Shkollat në Komunën e Ferizajt nesër, më 16 shtator, do t’ia kushtojnë orën e parë mësimore kujtesës historike për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe luftën për çlirimin e Kosovës.
Përmes një njoftimi drejtuar drejtorëve dhe mësimdhënësve, është kërkuar që gjatë orës së parë të mësimit t’i kushtohet vëmendje e veçantë luftës së UÇK-së dhe sakrificës për lirinë e Kosovës.
Sipas njoftimit, ky aktivitet synon të shërbejë si moment reflektimi për periudhën e luftës, rrethanat në të cilat ajo u zhvillua dhe sakrificën e njerëzve që kontribuuan dhe ranë për lirinë e vendit.
Në kuadër të kësaj ore, shkollat janë ftuar të kujtojnë dëshmorët dhe martirët e Kosovës, veteranët e luftës, familjet e të rënëve, personat e zhdukur, të zhvendosurit dhe qytetarët që përjetuan pasojat e luftës.
Në njoftim përmenden edhe drejtuesit dhe figurat e UÇK-së, të cilët aktualisht po përballen me proces gjyqësor në Hagë.
“Një vend i veçantë në këtë kujtesë u takon edhe drejtuesve dhe figurave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët aktualisht po përballen me një proces gjyqësor në Hagë”, thuhet në njoftim.
Institucionet arsimore janë ftuar që këtë aktivitet ta zhvillojnë në frymën e edukimit qytetar, respektit për sakrificën dhe përgjegjësisë shoqërore.
Në fund të njoftimit bëhet thirrje që kujtesa për luftën dhe sakrificën për lirinë e Kosovës t’u përcillet brezave të rinj përmes dijes dhe maturisë. /Insajderi.org/