Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde do të përballet me një proces gjyqësor në Francë, e akuzuar për neglizhencë në lidhje me pagesën e kompensimit të bërë nga banka shtetërore drejt një biznesmeni në vitin 2008.
Si ministre e Financave në kabinetin e ish-presidentit Nicolas Sarkozy, ajo miratoi një premio prej 404 milionë eurosh për Bernard Tapie, për shitjen e diskutueshme të një firme. Tapie, nga ana tjetër, konsiderohet si një mbështetës i Sarkozysë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2007.
Lagarde akuzohet se ka lejuar shpërdorimin e fondeve publike, e jo për korrupsion. Gjithsesi, ajo mohon të ketë kryer ndonjë gjë të paligjshme.
Rasti në fjalë i ka rrënjët në vitet ’90, kur Tapie ishte aksioneri kryesor në kompaninë e produkteve sportive “Adidas”. Pasi nisi karrierën politike dhe u bë një prej ministrave të kabinetit të qeverisë socialiste të François Mitterrand në vitin 1992, Tapie u desh t’i shiste aksionet.
Në vitin 1993 ai paditi “Credit Lyonnais”, një bankë shtetërore që menaxhoi shitjen, duke pretenduar se banka e kishte mashtruar atë me qëllim zhvlerësimin e firmës.
Në vitin 2007, çështja afatgjatë u referua nga Lagarde në Gjykatën e Arbitrazhit, me një vendim që do të ishte detyrues. Një panel prej 3 anëtarësh në Arbitrazh vendosi kompensimin e kryeaksionerit një vit më vonë, duke shkaktuar një pakënaqësi publike.
Vitin e kaluar, duke shtuar edhe 8 vite të tjera betejash ligjore, një gjykatë franceze vendosi se Tapie nuk e kishte të drejtën e kompensimit dhe se duhej të rikthente shumën prej 404 milionë eurosh.
Lagarde, sot 60 vjeç, do të dalë tashmë para Gjykatës së Drejtësisë së Republikës franceze (CJR), me akuzën për “neglizhencë si një person i gjendur në pozicionin e autoritetit publik”. Gjykata, e cila përbëhet më së shumti nga politikanë në vend të juristëve, shqyrton zakonisht pretendimet për shkeljet e kryera nga ministra kabinetesh. Nëse do të shpallet fajtore, Lagarde rrezikon një vit burg.
Lagarde zëvendësoi Dominique Strauss-Kahn në postin e drejtorit menaxherial të FMN-së në vitin 2011. Strauss-Kahn, gjithashtu një ish-ministër francez i Financave, dha dorëheqjen pas arrestimit të tij në Nju Jork, i akuzuar për sulm me natyrë seksuale, akuzë që më pas ra poshtë.