(14:12) Në mesin e të lënduarve pas më së paku katër shpërthimeve në Bruksel, është edhe një diplomat slloven. Lajmin për media e ka bërë të ditur gjatë një konference me gazetarë, ministri i Jashtëm slloven, Karl Erjavec. Erjavec nuk ka treguar emrin e diplomatit të lënduar, vetëm se ka theksuar se gjendet në spital dhe është jashtë rrezikut për jetë, raporton The Guardian.
(13: 40) Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmet në Bruksel. Kjo është transmetuar nga agjencia Amaq, media të afërta me organizatën terroriste.
Nuk është hera e parë që akte të tilla, mbajnë autorësinë e shtetit islamik. Shpërthimet e mëngjesit të sotëm kanë tronditur gjithë botën si dhe kanë ngritur tashmë sigurinë maksimale në vendet e Evropës, të cilat kanë qenë në disa raste shënjestër e sulmeve të tilla.
(12:35): Ngushëllime kanë ardhur nga liderë të ndryshëm të botës. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, është parë duke qarë në një konferencë për media.
(12:05) Prokuroria belge nuk jep detaje rreth profilit të sulmuesit vetëvrasës. “Është shumë herët të jepen detaje rreth sulmuesve,” ka thënë prokurorja federale Fredere Van Leeuw.
(11:54) Kryeministri belg Charles Michel thotë se terroristët i kryen vrasjet në aeroport dhe në stacionin e metrosë. Në një konferencë për media, ai ka thënë se forca ushtarake janë shpërndarë në qytet.
Kryeministri konfirmoi se sulmi në aeroport është kryer nga një sulmues vetëvrasës. Ai kërkoi për “qetësi e solidaritet” duke e përshkruar këtë ngjarje si tragjik, njofton The Guardian.
(11:40) Numri i personave të vdekur nga shpërthimi në metro është rritur në 15, ndërsa raportohet për 55 të tjerë të lënduar
(11:25) The Guardian raporton se Franca ka dërguar 1600 policë shtesë në kufijtë me Belgjikën pas sulmeve në Bruksel. Kështu ka njoftuar Ministri i Brendshëm i Francës, Bernard Cazeneuve i cili ka thënë se “është esenciale që të ruhet vigjilenca.” Masat e sigurisë janë shtuar edhe në aeroporte të vendeve të tjera, si Anglia.
(11:05) Prokuroria belge ka konfirmuar se shpërthimet në Aeroportin e Brukselit u kryen nga sulmues vetëvrasës.
(10:50) Forca të shtuara ushtarake tashmë ndodhen afër zyrës së kryeministrit belg
(10:16) Mediat belge raportojnë se nga shpërthimi në stacionin e metrosë kanë mbetur të vdekur 10 persona
(10:03) Në ndërkohë, siç raporton Reuters, numri i të vrarëve në Aeroportin e Zaventem ka arritur në 13. Mediat belge raportojnë se shpërthimi në aeroport është kryer nga një sulmues vetëvrasës, por kjo mbetet për tu konfirmuar.
(9:55) Pas dy shpërthimeve që ndodhën në aeroport, Brukseli është tronditur edhe nga sulmi në një metro që ndodhet afër institucioneve të Bashkimit Evropian.
Raportimet e para nuk njoftojë për të vdekur por vetëm për disa të lënduar, njofton The Guardian.
Njerëzit janë evakuuar nga stacioni i trenit.
Shpërthimi i tretë brenda vetëm pak minutave ka ngritur alarmin në qytet.
Stacionet e metrove dhe aeroporti janë mbyllur, ndërsa raportohet se fatin e njejtë e kanë pasur edhe muzetë e qytetit.
Këto shpërthime vijnë vetëm disa ditë pas arrestimit nga policia belge të të dyshuarit për sulmin terrorist në Paris./Insajderi.com