×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Shekulli i gjatë turk/ Nga Ataturku tek Erdogani

    Insajderi
    27 January 2023 - 13:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    2023-shi është viti 100 i Republikës Turke, themeluar nga Mustafa Kemal Ataturku si “trashëgimtare” e Perandorisë Osmane, por me një përmasë më të theksuar nacionaliste dhe laike sesa ajo e Portës së Lartë, dhe që personifikohet nga Rexhep Tajip Erdogan si një version i përditësuar i sulltanatit, si një komb që shërben si një urë lidhëse Evropës dhe Azisë.

    Shekulli turk është shekulli në të cilin Turqia fitoi vetëdijen e plotë mbi peshën e saj historike dhe gjeopolitike, duke u bërë një lojtare e rëndësishme në skenën ndërkombëtare. Është shekulli në të cilin Ankaraja ishte një kryeqytet vendimtar ne aleancën atlantike, dhe ku fillimisht në emër të nacionalizmit laik dhe anti-komunizmit, dhe pastaj pas treshes neo-otomanizëm-panturkizëm-panturanizëm, ajo ndoqi interesat e saj në një mënyrë instrumentale.

    Shekulli turk ishte shekulli në të cilin, ideologjitë bazë të Ataturkut dhe Erdoganit janë përplasur me njëra-tjetrën, duke u shkrirë përfundimisht në një të vetme. Në retorikën politike perëndimore ekziston shpeshherë tendenca për të bërë një kontrast mes një Ataturku të iluminuar, laik dhe perëndimor, me një Erdogan obskurantist, retrograd dhe agresiv jashtë kufijve kombëtarë.

    Megjithatë, duhet thënë se Ataturku, një veteran i Luftës së Parë Botërore, i formuar si lider në betejat e Galipolit kundër Antantës dhe nga Lufta Civile Turke, ishte njeriu që drejtoi dëbimin e fundit të armenëve dhe grekëve nga territori kombëtar, dhe një udhëheqës që e sundoi me një fuqi gati absolute kombin turk.

    Shekulli i gjatë turk/ Nga Ataturku tek Erdogani

    Ishte i nevojshëm rindërtimi i shtetit, shërimi i plagëve që shkaktoi rënia e Perandorisë, dhe të rikuperohej ajo që mund të shpëtohej nga ideologjia nacionaliste e xhonturqve: shekullarizmi. Në këtë këndvështrim, stili turk i laicizmit u shfaq si instrument për të forcuar pushtetin politik.

    Në mënyrën e tij, Erdogan është vërtet një tribunë e islamit politik më ekstrem, por mbi të gjitha ai është lideri i fundit i madh kombëtar i Turqisë Nga Gagauzia në Hungari, nga Kazakistani në nënkontinentin Indian, ai pretendon me krenari çdo lloj vazhdimësie midis entiteteve kombëtare dhe nënshtetërore dhe trashëgimisë kulturore të turqve të dikurshëm.

    “Bëhet fjalë për krijimin e miteve në vendet ku kultura e trashëgimisë është e rrënjosur thellë dhe ku fuqia transferohet nga një brez në tjetrin. Ataturku është një mit për miliona njerëz, ndaj ajo që synon Erdogan është t’u imponojë turqve një mit mbi veten, duke e gërryer kështu mitin e parë. Ai shpreson së paku që ta bëjë mitin e Ataturkut dytësor në mentalitetin kolektiv të turqve”- shkruan portali turk Ahval.

    Ataturku ishte udhëheqësi që u nderua si babai i Turqisë moderne, pasi e fitoi luftën civile, i dha fund pushtimit të huaj të Anadollit dhe rivendosi harmoninë e brendshme. Erdogan është i gatshëm që ta pranojë këtë fakt. Por ai hyn në polemika instrumentale me paraardhësin e tij të famshëm, dhe beson se rimëkëmbja e Islamit është funksionale për promovimin e ndikimit turk dhe konsolidimin e pushtetit të tij.

    Në vitin 1923, Turqia ishte “bijë” e një perandorie të shkatërruar në kuadrin e revolucioneve lindore, nga fundi i perandorive në Rusi dhe Kinë me anë të një shkëputje formale nga tradita e vjetër shumëshekullore.

