×
  • Lajme
  • Lajme

    Shqipëri – Greqi: Çështja e detit zgjidhet në Hagë

    Insajderi
    20 October 2020 - 19:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias, thanë se të dyja palët janë pajtuar që t’i drejtohen institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë për shënjimin e kufirit detar mes dy vendeve.

    “Kemi rënë dakord që këtë çështje ta trajtojmë në instancat ndërkombëtare. Së bashku, Shqipëria dhe Greqia do t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të vendosur pikat mbi ‘i’ në bazë të ekspertizës dhe në bazë të të drejtës ndërkombëtare të detit,” deklaroi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin grek.

    Çështja e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë është temë që ka përplasur të dy vendet në më shumë se 10 vjetët e fundit. Kjo çështje është e hapur që nga marrëveshja midis Shqipërisë dhe Greqisë në vitin 2009, e cila u njoh si marrëveshja e detit ku të dyja palët i kontestojnë 350 km rreth caktimit të kufinjve detar.

    Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, tha se çështja e detit Shqipëri-Greqi do të shkojë në Gjykatën e Hagës për të marrë një zgjidhje.

    “Zgjidhja e kësaj divergjence do të jetë e dobishme për të dyja vendet. Zgjidhja do të këtë si bazë marrëveshjen e OKB-së, që të dyja vendet kemi nënshkruar. Jam shumë i lumtur të përsëris atë që kryeministri sapo tha, se duke e analizuar këtë çështje ne kemi rënë dakord që së bashku ta kalojmë këtë çështje në Gjykatën e Hagës,” tha Dendias.

    Duke vlerësuar Greqinë si një partner strategjik, Rama nënvizoi se zgjidhja e çështjeve të lëna pezull është në interes të të dyja vendeve për të ardhmen.

    “Për ne, Greqia është një partner strategjik dhe një fqinj i çmuar… Jemi dakord të punojmë për të adresuar dhe zgjidhur me frymë konstruktive të gjitha çështjet që duhet të zgjidhen mes vendeve tona”, u shpreh kryeministri Rama.

    Edhe Dendias shtoi se të dy vendet janë të gatshme të krijojnë një besim reciprok dhe të zgjidhin të gjitha çështjet që janë pezull.

    “Prezenca ime sot këtu synon pikërisht në nënvizimin e një agjende dinamike dhe pozitive të marrëdhënieve tona. Ne kemi një vullnet shumë të fuqishëm që ti çojmë këto marrëdhënie akoma më lart dhe të zgjidhim në një klimë të një respekti dhe besimi reciprok të gjitha ato gjëra që kanë mbetur pezull”, tha Dendias.

    Ministri grek u prit me protesta nga Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU), Shoqata Patriotike Çamëria dhe organizata të tjera politike kishin thirrur paraditen e së martës një tubim përpara ministrisë së Jashtme për të kundërshtuar, siç u tha, pozicionin e qeverisë shqiptare kundrejt asaj greke për çështjen Çame, të drejtat e shqiptarëve në Greqi si dhe marrëveshjes së detit.

    Policia gjobiti dhe nisi procedim penal ndaj dy drejtuesve kryesorë të PDIU-së dhe 16 personave të tjerë, të cilët organizuan dhe zhvilluan tubimin.

    Policia tha se në zbatim të vendimit të qeverisë për të detyruar mbajtjen e maskës në mjedise të hapura, si rregullore e re e mbrojtjes nga COVID-19, personat – përfshirë dhe zyrtarët e organizatave politike, – janë gjobitur me nga 3 mijë lekë (24 euro), pasi nuk kishin maska.

    Ministri i Jashtëm i Greqisë, gjatë vizitës së tij njëditore në Shqipëri, u takua edhe me presidentin e vendit, Ilir Meta; me ministrin e Jashtëm në detyrë Genc Cakaj dhe me kreun e Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha.

    Marrëveshja Shqipëri – Greqi u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në vitin 2010 dhe që nga ajo kohë bisedimet kanë kanë vazhduar midis dy palëve për shënjimin e një kufiri detar.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark