Një raport monitorimi nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka nxjerrë në pah parregullsi të rënda në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Sipas gjetjeve, caktimi i Kreshnik Bajraktari në pozitën e zëvendësuesit të Udhëheqësit Ekzekutiv është bërë në kundërshtim me ligjin, duke përdorur rregullore të paaprovuara dhe duke graduar zyrtarë që nuk plotësonin kriteret ligjore.
Gazeta Insajderi ka siguruar raportin e monitorimit të KPMShCK-së, i cili vë në pah parregullsi administrativ dhe ligjor brenda KKTK-së.
Sipas raportit, Bordi i KKTK-së kishte vepruar me dy rregullore paralele. Ndërsa zyrtarisht figuronte në fuqi një rregullore e vitit 2010 me 15 pozita, në uebfaqe dhe për emërime ishte përdorur një rregullore e vitit 2016, e cila parashihte 47 pozita, por që nuk kishte marrë kurrë miratimin e ministrisë përkatëse.
Pika më kritike e raportit është emërimi i Kreshnik Bajraktari në pozitën e zëvendësuesit të Udhëheqësit Ekzekutiv.
KPMShCK konstatoi për mungesë të gradës dhe shkelje të hierarkisë. Sipas dokumentit, Bajraktari mbante pozitën “Udhëheqës i Divizionit”, që llogaritet kategori e ulët drejtuese, ndërsa pozita e Udhëheqësit Ekzekutiv është kategori e lartë drejtuese. Ligji e specifikon qartë se një pozitë e lartë mund të zëvendësohet vetëm nga një zyrtar i kategorisë së mesme drejtuese (Drejtor), nivel të cilin KKTK nuk e kishte fare të plotësuar.
Gabime në zbatimin e ligjit
Kolegji monitorues ka vlerësuar se institucioni ka zbatuar gabimisht ligjin material. Në vend që të ndiqeshin procedurat e pranimit apo konkurrimit për pozita të lira, Bordi kishte “improvizuar” me emërime të brendshme që nuk përkonin me gradat profesionale të kërkuara me Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Në vendimin e tij, KPMShCK ka obliguar Kryetaren e Bordit të KKTK-së që brenda 15 ditësh të ndërmarrë veprime për zbatimin e rekomandimeve dhe eliminimin e këtyre shkeljeve.
Edhe pse ky raport kishte kërkuar nga Kryetarja Zanita Halimi që të ndërmerrte të gjitha masat ligjore për të eliminuar shkeljen. E njëjta nuk ka ndermarrur asnjëherë asnjë masë dhe kjo shkelje ka vazhduar për më shumë se 4 vite.
Raporti i plotë nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës:
Shenim | Raportim i Insajderit ka të bëjë me periudhën kur ai ishte caktuar u.d. Më vonë i njëjti u zgjodh drejtor me konkurs të rregullt.