
Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve B.K., dhe E.Sh., për shkak të dyshimit se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe kundër D.S., dhe personit juridik “S.C.O” Sh.P.K., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Gazeta Insajderi merr vesh se dy zyrtarët e arrestuar janë Enver Shabani dhe Berat Kabashaj. Ndërsa, personi tjetër ndaj të cilit u ngrit aktakuzë është biznesmeni Driton Seferaj.
Për çka dyshohen ata?
Enver Shabani dhe Berat Kabashaj ishin arrestuar në vitin 2022 pas raportimit të Insajderit lidhur me tenderët që ishin dhënë.
Enver Shabanin drejtor i Shërbimeve Publike në Suharekë dhe Berat Kabashi zyrtar në drejtorin e shërbimeve publike/menaxher i kontratës. Arrestimi i tyre kishte ardhur pas raportimit të Gazetës Insajderi për tenderin për ndërtimin e disa rrugëve në fshatin Mushtisht.
Në anën tjetër, Driton Seferaj për të cilin po ashtu u ngrit aktakuzë dyshohet për “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” të KPRK-së.
I njëjti si pronar i “SEFERI-CO” sh.p.k, dyshohet se së bashku me Berat Kabashin ka përpiluar procesverbale, situata dhe raporte fiktive.
Me këto veprime i pandehuri ka përfituar dobi pasurore të kundërligjshme duke i shkaktuar dëm material Komunës së Suharekës në vlerë prej 13,272.66 euro.
“I pandehuri D.S., në bashkëveprim me personat zyrtar të Komunës së Suharekës e pikërisht me menaxherin e kontratës B.K., përpilojnë procesverbale, situata fiktive si dhe raporte fiktive për kryerjen e punëve përmes kompanisë së tij, kështu që i pandehuri D.S., me datë 15.08.2022 lëshon faturën me numër 16 e cila është dorëzuar në Komunën e Suharekës me datën 13.09.2022 në vlerë prej 15,000.00 euro dhe faturën me numër 35 të datës 06.12.2022 të pranuar në Komunën e Suharekës me datën 20.12.2022 në vlerë prej 9,945.32 euro për realizim të punëve, duke vazhduar bashkëpunimin me zyrtarët komunal të lartcekur përpilojnë raportin e pranimit teknik kinse janë realizuar punimet sipas kontratës, përderisa gjendja në teren ka qenë e parealizuar, e cila vërtetohet nga ekspertiza e fushës së ndërtimtarisë”, thuhet në aktakuzë.
Biznesmeni Driton Seferaj ia lë fajin Komunës
Gazeta Insajderi, ka kontaktuar edhe me biznesmenin Driton Seferaj, ai tha se nga komuna iu kërkua që të kryhen punime në një rreth dhe jo në rrugën që ishte paraparë në kontratë.
Sipas tyre vetëm sa kanë shtruar sasi më shumë në atë rreth.
“Nuk kam shkresë zyrtare për aktakuzë. Këto rrugë janë shtruar para katër viteve. Në njërën rrugë kur ne kemi shkruar me kryer punimet kemi parë që është e përfundume. Pas kësaj komuna na ka dërgu një letër ku thotë që në vend të rrugës që ishte paraparë të shtrohet një rreth në një vend tjetër. Vetëm sasi që kemi shtru më shumë aty, i vetmi problem është që nuk kemi shtruar atë që ishte paraparë në kontratë. Na vetëm sa kemi shtru më shumë, na jemi punëtorë ku të na thotë punëdhënësi duhet me shku“, ka deklaruar ai për Gazetën Insajderi.
Por, sipas aktakuzës, ka pasur ndryshime në mes të sasisë së kontraktuar dhe asaj të realizuar duke përfshirë materialin e planifikuar, gjatësinë dhe gjerësinë e rrugëve e pikërisht gjendja reale e vlerës së punimeve të kryera është më e vogël se vlera e punimeve të parapara në këtë kontratë edhe atë në punët paraprake, ku në përgjithësi vlera e punimeve të realizuara është 13,272.66 euro më pak se vlera e paraparë në kontratë,
Çka thuhet në aktakuzë?
Sipas aktakuzës thuhet se të dyshuarit duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, me dashje i tejkalojnë kompetencat e tyre të përcaktuara me ligj dhe veprojnë në kundërshtim me Ligjin për prokurimin publik.
