×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Shefi i famshëm i 900 mijë eurove ryshfet në ATK ishte denoncuar edhe më parë, si e mbylli Prokuroria rastin

    Insajderi
    03 September 2024 - 15:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gazeta Insajderi ka zbuluar se zëvendësdrejtori i Administratës Tatimore, Nijazi Asllani, emri i të cilit u bë publik nga biznesmeni Feim Pulaj që në një intervistë për Insajderin denoncoi se iu kërkuan 900 mijë euro ryshfet nga Asllani dhe të tjerët, ishte denoncuar edhe më herët. Atëherë për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Por, Prokuroria Themelore në Gjilan e ka mbyllur rastin. Insajderi sjell detaje të rastit.

    Devleta Deda

    Në janar të këtij viti në një operacion me shumë forca policore u arrestua biznesmeni Feim Pulaj bashkë me 12 zyrtarë të ATK-së. Nuk u caktua paraburgim nga Gjykata, madje Gjykata kishte refuzuar të fuste në transkript zyrtar atë se çka deklaroi biznesmeni në seancë. Insajderi ka raportuar për akuzat e bujshme që bëri ky biznesmen që ditën që doli para Gjyqit. I akuzonte shefat e disa inspektorë të ATK-së se i kërkuan afro 900 mijë euro ryshfet. Pulaj për Insajderin kishte zbuluar se si iu kërkuan 900 mijë euro, sipas tij ryshfet. Sipas tij, e shantazhuan duke i thënë që nëse nuk e jep ryshfetin ke me përfundu 4-5 vite nëpër Prokurori e Gjykata. Pulaj kishte bërë një kallëzim penal ku në të ka futur hiç më pak se sa numrin dy të ATK-së, Zëvendësdrejtorin Njazi Asllani.

    Por, ky nuk ishte rasti i parë. Gazeta Insajderi ka zbuluar se zëvendësdrejtori i ATK-së, Nijazi Asllani ishte denoncuar. Atëherë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Me datën 11 tetor të vitit 2022, dy aksionarët e “Kosova Komerc” shpk, Xhelal Qerimi dhe Vigan Qerimi kishin ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Gjilan ndaj Nijazi Asllanit, Zëvendës drejtori i Njësisë së Auditimit të Brendshëm pranë Administratës Tatimore të Kosovës.

    Bazuar në kallëzimin penal të ngritur të cilin e ka siguruar Insajderi thuhet se personi zyrtar Nijazi Asllani, ka “keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar”.

    “Përmes kësaj parashtrese aksionarët e “Kosova Komerc” sh.p.k., konkretisht z. Xhelal dhe Vigan Qerimi (këtu e tutje “Parashtruesit”) paraqesin këtë Kallëzim Penal ndaj z. Nijazi Asllani për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Në kundërshtim të tërësishëm me ligjin edhe pa të drejtë për marrjen e një veprimi të tillë, z. Nijazi Asllani me datë 07.04.2022 jep autorizimin për të dërguar subjektin tatimor sh.p.k.-në në rikontroll. Këtë autorizim i njëjti e ka dhënë duke u thirrur në një pozitë (zv. Drejtor i Përgjithshëm për Operacione) të cilën nuk e ushtron dhe nuk e ka.

    Në kohën e dhënies së këtij autorizimi, z. Nijazi Asllani nuk e ka ushtruar këtë detyrë, realisht i njëjti që nga data 09.07.2021, nuk e ushtron këtë detyrë, kjo pasi që z. Asllani me vendim të drejtorit të përgjithshëm të ATK-së, është transferuar nga pozita e zv. Drejtorit të Përgjithshëm për Operacione në pozitën e zv. Drejtorit të Njësisë për Auditim të Brendshëm”, thuhet në kallëzimin penal.

    Tutje thuhet se Nijazi Asllani i ka shkaktuar dëm ‘Kosova Komerc shpk’, i cili kap vlerën e mbi një milion euro.

    Ndërsa theksohet se Asllani nuk ka pasur asnjë kompetencë ligjore që të jap autorizimin për dërgimin e subjektit tatimor në Ri-Kontroll.

    “z. Nijazi Asllani, me veprimin e tij, konkretisht me anë të dhënies së autorizimit për dërgimin e “Kosova Komerc” sh.p.k. në Ri Kontroll, ka tejkaluar kompetencat e tij dhe subjektit tatimor “Kosova Komerc” sh.p.k., i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm i cili kap vlerën e mbi një milion euro.

    “Pra, z. Nijazi Asllani, nuk ka pasur asnjë kompetencë ligjore që të jap autorizimin për dërgimin e subjektit tatimor në Ri-Kontroll, për vetë faktin se i njëjti që nga data 09.07.2021, me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së (shih provën 3) nuk e ushtron detyrën e zv. Drejtorit të Përgjithshëm për Operacione dhe vetëm ky zëvendës drejtor, ka të drejtë ligjore që një subjekt tatimor ta dërgoj në Ri-Kontroll. Parashtruesit duke pasur të qartë se z. Nijazi Asllani ndonëse i njëjti ka dhënë një autorizim për të cilin nuk ka asnjë të drejtë ligjore për ta dhënë, konsiderojnë se i njëjti këtë veprim e ka marrë me qëllim të Parashtruesve t’ua shkaktojë dëmin, të cilin veçse ua ka shkaktuar”.

