Çdo vit në 6 Dhjetor, shumë fëmijë në të gjithë Evropën dhe Amerikën, garojnë se kush do të zgjohet më herët për të parë tek këpucat e tyre, dhuratat që ua ka lënë Shën Nikolla. Nikolla me prindër grekë ka lindur në fund të shekullit III por mbeti jetim, dhe duke qenë se shpejt humbi prindërit dhe mbeti jetim, besimtarët e krishterë besojnë se ai ia kushtoi krejt jetën, ti ndihmojë fëmijët jetim. Aq shumë u popullarizua Shën Nikolla, sa thuhet të ketë inspiruar edhe Santa Claus apo Babadimrin. Për nder të tij, miliona prindër të krishterë, ia lënë fëmijëve, emrin Nikolla. Sidomos serbët.
Të njejtë e ka fatin edhe djali i Nenaq Rashiq, një serb nga Kosova, i cili ka marrë emrin e famshëm dhe shumë të përdorur, pikërisht për shkak të besimit fetar, të krishterë. Nikolla sipas deklarimeve të babait të tij, Nenadit, u rrah nga një grup prej 30 personave në oborrin e shkollës në Llapnasellë të Graçanicës, nga një grup banditësh të shtyrë nga Lista Serbe. Nenaq Rashiq ka të drejtë të mendojë këtë version – edhe pse nga xhirimet e dala nga momentet kur ka ndodhur rrahja, shihen dy grupe teksa rrahen mes vete – sidomos për faktin se vet ka qenë pjesë e grupacionit politik të Listës Serbe.
Çdo fundjavë në televizonin Dukagjini, audienca kosovare, së paku në tri vitet e fundit, ka mundësi që të shoh “Indoks” një dokumentar televiziv me tema hulumtuese, me autor Visar Duriqin, nga Insajderi. Para kësaj, ai në një tjetër format televiziv hulumtues (Zona Express) kishte sjellë hulumtuese me vite të tëra. Puna e Visarit, në 13 vitet e fundit është e lidhur ngushtë me një temat më të përfolura në Kosovë, ekstremizmin islam. Si një ish-ndjekës i mësimeve fetare në Medresenë e Prishtinës, ai me të parë skandalet e mëdha që bëheshin në institucionet fetare, ku kryefjala është morali dhe drejtësia – bëhet gazetar, duke shkruar për herë të parë për ngacmimet seksuale në Medrese, e më vonë ekzaminoi në tërësi skandalet e njëpasnjëeshme të hoxhallarëve, dhe ishte ndër të parët që zbuloi rrjetin e hoxhallarëve që nxisnin të rinjt për t’iu bashkuar luftës së ISIS-it në Siri e Irak. Për këto hulumtime, Visari cilësua si “Shejtan” nga grupacionet e verbëruara nga feja. Shejatani në islam, është një shpirt i keq, që hynë në trupin e njeriut duke e shtyrë atë që bëjë mëkate, por në përdorimin modern dhe ditor tek muslimanët, përdoret kur dikush flet kundër fesë. Andaj edhe sulmin kundër tij, shumë njerëz e panë si një formë ndëshkimi kinse të merituar ndaj Visarit që folë pa ndërprerë kundër fesë e hoxhallarëve. Por, Visari nuk ka marrë kurrë social nga shteti, nuk është bërë pjesë e asnjë prej partive, nuk e ka përdorur pushtetin e tij për ta futur në Postë bashkëshorten, as nuk ka biznese e pasuri të palujtshme qindra-mijëra euro me vlerë, sikurse politikani Nenad Rashiq.
Atëherë pyetja është shumë e thjeshtë: pse rasti i Nikollës dhe i Visarit duhet të jenë në një fjali të kryeministrit në pritje, Albin Kurtit, njeriu që ka marrë gjysmën e votave për ta udhëhequr vendin? Pse rrahja e një djali të politikanit na qenka e njejtë me sulmin direkt, të fshehtë e në mes të natës ndaj një gazetari? Rrahja në mes të ditës e një djali të një politikani, nuk ka të bëjë asgjë me lirinë dhe demokracinë politike dhe shoqërore në Kosovë, teksa rrahja e një gazetari është sulm direkt mbi lirinë e shprehjes. Nëse Nenad Rashiq, do të sulmohej nga ndonjë grupacion gangsterësh siç i quan Kurti në postimin e tij në Facebook të datës 26 shkurt, dy ditë pas sulmit ndaj Visar Duriqit, atëherë do të kishte kuptim krahasimi i këtyre dy rasteve. Ose nëse cak i sulmit do të ishte një familjar i Duriqit. Por dyshoj shumë se, Kurti do të reagonte nëse do të sulmohej ndonjë familjar i Visar Duriqit. Për “Shën” Nikollën, Kurti reagoj dy herë, sikur Nikolla të ishte aktivisti më i zëshëm në Kosovë për të drejtat e serbëve.
Në reagimin e 22 shkurtit, Kurti për rrahjen e Nikollës, përdorë hamendësimin, duke vazhduar të sillet si një opozitë me 10% dhe jo si një politikan partia e të cilit i ka fituar afro 50% të votave.
Një politikan që ka kërkuar të marrë drejtimin e shtetit, me thirrjen që të arrihet drejtësia, dhe të mbrohen institucionet e shtetit. Afro 400 mijë qytetar ia besuan këtë funksion, jo që ai të flasë ashtu si i “duket” apo të flas sipas “gjasave” por që të dëshmojë se është tjetër nivelin i politikanëve të deritashëm në Kosovë, pjesë e të cilës ka qenë vetë Nenad Rashiqi.
Kryeministri i rangut të ri në Kosovë, nuk është ai që brengoset më shumë për sulmin ndaj një djali të politikanit, sidomos partnerit të tij në politikë, por më shumë një politikan që e siguron një ambient të sigurt për gazetarët.
Ama Albin Kurti nuk mund ta bëjë këtë. Ai është njeriu kryesor që ka përdorur gjuhën jashtëzakonisht agresive dhe linçuese ndaj politikanëve kundërshtar dhe mediave që nuk pajtohen më të, dhe shkruajnë kundër tij. Një nga to, është Gazeta Online Insajderi, e cila qysh nga themelimi i saj në vitin 2016, ka qenë kundër të gjitha partive politike. “Dosja Pronto” e publikuar nga Insajderi ishte përdorur me vite nga partia e Kurtit për të bindur njerëzit se duhet ta votojnë VV-në. Por kur, Insajderi vazhdoi ta respektojnë, rregullin bazik: asnjë politikan nuk meriton të përkrahet, sepse të gjithë politikanët, qëllimin e parë, e kanë marrjen e pushtetit, Kurti ndryshoi kurs. Nuk ka asnjë politikan në historinë 50 vjecare në Kosovë e rajon, që ka pasur qëllimin kryesor marrjen e pushtetit për të mirën e popullit, dhe vetëm për të mirën e popullit. Ka pasur politikan më pak të korruptuar, shumë të korruptuar, më pak njerëzor, më shumë të afërt me popullin, por në krejt versionet, populli është vetëm mjet për të mbajtur pushtetin. Ose për ta fituar atë, nëse nuk e ke pushtetin, siç është rasti i Kurtit. Pse ky na meritoka përkrahje, ende pa e marrë pushtetin.
Në këtë mënyrë, dalëngadalë, politikanët, duan që t’ia marrin pushtetin mediave dhe t’ia transferojnë vetës. Por ka me mijëra gazetarë që gjatë kësaj periudhe kanë punuar dhe punojnë pa u kërkuar qytetarëve besimin (duke e fituar atë përmes punës), pa iu premtuar atyre punësim ( por duke qitë në pah manipulimet dhe keqpërdorimet e politikës në punësim).
Pra çka merr mesazh qytetari kosovar nga kryeministri në pritje, kur ai barazpeshon djalin e një politikani me një gazetar hulumtues? Se ata na qenkan të njejtë për nga rëndësia? Se djali i politikanit serb që është në krah të Kurtit është shqetësim më i madh sesa gazetari? Kjo logjikë, i hapë mundësi, grupacioneve që nuk e durojnë lirinë. Visari u rrah për qëndrimet dhe punën e tij, jo për qëndrimet e babait të tij politikan, sikurse Nenad Rashiq, që krejt aktivitetin e tij si politikan serb në Kosovë, e ka të foksuar tek marrja e një posti qeveritar, me cilëndo parti shqiptare që fiton shumicën. Ishte Thaçi tash është Kurti, ende është Rashiqi.
Kush është Nenad Rashiq?
Nikolla ende mund të jetë pa mëkate sepse është ende fëmijë, por babai i tij, si politikan, nuk ka të bëjë asgjë me shenjtërinë, përpos një detaji të vogël: para se të bëhej politikan, Rashiq kishte punuar në ndërmarrjen shoqërore mbushtorja e pijeve “Coca-Colla” në Lipjan. “Coca Cola” është pija më e përdorur në reklamat me Babadimrin, në kohën e Krishtlindjeve.
Nenaq Rashiq nga Coca Cola kaloi fillimisht në Postë Telekomin e Kosovës, ku i punon edhe bashkëshortja e tij. Prej vitit 2008 ai u bë politikan, si një nga figurat kryesore të politikës së serbëve të Kosovës por nuk është se njëmend ka bërë diçka për ta.
Ai është në Qeverinë e Kosovës, qysh nga viti 2008 në Qeverinë e parë të Hashim Thaçit dhe vazhdoi deri në fund të vitit 2014 edhe ne Qeverinë Thaçi 2 si ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, si kryetar i Partisë Liberale, por me qendrimi krejtësisht nacionaliste, duke mos e pranuar asnjëherë shtetin e Kosovës. Këtë parti, Nenad Rashiq e shuajit në arti kjo që ai e shuajti në vitin 2014, për ta krijuar një tjetër parti të quajtur Partia Progresive Demokratike. Një vit më vonë, pasi vetëm ai nga partia u bë deputet, iu bashkua grupit parlamentar të Listës Serbe të krijuar nga Aleksandar Vuçiq. Për krejt aktivitetin e tij politik, ai mbahet mend për mirë, vetëm si politikani serb, që nganjëherë ka dhënë intervista në gjuhën shqipe, por zyrtarisht për punën e tij, ka vetëm një aktakuzë: faljen e katër hidrocentraleve gjatë privatizimit të rrjetit të distribuimit të KEK-ut, proces ky i zhvilluar gjatë Qeverisë Thaçi 2. Sipas Prokurorisë Speciale, të pandehurit Besim Beqaj kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim, Mimoza Kusari, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu anëtar të Komitetit Qeveritar për Privatizim, anëtarë të Komitetit Qeveritar të Privatizimit (KQP), në cilësi të personave zyrtar, me qëllim që të i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta, kanë vepruar në kundërshtim me detyrat dhe të drejtat e tyre të përcaktuara si anëtarë të këtij Komiteti, pasi që me datë 08.05.2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: hidrocentrali i Lumbardhit, hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek KKDFE dhe më pas të privatizohen nga kompania “Limak-Calik””.
Kjo aktakuzë u bë publike, pasi Nenaq Rashiq, pos Thaçit, arriti të futej edhe në Qeverinë e Albin Kurtit. Kurti si kryeministër në detyrë, pasi ishte rrëzuar me mocion mosbesimi, e kishte emëruar Rashiqin, këshilltar politik dhe udhëheqës i zyrës për çështje të komuniteteve.
Sa ishte minsitër në Kosovë, ai në Serbi ishte regjistruar si i papunë. Pos rrogës mbi 1 mijë euro që e merrte në Kosovë, ai nga Serbia merrte edhe social, pasi ishte i regjistruar si i papunë, ani pse në deklarimin e pasurisë të atij viti (2012) kishte deklaruar 40 mijë euro kesh në bankat e Kosovës. Me bashkëshorten e tij, ata kanë edhe një biznes dhe sipas herës së fundit (2017) kur Nenaq Rashiq ka deklaruar pasurinë si deputet, ai së bashku me bashkëshorten e tij, marrin afro 23 mijë euro pagë vjetore nga buxheti i shtetit të Kosovës. Pra në secilin version, Nenaq Rashiq përfaqëson llojin e politikanit tipik në Kosovë, që politikën e ka përdororur për të mirën financiare të familjes së tij.