Shoqata “Down Syndrome Kosova” ka reaguar sot ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) pas raportimeve se një person me sindromë Down nuk mundi të votojë gjatë balotazhit të mbajtur më 9 nëntor.
Në reagimin e saj, shoqata shpreh shqetësim për përmbajtjen e Udhëzuesit Zyrtar për Procedurat e Votimit me Asistencë, të miratuar nga KQZ-ja.
Sipas saj, ky udhëzues ka kufizuar të drejtën e votës për personat me aftësi të kufizuara, duke kërkuar nga ata dokumente shëndetësore me numër protokolli ose numër rendor të dokumentit, për të ushtruar të drejtën për votim me asistencë.
Shoqata thekson se kjo qasje: Cenon Nenin 45 të Kushtetutës, që garanton të drejtën e çdo qytetari për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur pa diskriminim; Bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi; Nuk respekton Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, që garanton pjesëmarrje të barabartë në jetën publike.
Shoqata konsideron kërkesën për dokument shëndetësor si stigmatizuese dhe diskriminuese, duke rikthyer një qasje të vjetruar mjekësore ndaj aftësisë së kufizuar dhe duke cenuar pavarësinë dhe dinjitetin e qytetarëve me aftësi të kufizuara.
Për më tepër, shoqata kritikon mungesën e konsultimit me personat me aftësi të kufizuara dhe organizatat përkatëse gjatë hartimit të udhëzuesit, si dhe mungesën e publikut dhe trajnimit të komisionerëve, që rrisin rrezikun e keqinterpretimit.
Shoqata i bën thirrje KQZ-së që:
Shoqata nënvizon se e drejta e votës është një të drejtë themelore demokratike dhe trajtimi i personave me aftësi të kufizuara si qytetarë të barabartë është detyrim kushtetues, ligjor dhe moral për çdo institucion publik.