Insajderi
Lajme

Shqetësimet për sigurinë e WhatsApp-it në Kosovë, KOS-CERT nis trajtimin e rasteve – del me rekomandime

Insajderi
27 September 2026 - 13:56
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Shqetësimet për sigurinë e WhatsApp-it në Kosovë, KOS-CERT nis trajtimin e rasteve – del me rekomandime
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Shqetësimet e raportuara ditëve të fundit për komprometimin e llogarive në WhatsApp kanë nxitur reagimin e KOS-CERT, i cili ka bërë të ditur se tashmë është duke trajtuar rastet e raportuara.

Darsej Rizaj, bashkëthemelues i “Shkollës Digjitale” dhe “StarLabs” ka theksuar se problemi po vazhdon edhe sot, dhe nuk është rast i izoluar në vetëm një operator.

“Kanë filluar të më shkruajnë sot edhe disa persona që po e humbin qasjen në WhatsApp dhe që janë përdorues të IPKO-s. Këto raste po ndodhin sot, kështu që nuk duket se problemi është i izoluar vetëm te Vala. Problemi është ende aktiv”, ka shkruar Rizaj.

E, Njësia Nacionale për Siguri Kibernetike ka njoftuar se është duke bashkëpunuar me institucionet përgjegjëse shtetërore, operatorët e telefonisë mobile dhe partnerët ndërkombëtarë, ndërsa është në kontakt edhe me kompaninë Meta për të analizuar rastet dhe për të identifikuar mekanizmat e përdorur për komprometimin e llogarive.

Deri në përfundimin e analizave, KOS-CERT u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndërmarrin disa masa sigurie.

Qytetarëve u është rekomanduar që të mos e ndajnë me askënd kodin e verifikimit të WhatsApp-it (OTP), të aktivizojnë verifikimin me dy hapa dhe të kontrollojnë pajisjet e lidhura me llogarinë e tyre.

Vazhdojnë shqetësimet për sigurinë e WhatsApp-it në Kosovë, deputetët kërkojnë reagim të menjëhershëm

Në rast se në listën “Linked Devices” shfaqet ndonjë pajisje e panjohur ose e paautorizuar, KOS-CERT rekomandon që ajo të shkëputet menjëherë.

Gjithashtu, qytetarët janë këshilluar të mos klikojnë në vegëza të dyshimta që pranojnë përmes SMS-it, email-it, WhatsApp-it apo platformave të tjera, veçanërisht kur u kërkohet verifikimi i llogarisë ose dhënia e të dhënave personale.

KOS-CERT ka paralajmëruar edhe për tentativat e regjistrimit të llogarive në pajisje të tjera. Nëse përdoruesi pranon një kod ose njoftim për një tentativë regjistrimi që nuk e ka iniciuar vetë, ai nuk duhet ta ndajë kodin dhe as ta autorizojë kërkesën.

Njësia Nacionale për Siguri Kibernetike ka rekomanduar që të mbrohet edhe adresa e email-it e lidhur me llogarinë, duke përdorur fjalëkalim unik dhe autentikim me shumë faktorë (MFA), kur kjo mundësi ofrohet.

KOS-CERT ka theksuar se qytetarët nuk duhet të ndajnë fjalëkalime, kode verifikimi apo të dhëna personale, edhe në rastet kur kërkesa duket se vjen nga një kontakt i njohur, pasi edhe llogaria e atij personi mund të jetë komprometuar.

Në rast se një qytetar dyshon se llogaria e tij është komprometuar, KOS-CERT rekomandon përdorimin vetëm të mekanizmave dhe kanaleve zyrtare të WhatsApp-it për rikuperimin e llogarisë, si dhe raportimin e incidentit tek KOS-CERT.

KOS-CERT ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin dhe analizimin e situatës, në bashkëpunim me institucionet, operatorët dhe partnerët relevantë, ndërsa për zhvillimet e rëndësishme publiku do të informohet përmes kanaleve zyrtare.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark