Pavarësisht vendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, që të ndalohen punimet në ndërtimin e objektit 11 katësh nga kompania e multimilioneri Fatmir Grainca, punimet kanë nisur sërish ditëve të fundit.
Të shqetësuar me dëmtimet që mund tu shkaktohen për rreth shtëpive, qytetarët rastin e denoncuan në prokurori, pasi sipas vendimit të Gjykatës të siguruar nga Gazeta Insajderi, ishte caktuar masa e përkohshme e sigurimit dhe ndalimin e punimeve të “Hit Petrolit”.
Valdet Haxhimusa, njëri nga përfaqësuesit e banorëve tha për Gazetën Insajderi se kanë dërguar një kërkesë në komunë dhe më pas në prokurori.
“Denoncimin në prokurori e kemi bërë në formë direkte, pra bisedë direkte me prokurorët, kemi dërguar një kërkesë për komunën dhe më pas e njëjta është dërguar edhe në prokurori”, tha Haxhimusa
Shqetësimet e qytetarëve ferizajas kishin filluar kohë më parë pasi ndërtimi i kësaj banese sipas tyre nuk i ka përfillur kushtet e udhëzimit administrativ, për normat teknike të planifikimit hapësinor.
Gazeta Insajderi ka siguruar dokumentin në të cilin thuhet se “Duke e ditur që Hartat zonale në Komunën e Ferizajt ende nuk kanë përfunduar, dhe sipas ligjit Nr:04 L-174 Për Planifikim Hapësinor Neni 17, pika 2, pa përfundimin e hartave Zonale Komunale nuk mund të realizohen Planet Rregulluese dhe Planet Rregulluese të Hollësishme, rrjedh që Planet Rregulluese Urbane në fuqi gjithashtu nuk janë zëvendësuar me Planet e reja rregulluese Urbane dhe Planet e reja Rregulluese të Hollësishme”
Pra rrjedhimisht, Planet Rregulluese Urbane të miratuara në komunën e Ferizajt mbesin në fuqi, krejt kjo pasi nuk janë shfuqizuar e madje as zëvendësuar.
Kreu i kompanisë në fjalë ishte në arrati për rastin “Brezovica”, i njejti del të jetë mik i Agim Aliut.
Gazeta Insajderi, ka raportuar se si multimilioneri Grainca ishte i arratisur e ndërkaq punimet nga kompania e tij vazhdonin, dhe të njetat po terrorizonin qytetarët.
I vendosur që të bëjë ndërtimin e banesës 11 katëshe, Grainca nuk shqetësohej për dëmet që po shkaktoheshin qytetarëve atje.
Gjithashtu në raportimin e Insajderit janë publikuar edhe dokumentet e lejes së ndërtimit të këtij objekti, leje kjo që u mor nga Drejtoria e Urbanizimit të Aliut, më 15 tetor të vitit 2021.