    Ndërkohë Turqia e vitit 2023, është një perandori ambicioze, që synon ta projektojë veten nga Siria në thellësi të Azisë, dhe që ka një dialog të kujdesshëm dhe të ashpër me tre fuqitë e mëdha të rendit global (Rusi, Kinë, SHBA), në një dykuptimësi të përhershme midis zhvillimit ekonomik dhe tensioneve të brendshme dhe synimit për të rikuperuar simbolet e madhështisë së saj.

    Vazhdimësia quhet interes kombëtar. Dhe ishte ky interes kombëtar, ai që e bëri Turqinë mike me Bashkimin Sovjetik të Leninit gjatë viteve 1920, të mbante marrëdhënie të mira me Italinë dhe Gjermaninë në vitet 1930 dhe me bastionin antikomunist të NATO-s gjatë viteve 1940.

    Shekulli i gjatë turk/ Nga Ataturku tek Erdogani

    Ajo ka qenë gjithnjë në qendër të lojërave të mëdha diplomatike dhe politike. Midis grushteve të shtetit, betejave të brendshme në shtetin e thellë mes pro-amerikanëve dhe nacionalistëve dhe destabilitetit së brendshëm, projeksioni i huaj ka qenë gjithmonë mënyra më e mirë për të bashkuar kombin.

    Kështu ndodhi në Qipro në vitet 1970, kështu po ndodh edhe sot në vendet fqinje të Ankarasë. Nga ky këndvështrim, në zgjedhjet presidenciale të këtij viti, Erdogan do të synojë ta konsolidojë pushtetin e tij duke fituar zgjedhjet, dhe duke e projektuar veten si Ataturku i ri, pikërisht në vitin e parë të shekullit të dytë turk, i tërhequr nga ato nxitje identitare të Turqisë së thellë, që janë në qendër të projektit të tij politik.

    Analisti gjeopolitik Emanuel Pietrobon, thotë se projekti perëndimor i Ataturkut ka qenë që në fillim i dobët dhe politika e tij ultra-shekullariste e bazuar në mbylljen e xhamive dhe kufizimin e Islamit në sferën e jetës private tërhoqi shumë njerëz, dhe nuk u pëlqye as kur ai ishte gjallë.

    Dhe kjo antipati që përkufizohej si një kundër-reagim që vinte nga Turqia e thellë, është shfaqur gjithnjë e më shumë në epokën pas Ataturkut dhe ka marrë forma të ndryshme: grusht shteti, ngjitje në pushtet e politikanëve antikemalistë, tensione të shpeshta ndëretnike me minoritetin grek, duke prodhuar në fillim fenomenin e Nexhmetin Erbakan, një politikan shumë fetar, kumbar politik i Erdoganit dhe kryeministër gjatë viteve 1996 dhe 1997 para rebelimit të ushtrisë kundër tij, dhe më pas “ciklonin” Erdogan.

    Duke e thyer gradualisht laicizmin turk, duke shfrytëzuar çdo pozicion taktik, do të ishte e dobishme që të zgjerohej projekti i rithemelimit të shtetit mbi baza perandorake dhe fetare.

    Me pak fjalë, në Turqi e tashmja është e kaluara, dhe e kaluara është çelësi për të kuptuar të ardhmen. Një e ardhme e përbërë nga sfida me peshë, të lidhura kryesisht me probleme serioze të brendshme ekonomike dhe sociale, si dhe nga ambicie të mëdha që një komb i shndërruar në një perandori, nuk mund të mos i ndjekë.

    Erdogan e di këtë gjë: si një kumarxhi i zoti, ai luan në disa “tavolina” në të njëjtën kohë, nga konfliktin në Ukrainë në atë në Libi, nga rrugët e transportit të gazit dhe gjetja e burimeve të reja tek Rrugët e reja të Mëndafshit, duke kujtuar thënien e lashtë sipas së cilës “Turqia nuk ka miq dhe armiq, ajo ka vetëm interesa!”.

    I vetëdijshëm për forcën e tij, presidenti turk mund t’i zbulojë botës fytyrën e tij të vërtetë, të përbërë nga kompleksitete të brendshme të lidhura me rifillimin e një projekti historik të bllokuar nga imponimi i kuptueshëm dhe që tani është gati për t’u rikthyer në rrugën e duhur.

    Me afrimin e fundit të shekullit turk, askush në skenën ndërkombëtare nuk mund të mos i konsiderojë si shumë të rëndësishme pozicionet e Ankarasë. Dhe për këtë rezultat, jemi të sigurt se si Erdogan sot po ashtu dhe Ataturku dikur do të ishin po aq të lumtur.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark