Sipas drejtueses së një grupi mjedisor jofitimprurës, shkretëtirëzimi i Tokës prek jetën e afërsisht dy miliardë njerëzve në të gjithë botën dhe i kthen njerëzit në “migrantë ekologjikë”.
Duke folur me rastin e Ditës Botërore për Luftimin e Shkretëtirëzimit dhe Thatësirës, shefja ekzekutive e Fondacionit Turk për Luftimin e Erozionit të Tokës, Ripyllëzimin dhe Mbrojtjen e Habitateve Natyrore (TEMA), Deniz Ataç, tha se degradimi i Tokës shkakton 11% ulje të prodhimit të ushqimit.
17 qershori, Dita Botërore për Luftimin e Shkretëtirëzimit dhe Thatësirës, është një ditë e shënuar nga Kombet e Bashkuara (OKB) që përqendrohet në ndryshimin e qëndrimeve të opinionit ndaj shkaktarëve kryesor të shkretëtirëzimit dhe degradimit të Tokës.
“Degradimi i Tokës është zvogëlimi i produktivitetit të tokës, biodiversitetit, potencialit të sekuestrimit të karbonit dhe të gjitha shërbimeve të ekosistemit të natyrës, duke përfshirë ligatinat. Shkurtimisht, (shkretëtirëzimi) do të thotë varfërim, mungesë ushqimi, më shumë thatësirë dhe etje”, tha Ataç.
“12 milionë hektarë tokë bujqësore degradohen çdo vit për shkak të erozionit, menaxhimit jo të duhur të tokës, përdorimit të tepruar të plehrave kimikë, përdorimit të pesticideve për qëllime bujqësore, ujitjes së tepruar dhe jo korrekte dhe ndotjes”, shtoi ajo.
“Me shkatërrimin e pyjeve të shiut, rajonet tropikale me një klimë të lagësht kanë filluar të përballen me rrezikun e shkretëtirëzimit edhe në këtë klimë të lagësht. Shkretëtirëzimi prek jetën e afërsisht dy miliardë njerëzve, zvogëlon mirëqenien e tyre, shkakton mungesa të ushqimit dhe i kthen njerëzit në migrantë ekologjikë”, theksoi ajo.