Shpallen rezultatet përfundimtare në Maqedoni - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Shpallen rezultatet përfundimtare në Maqedoni

    Insajderi
    12 December 2016 - 23:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni i shpalli të hënën në mbrëmje rezultatet e para te zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën të dielën.

    VMRO-DPMNE e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, ka fituar 51 mandate në parlament; Lidhja Social Demokrate e opozitës, 49, Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar 10 poste ligjvënësish, Lëvizja Besa në koalicionin “Rilindje me Besë”, 5 vende, Aleanca për Shqiptarët 3 vende dhe Partia Demokratike Shqiptare doli e fundit duke marrë vetëm 2 vende në parlament.

    Të gjitha partitë shqiptare së bashku do të kenë 20 deputetë, ndryshe nga përbërja e kaluar e parlamentit kur kishin 27 vende.

    Kësaj radhe, vota shqiptare u përça, si tek numri më i madh i partive shqiptare në garë, poashtu edhe për faktin se se një numër shqiptarësh kishin vendosur ta votojnë Lidhjen Social Demokrate.

    Edhe në zona të banuara vetëm me shqiptarë, apo ku shqiptarët përbëjnë një shumicë dërmuese, siç janë komuna e Studeniçanit, Haraçinës e ndonjë tjetër, opozita maqedonase ka marrë më tepër vota se sa partitë shqiptare.

    LSDM ka dy deputetë të rinj shqiptarë në radhët e saj.

    Zgjedhjet e së dielës, megjithatë nuk sollën një fitues që do të mund ta formonte lehtësisht qeverinë e re të Maqedonisë. Ndërkaq, dy partitë më të mëdha maqedonase vazhdojnë ta ndiejnë veten fitimtarë në garë. VMRO-DPMNE ka marrë rreth 17 mijë vota më shumë se socialdemokratët, në shkallë vendi. Maqedonia ka 6 zona zgjedhore dhe secila dërgon nga 20 deputetë në parlament. Këtë herë, sipas të gjitha parashikimeve, nuk do të ketë ligjvënës të zgjedhur nga zona e 7 që është diaspora.

    Nëse mandati i jepet VMRO-DPMNE-së, asaj i duhen votat e BDI-së për ta formuar qeverinë. Në rast se ajo nuk arrin ta formojë qeverinë, mandati i jepet partisë së dytë që ka fituar më shumë vota. Por, Lidhjes Social Demokrate nuk do t’i mjaftojnë ligjvënësit shqiptarë të tre partive të tjera shqiptare, pa votat e deputetëve të BDI-së.

    Pas zyrtarizimit të rezultatit zgjedhor nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, pasi te këtë përfunduar afati për ankesa dhe procedimi i tyre, fillojnë të rrjedhin afatet për formimin e qeverisë së re.. Analistët, nga ana tjetër, nuk janë shumë optimistë se një qeveri vetëm me një shumicë të thjeshtë do ishte e qëndrueshme dhe të sillte ligje cilësore.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark