Analisti serb, Obrad Kesiq, duke folur sot për gazetën ruse Sputnik, ka thënë se lajmi që Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve, James Mattis ku shpreh mbështetje për formimin e Ushtrisë së Kosovës – është e rrejshme.
Më 12 janar, Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis, përmes një dokumenti 56 faqesh që ia ka prezantuar Komitetit për Shërbime të Armatosura në Senat, shkruan se Kosova duhet të formojë ushtrinë e saj dhe se Serbia besohet ta njohë Kosovën para se të dyja bashkë të futen në Bashkimin Europian.
Por, Kesiq shpreson që këto lajme janë të rrejshme, duke thënë se kjo nuk paraqet politikën e administratës së re të Amerikës, me Donald Trump.
“Ai foli në kontekstin e politikës së administratës amerikane që ekziston prej 10 vjetësh, dhe duke folur para anëtarëve të Senatit në të cilën bëjnë pjesë edhe kundërshtuesit e mëdhenj, si cështja e Kosovës dhe e serbëve në Ballkan, po ashtu edhe ajo e Rusisë”, ka thënë Kesiq, duke iu referuar fjalëve të Mattis.
Sipas Kesiq, Sekretari i ri i Mbrojtjes do të definojë një politikë të re të jashtme të Amerikës, shkruan Insajderi.
Edhe ish-ambasadori i Serbisë në SHBA, Ivan Vujaçiq është i një mendimi të ngjashëm me Kesic, duke theksuar se Mattis, në mënyrë që të bëhet sekretar i mbrojtjes, i tha Komitetit të Mbrojtjes në Senat gjërat që janë në përputhje me politikën e përgjithshme të Pentagonit deri më tani..
Vujaçiç theksoi gjithashtu se Sekretari i Mbrojtjes nuk është përgjegjës për politikën e jashtme.
“Amerikanët kanë hyrë në Kosovë së bashku me evropianët nën moton ‘së bashku kemi hyrë, së bashku do të dalim’. Kjo do të thotë se derisa trupat evropiane të KFOR-it të jenë të pranishme në Kosovë, edhe SHBA do të mbetet me ta”, tha diplomati serb, Vujaçiç.
Një ditë më parë, kryetari i Këshillit të Kuvendit serb për Kosovën, Milovan Drecun ka thënë se e brengosë deklarata e sekretarit amerikan të mbrojtjes, James Mattis, se tema mbi njohjen e Kosovës do të aktualizohet edhe para anëtarësimit të Serbisë në BE.
“A do të thotë kjo se administrata e Trumpit do të heqë dorë nga qëndrimi i gjertanishëm amerikan që mos të bëhet presion dhe që mos të kërkohet nga Serbia që ta njohë Kosovën. Nëse kështu zhvillohen ngjarjet, a do të ishte ky një trend negativ?”, pyetet Drecun.
Ai ka thënë se, duke gjykuar deklaratat e zyrtarëve të posa emëruar, administrata e Trumpit është duke e vazhduar politikën e administratës së kaluar sa i përket çështjes së Kosovës, duke pretenduar se disa kanë pasur pritje joreale, dhe se për ShBA-të, pavarësia e Kosovës është çështje e kryer. /Insajderi.com