    Në kallëzim penal ceket poashtu se Nijazi Asllani përveç se në mënyrë të kundërligjshme ka nënshkruar një dokument duke u thirrur në një pozitë të cilën nuk e ka, ai këtë dokument (autorizimin për ri kontroll) e ka dhënë në kundërshtim të plotë me LATP-në.

    “Është shumë e qartë që, z. Nijazi Asllani, me vetë dije të plotë dhe duke ditur se personi tjetër ushtron detyrën e zv. Drejtorit të Përgjithshëm për Operacione, tejkalon kompetencat e tij dhe nënshkruan autorizimin (prova 2) dhe nga ky veprim i kundërligjshëm, dëm të madh pësojnë Parashtruesit. Ne këtu cekëm pjesën dëm të madh për shkak se përveç kësaj pjese (autorizimi nga personi jokompetent) raporti i Ri-Kontrollit ka edhe shkelje të tjera të shumta ligjore të cilat janë të evidentuara qartë, por të cilat Parashtruesit janë duke i ndjekur në procedura pranë ATK-së. Momentalisht lënda gjendet pranë komisionit për shqyrtim të ankesave pranë ATK-së, i cili lëndën e ka pezulluar në mënyrë që të merren edhe prova të tjera përmes së cilat do të vërtetoheshin pretendimet e Parashtruesve.

    z. Nijazi Asllani, përveç se në mënyrë të kundërligjshme ka nënshkruar një dokument duke u thirrur në një pozitë të cilën nuk e ka, ai këtë dokument (autorizimin për ri kontroll) e ka dhënë në kundërshtim të plotë me LATP-në , parasheh se:

    “11. Administrata Tatimore nuk do të ri-kontrollojë një periudhë tatimore që përfshinë llojin e njëjtë të tatimit që më herët është kontrolluar e për të cilën është lëshuar një njoftim vlerësim nga administrata tatimore, ku ri-kontrolli i tillë do të rezultojë në një rezultat të pafavorshëm për tatimpaguesin”, thuhet ndër të tjera në kallëzimin penal kundër Nijazi Asllanit.

    Gazeta Insajderi i ka dërguar pyetje Nijazi Asllanit, por tash e sa ditë ai nuk ka kthyer përgjigje. Poashtu Insajderi ka dërguar pyetje edhe tek ATK’ja, të cilët po ashtu nuk kanë kthyer përgjigje.

    Si e mbylli Prokuroria rastin e shefit të ATK-së

    Gazeta Insajderi ka siguruar, përmes kërkesës, dokumentin e mbylljes së këtij rasti.

    “HUDHET, kallëzimi penal i parashtruar nga z.X të dhe z. V Q aksionarë sh.p.k, (shoqëri me përgjegjësi të kufizuara) me nr. identifikimi e ushtruar ndaj z.N A zëvendës i zëvendësit të Drejtorit Ekzekutiv, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Sepse nuk ekziston asnjë dyshim i arsyeshëm nga provat që disponon Prokuroria, se i dyshuari i ka kryer veprën penale të lartshënuar apo ndonjë vepër penale për të cilën ndjekja do të ndërmerrej sipas detyrës zyrtare“.

    Ndërsa nga Prokuroria në Gjilan për Insajderin thanë se më datën 23 Janar 2023, ka hudhur kallëzimin penal, pasi nuk është vërtetuar se i njëjti ka kryer veprën e pretenduar penale

    Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, për këtë rast, më datën 23 Janar 2023, ka hudhur kallëzimin penal, pasi nuk është vërtetuar se i njëjti ka kryer veprën e pretenduar penale”, thuhet në përgjigje.

    Sipas Aktvendimit, arsyetimi për hudhjen e këtij kallëzimi penal, thuhet se nuk është vërtetuar se Nijazi Asllani ka keqpërdorur pozitën zyrtare.

    Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, me datë 11.10.2022, ka pranuar kallëzimin penal nga z.X sh.p.k, me nr. identifikimi dhe z. V z. N aksionarë të “ zëvendës i zëvendësit të Drejtorit Ekzekutiv, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nën pretendimin se me datë 07.04.2022 duke keqpërdorur pozitën e tij, respektivisht duke u thirrur në një pozitë (atë të zv. Drejtor i Përgjithshëm për Operacione). Duke marrë parasysh se me rastin e hetimeve të veprave penale, Prokurori i shtetit detyrohet të analizojë provat dhe faktet fajësuese dhe shfajësuese.

    “Bazuar në kriteret ligjore dhe elementet – gjetjet faktike, kjo Prokurori hedh kallëzimin penal ndaj të dyshuarit z. NA për shkak të veprës penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 i KPRK-së, sepse nuk është vërtetuar se z. NA ka kryer veprën e pretenduar”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore Gjilan drejtuar Insajderit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark