuar aspak, unë që nga viti 2010 punoj në shkollën e Landovicës, në fillim si mësimdhënës i lëndëve Kimi – Fizikë. Në vitin 2016 emërohem si ushtrues detyre i drejtorit të shkollës, ndërsa në prill të 2017 emërohem drejtor në shkollën e Landovicës, kurse motra ka filluar në fundt të 2017 me u marr për herë të parë me politikë. Komisioni e ka bër vlerësimin, dhe ky është mandati im i dytë si drejtor”, ka thënë Berisha për Insajderin.

    Gazeta Insajderi i ka dërguar pyetje kryesueses së Kuvendit të Prizrenit, Antigona Berisha Bytyqi dhe drejtorit të Drejtorisë për Bujqësi, Bexhat Bytyqi, por, të njejtin nuk kanë kthyer përgjigje.

    Lexo edhe:

    Kujtojmë se, Insajderi kishte raportuar gjatë muajit korrik se si PDK kishte rehatuar militantët në pozita të drejtorëve në shkolla në Prizren

    Me 24 qershor 2022, pozitën e drejtorit në gjimnazin “Remzi Ademaj” e mori Sali Ademaj, mbështetësi i PDK-së.

    Ademaj në zgjedhjet e nëntorit 2021 ka publikuar foto në rrjetin social “Facebook”, duke kërkuar që të votohet Shaqir Tolaj për kryetar të kësaj komune.

    Ndërsa për të marrë kreun në shkollën “Lekë Dukagjini”, pikët maksimale në konkurs i kishte marrë anëtarja e PDK’së, Vlora Karavidaj

    “Numri im është 21 në rradhët e kandidatëve për Këshilltare Komunale të Partisë Demokratike të Kosovës”, ka shkruar Karavidaj në gusht të 2021-ës.

    E karrigen e zëvëndës drejtorit në gjimnazin “Remzi Ademaj”, e fitoi përkrahësi i Nisma SocialDemokrate. Në dokumentin e publikuar shihet se Leutrim Dervishaj ka marrë 81.16 pikë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark