Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pranuar një letër mirënjohjeje nga Shoqata Kosovare e të Shurdhërve.
Kjo për fillimin e procesit të zbatimit të Rregullores për Ofrimin e Shërbimeve në Gjuhën e Shenjave në Republikën e Kosovës, njofton Zyra e Kryeministrit.
Sipas drejtuesve të kësaj shoqate institucionet e vendit me këtë veprim kanë zbatuar në përpikëri politikën e mundësive të barabarta.
Me këtë veprim, sipas drejtuesve të shoqatës, institucionet e vendit kanë zbatuar me përpikëri politikën e mundësive të barabarta, duke ndikuar drejtpërdrejtë në përmirësimin e kualitetit të jetës së të gjithë qytetarëve të shurdhër.
Shoqata Kosovare e të Shurdhërve, po ashtu, ka theksuar se ky vendim e ka pozicionuar Republikën e Kosovës në një ndër vendet e para në Evropën Juglindore që ka marrë këtë hap, duke e quajtur shembull pozitiv për vendet e rajonit dhe më tej.
“Tani një qytetar i shurdhër në Republikën e Kosovës nuk është i izoluar, por gëzon absolutisht mundësinë e barabartë të komunikimit (në gjuhën e shenjave) përmes interpretëve të gjuhës së shenjave në të gjitha institucionet publike të vendit”, thuhet në letrën e drejtorit ekzekutiv të Shoqatës, Enver Kurtalani. /Insajderi.com