Shkruan: Ardian Bajraktari
Diskursi polarizues dhe gjuha e ashpër e toksike tash e një kohë, kanë zënë vend dhe kanë shtrirë rrënjë të thella në shoqëri, për fat të keq. Mosveprimi dhe mosadresimi me urgjencë dhe në mënyrën e duhur nga organet përgjegjëse ndaj këtij diskursi përçarës, të mbushur me urrejtje, mund të prodhojnë pasoja serioze për shoqërinë.
Ndonëse liria e shprehjes është një nga shtyllat themelore të shoqërisë demokratike, kjo e drejtë nuk është absolute. Ajo nuk mund të shndërrohet në mjet për nxitjen e urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit ndërmjet qytetarëve apo grupeve të ndryshme shoqërore.
Pikërisht për këtë arsye, neni 141 i Kodit Penal sanksionon veprën penale të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit, duke mbrojtur bashkëjetesën, barazinë dhe rendin publik.
Kjo vepër penale konsiston në nxitjen ose përhapjen publike të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit ndaj grupeve të mbrojtura me ligj. Nuk mjafton që qëndrimet të mbahen në mënyrë private; ato duhet të shprehen ose të përhapen publikisht, në mënyrë që të jenë të qasshme për një rreth më të gjerë personash. Objekt i mbrojtjes janë marrëdhëniet e bashkëjetesës, tolerancës dhe paqes shoqërore ndërmjet grupeve kombëtare, racore, etnike, fetare dhe grupeve të tjera të mbrojtura me ligj.
Për ekzistimin e kësaj vepre penale nuk kërkohet që rendi publik të jetë prishur realisht; mjafton që veprimi, sipas mënyrës së kryerjes së tij, të jetë objektivisht i aftë të krijojë një rrezik serioz për bashkëjetesën dhe rendin publik. Kjo vepër kryhet vetëm me dashje, që do të thotë se autori duhet të jetë i vetëdijshëm se veprimet e tij nxisin ose përhapin urrejtje, përçarje apo mosdurim dhe ta dëshirojë ose ta pranojë një pasojë të tillë.
Kodi Penal parashikon edhe forma më të rënda të kësaj vepre, ndër të tjera kur ajo kryhet në mënyrë sistematike, apo me keqpërdorim të pozitës zyrtare, ose kur shkakton trazira apo dhunë, ose kur realizohet përmes kanosjes, shtrëngimit, dëmtimit të pasurisë apo përdhosjes së monumenteve dhe varrezave.
Në praktikë, është thelbësore të bëhet dallimi ndërmjet kritikës, debatit publik apo mendimit ndryshe, të cilat mbrohen nga liria e shprehjes, dhe gjuhës së urrejtjes, e cila synon ose është objektivisht e aftë të nxisë urrejtje, përçarje apo mosdurim ndërmjet grupeve të caktuara. Ky dallim është i domosdoshëm për të ruajtur ekuilibrin ndërmjet lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes së rendit kushtetues e shoqëror.
Në këtë kontekst, Prokuroria e Shtetit, para së gjithash, por edhe organet tjera të zbatimit të ligjit, duhet të veprojnë me vendosmëri dhe pa asnjë dallim ndaj çdo rasti kur ekzistojnë dyshime për kryerjen e kësaj vepre penale.
Një gjë është thelbësore të dihet, hapësira digjitale nuk mund të mbetet jashtë zbatimit të ligjit.
Linçimet publike, fushatat e organizuara të urrejtjes, thirrjet për përçarje dhe përmbajtjet që përhapen përmes profileve të rreme në rrjetet sociale nuk duhet të trajtohen si fenomene të zakonshme të debatit publik. Nëse ato përmbushin elementet e veprës penale të përcaktuara në nenin 141 të Kodit Penal ose të ndonjë vepre tjetër penale, ato duhet të jenë objekt i hetimit dhe ndjekjes penale.
Përdorimi i profileve të rreme nuk mund të shërbejë si mburojë për t’iu shmangur përgjegjësisë penale. Përkundrazi, kur ekziston dyshimi se përmes tyre janë kryer vepra penale, organet kompetente duhet të ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore të parashikuara me ligj për identifikimin e autorëve dhe vendosjen e tyre para drejtësisë.
Një shoqëri demokratike mbrohet jo vetëm duke garantuar lirinë e shprehjes, por edhe duke reaguar me vendosmëri ndaj atyre që e keqpërdorin atë për të përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim.
Zbatimi i ligjit në mënyrë të barabartë ndaj të gjithëve, është garancia më e mirë për mbrojtjen e bashkëjetesës, rendit publik dhe shtetit të së drejtës, detyrë kjo e organeve të zbatimit të ligjit.
Përmes reagimit të organeve kompetente dhe vënies para përgjegjësisë të të gjithë atyre që nxisin e përhapin urrejtje, përçarje dhe mosdurim, jo vetëm që mbrohet rendi juridik dhe shoqëror, por realizohet edhe një nga funksionet themelore të së drejtës penale, preventiva gjenerale, përkatësisht parandalimi i kryerjes së veprave të tilla penale në të ardhmen përmes shqiptimit të dënimeve të drejta dhe proporcionale.