Publikimi i strategjisë së re të sigurisë kombëtare të administratës së presidentit amerikan Donald Trump (NSS) javën e kaluar ka shkaktuar reagime të forta në Evropë.
Dokumenti thekson vlera konservatore, kritikon ashpër kontinentin dhe paralajmëron për një “rënim civilizues” të Evropës për shkak të migracionit të lartë. Në vend të qëndrimit tradicional si aleat, SHBA shfaqet si kritik i ashpër dhe, sipas analistëve, duket se kërkon të afrohet më shumë me Rusinë, shkruan 20minch.
“Make Europe Great Again”
Tani një version i supozuar alternativ i strategjisë po shkakton edhe më shumë polemika. Sipas raportimit të Defense One, dokumenti ruan pikat kryesore – rivalitetin me Kinën, tërheqjen nga mbrojtja evropiane dhe fokusin në hemisferën perëndimore – por përfshin edhe mekanizma të rinj për të ushtruar ndikim kulturor mbi të ardhmen e Evropës.
Dokumenti thuhet se përmend shprehimisht sloganin “Make Europe Great Again”, të frymëzuar nga lëvizja MAGA në SHBA. Në bazë të kritikave ndaj kufizimeve të lirisë së shprehjes dhe politikave të migracionit në Evropë, sugjerohet që Washingtoni të forcojë marrëdhëniet vetëm me disa shtete me qeveri të ngjashme ideologjikisht.
Austria, Hungaria, Italia dhe Polonia në fokus
Në dokument thuhet se SHBA duhet të bashkëpunojë më ngushtë me Austri, Hungarinë, Italinë dhe Poloninë — me synimin për t’i “larguar gradualisht nga Bashkimi Evropian”. Strategjia thuhet se propozon mbështetjen e partive, lëvizjeve dhe figurave kulturore që mbrojnë “sovranitetin dhe ruajtjen e mënyrave tradicionale evropiane të jetesës, duke mbetur njëkohësisht pro-amerikane”.
Kjo qasje përputhet me afrimin e mëhershëm të administratës Trump me qeveritë konservatore në Evropën Qendrore, si në Poloni dhe Hungari.
Nga G7 te “Core 5”
Verën e kaluar Trump e quajti përjashtimin e Rusisë nga G8 “një gabim shumë të madh” dhe madje propozoi zgjerimin e grupit me Kinën për të krijuar një “G9”. Sipas dokumentit të rrjedhur, vizioni i ri është një grup i quajtur “Core 5” (C5), ku do të përfshiheshin SHBA, Kina, Rusia, India dhe Japonia. Takimet e rregullta ndërmjet këtyre pesë vendeve do të fokusoheshin fillimisht te normalizimi i marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite.
Heqja dorë nga hegjemonia amerikane
Strategjia e supozuar shprehet qartë se SHBA nuk synon më dominim global: “Hegjemonia ishte një objektiv i gabuar – dhe kurrë i arritshëm”. Në vend të kësaj, dokumenti propozon mbështetjen e “kampionëve rajonalë” për të siguruar stabilitet në zonat e krizës, si në Amerikën Latine, ku në fokus do të jenë kartelët e drogës.
Shtëpia e Bardhë mohon gjithçka
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë e ka mohuar kategorikisht ekzistencën e një versioni të dytë të strategjisë. Zëdhënësja Anna Kelly deklaroi se ekziston vetëm strategjia zyrtare e prezantuar nga presidenti Trump, ndërsa çdo dokument tjetër i supozuar vjen nga persona “të cilët nuk kanë asnjë lidhje me presidentin dhe nuk e dinë se për çfarë flasin”.