Shqipëria reagon për situatën e tensionuar në Maqedoni – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Shqipëria reagon për situatën e tensionuar në Maqedoni

    Insajderi
    27 April 2017 - 22:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Përshkallëzimin e situatës në Maqedoni është duke e ndjekur me shqetësim edhe Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, e cila ka dënuar përdorimin e dhunës në ambientet e Kuvendit, veçanërisht sulmin ndaj disa prej deputetëve.

    “Përplasje dhe skena të tilla dhune kundër përfaqësuesve të zgjedhur nga qytetarët e Maqedonisë janë të papranueshme dhe aspak të denja për një demokraci parlamentare. Dhuna nuk ndihmon kurrsesi në zgjidhjen e situatës së krijuar”, shkruhet në deklaratën e MPJ-së, njofton Top Channel.

    Diplomacia shqiptare u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë në Maqedoni të tregojnë vetëpërmbajtje, të mos përdorin retorika nxitëse që mund të përkeqësojnë situatën dhe të angazhohen me qetësi e gjakftohtësi në një dialog të qenësishëm.

    “Gjithashtu u bëjmë thirrje forcave të rendit të angazhohen në ruajtjen e rendit publik dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre. Qytetarët e Maqedonisë presin daljen sa më parë nga kriza dhe vijimësinë e procesit të funksionalizimit të institucioneve, në të mirën e tyre të përbashkët, të bashkejetesës e harmonisë ndëretnike, si dhe të përparimit euroatlantik të vendit”, thuhet më tej në komunikatë.

    Në fund, MPJ mbështet thirrjen e ambasadoreve të vendeve të BE-së dhe të SHBA-ve për të shmangur dhunën dhe për të nisur një dialog të qenësishëm politik në Maqedoni.

    Gjithashtu ka reaguar edhe kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ka bërë apel për ndalimin e dhunës, duke theksuar se stabiliteti i Maqedonisë është kyç për të gjithë rajonin e Ballkanit.

    “Urtësia dhe dialogu janë vendimtare në këto momente tepër kritike për Maqedoninë”, shprehet ndër të tjera Meta.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark