×
  • Lajme
  • Insajderi

    Shpërfillja e kërkesës personale të Blinken nga Kurti, Ambasada Amerikane flet për Insajderin

    Insajderi
    26 October 2022 - 15:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Të martën kryeministri, Albin Kurti deklaroi se afati për konvertimin e targave serbe është shtyrë një herë dhe se data e fundit do të jetë 31 tetori. Edhe pse Kurti theksoi se qeveria e Kosovës i trajton seriozisht dhe me kujdes këshillat e partnerëve ndërkombëtar, duket se personalisht po i injoron ato. Kjo për faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rekomanduar që të shtyhet afati për targat edhe 10 muaj.

    Në një përgjigje për Insajderin, Ambasada Amerikane në Prishtinë ka ritheksuar se janë në pritje të një marrëveshje për targat. Nga kjo ambasadë, kanë deklaruar se nuk kanë asgjë më shumë për të shtuar në ato që ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.

    Price ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që palët mund të zgjidhin çështjen e targave paqësisht përgjatë ditëve në vijim.

    “Ne plotësisht e mbështesim dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Kjo është arsyeja që i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ishte në Prishtinë e Beograd për të mbështetur këtë proces”, tha zoti Price duke theksuar se edhe vet Sekretari i Shtetit, Blinken, është thellësisht i angazhuar në këtë proces.

    Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, Escobar kërkoi shtyrjen për 10 muaj të afatit për ndryshimin e targave serbe, duke potencuar se kjo nuk është vetëm kërkesë e ShBA-së, por edhe e gjithë Quintit.

    Escobar deklaroi se është e rëndësishme që Kosova t’i dëgjojë rekomandimet e tyre, meqë janë shtete që e përkrahin më së shumti vendin.

    Po ashtu, Escobar tha se Sekretari i Shtetit, Antony Blinken i ka kërkuar Kurtit ta shtyjë afatin për targat.

    “Biseda jonë për këtë është ende në një fazë të ndjeshme. Shpresoj shumë që do të zgjasin afatin, shpresoj se do të pranojnë kërkesën e vendeve të Quintit dhe kërkesën personale të Sekretarit të Shtetit për ta shtyrë atë për ta bërë zbatimin më pak kaotik dhe për të krijuar kushtet për zbatimin e duhur”, tha Escobar.

    Ai shtoi se nuk ka marrë ndonjë zotim nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti për këtë rekomandim, mirëpo janë në pritje.

    Përkundër këtyre thirrjeve, Kurti ende nuk ka hequr dorë nga data 31 tetor, afat i fundit për konvertimin e targave.

    Gjatë një paraqitje për media, Kurti deklaroi se duan që të respektohet rendi dhe ligji. Përkundër mosbindjes, ai theksoi se i merr shumë seriozisht sugjerimet e ndërkombëtarëve.

    “Përveç se duam të respektohet rendi dhe ligji, gjithashtu jemi të kujdesshëm që të mos rrezikohet paqja edhe siguria. Prandaj edhe kur aleatët, partnerët e miqtë tanë ndërkombëtarë na japin sugjerime, ne ato i marrim shumë seriozisht dhe i analizojmë më kujdes”, tha kryeministri.

    Kurti  iu bëri thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që të konvertojnë targat e makinave të tyre, duke nënvizuar se ky vendim nuk është i drejtuar kundër tyre, përkundrazi synon të krijojë lehtësi financiare për ta. /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark