
Bordi i drejtorëve të Ujësjellësit Rajonal ”Prishtina” ka shkarkuar kryeshefin ekzekutiv, Gjelosh Vataj dhe zyrtarin kryesor financiar të institucionit, Selatin Retkoceri, pas publikimit të raportit të auditorit që nxori në pah disa shkelje etike e ligjore.
Shkarkimi i Vatajt dhe Retkocerit ka ardhur pasi këta dy zyrtar kanë bërë shkelje të ligjit në kontekst të legjislacionit të prokurimit publik, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ujësjellësi.
“Arsyetimi për shkarkimin e Vataj dhe Retkoceri është i bazuar në të gjeturat e specifikuara në raportet e Auditimit të Brendshëm mbi shkeljet etike e ligjore në kontekst të legjislacionit të prokurimit publik, të pasqyruara në raportin e Auditimit të Brendshëm te proceset e prokurimit dhe furnizimeve; deklarimin dhe raportimin e pasaktë financiar te raporti i TM4, përkatësisht pasqyrave financiare; brengat e grupeve të interesit për ecurinë etike të biznesit”, thuhet në njoftimin e KUR “Prishtina”, raporton Insajderi.