“Prej datës 13.07.2022 e deri me datën 12.12.2022 në Suharekë, në bashkëkryerje, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtar dhe atë, i pandehuri B.K., – Zyrtar i lartë për Menaxhimin e Projekteve në Komunën e Suharekës, i caktuar si Menaxher i Projektit të prokurimit me titullin e kontratës ‘’ Ndërtimi i rrugëve lokale Lot 8-lot5 Nëntori i dytë, ‘Xhemajl Morina’, Mehmet Bytyqi segment në Reshtan’ si dhe i pandehuri E.Sh., i caktuar si Mbikëqyrës i Drejtpërdrejtë i Menaxherit të kontratës në projektin e njëjtë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, me dashje i tejkalojnë kompetencat e tyre të përcaktuara me ligj dhe veprojnë në kundërshtim me Ligjin për prokurimin publik dhe Rregulloren për prokurimin publik…”, thuhet në njoftim.Tutje bëhet e ditur se “nga provat e siguruara rezulton se të hollat në vlerë prej 24.945.32 euro janë paguar për operatorin ekonomik, e që në realitet rrugët nuk janë shtruar ashtu siç ishte paraparë në kontratë. Të pandehurit, përpilojnë raporte fiktive dhe të rrejshme, dhe nënshkruajnë raportin e pranimit teknik duke konstatuar se kinse punimet janë realizuar sipas kontratës, edhe pse ka pasur ndryshime në mes të sasisë së kontraktuar dhe asaj të realizuar duke përfshirë materialin e planifikuar, gjatësinë dhe gjerësinë e rrugëve e pikërisht gjendja reale e vlerës së punimeve të kryera është më e vogël se vlera e punimeve të parapara në këtë kontratë edhe atë në punët paraprake, ku në përgjithësi vlera e punimeve të realizuara është 13,272.66 euro më pak se vlera e paraparë në kontratë, e që në realitet këto punime më vonë realizohen me kontratën e datës 22.11.2022 me titull ‘Ndërtimi i rrugëve lokale Nëntori i dytë, ’Xhemajl Morina’, Mehmet Bytyqi segment, etj në Reshtan – faza e dytë’, e si pasojë Komunës së Suharekës i kanë shkaktuar dëm material në vlerë prej 13,272.66 euro”, thuhet në aktakuzë.
Tutje bëhet e ditur se me këto veprime në cilësi të bashkëkryerësve të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të KPRK-së.
Ndërsa, i pandehuri D.S., si person përgjegjës në personin juridik prej datës 13.07.2022 e deri më datën 12.12.2022 në Suharekë, dhe në fshatin Reshtan, duke vepruar në cilësi të bashkëpronarit dhe si përfaqësues i autorizuar –Drejtor i kompanisë “S.C.O.” Sh.P.K, dhe i pandehuri personi juridik “S.C.O” Sh.P.K., me dashje shkelin procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe nuk zbatojnë detyrimet që dalin nga kontrata e prokurimit publik, me qëllim të përfitimit për vete, duke i shkaktuar dëm buxhetor Komunës së Suharekës.
I pandehuri D.S., në bashkëveprim me personat zyrtar të Komunës së Suharekës e pikërisht me menaxherin e kontratës B.K., përpilojnë procesverbale, situata fiktive si dhe raporte fiktive për kryerjen e punëve përmes kompanisë së tij, kështu që i pandehuri D.S., me datë 15.08.2022 lëshon faturën me numër 16 e cila është dorëzuar në Komunën e Suharekës me datën 13.09.2022 në vlerë prej 15,000.00 euro dhe faturën me numër 35 të datës 06.12.2022 të pranuar në Komunën e Suharekës me datën 20.12.2022 në vlerë prej 9,945.32 euro për realizim të punëve, duke vazhduar bashkëpunimin me zyrtarët komunal të lartcekur përpilojnë raportin e pranimit teknik kinse janë realizuar punimet sipas kontratës, përderisa gjendja në teren ka qenë e parealizuar, e cila vërtetohet nga ekspertiza e fushës së ndërtimtarisë. Me këto veprime i pandehuri ka përfituar dobi pasurore të kundërligjshme duke i shkaktuar dëm material Komunës së Suharekës në vlerë prej 13,272.66 euro.
Me këto veprime të njëjtit, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” të KPRK-së.
Hulumtimet e Insajderit lidhur me rastin: