
Abedin Zeka që mban postin e vozitësit të kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, është emëruar në bordin e drejtorëve në KRM “Pastrimi”. Tanimë kjo ndërmarrje në bord do ketë personin që vet nuk paguan borxhin e mbeturinave. Gazeta Insajderi ka siguruar një dokument ku Abedin Zeka shihet se ka borxhe ndaj kompanisë.
Zeka që vozit Bulliqin, në fillim të këtij muaji është emëruar si anëtar në Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike KRM “Pastrimi”.
Në vendimin që ka siguruar Insajderi të datës 07.03.2024, theksohet se Abedin Zeka është emëruar përkohësisht.
“I përmenduri sipas nenit 1 të këtij vendimi emërohet përkohësisht deri në zgjedhjen e Drejtorit sipas procedurës së rregullt të konkursit apo deri në një akt“, thuhet në vendim.
Kjo ndërmarrje në bord ka emëruar njeriun që nuk është i përgjegjshëm ndaj faturave të mbeturinave.
Kështu në bazë të një dokumenti të lëshuar me 18.03.2024, del se Abedin Zeka ka borxh ndaj “Pastrimi”. Sh. A.
Ai ka gjithsej 931 euro pa paguar.
Gazeta Insajderi në qershor të 2022 ka raportuar për punësimin e Zekës si vozitës i kryetarit të Podujevës.
Ai është aktivist i VV-së si dhe mbante pozitën e ushtruesit detyre të kryetarit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Besianë./Insajderi.org/