Shqiptarët dhe karantina! Nga zënkat në çift, tek ankthi nga izolimi: Si të sillemi pa dëmtuar veten dhe të tjerët - Insajderi
×
LifeStyle

Shqiptarët dhe karantina! Nga zënkat në çift, tek ankthi nga izolimi: Si të sillemi pa dëmtuar veten dhe të tjerët

Insajderi
18 April 2020 - 12:59
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Në periudha pandemie, si kjo që po kalojmë aktualisht, ku jeta e përditshme ka ndryshuar, ku njerëzit po përballen me frikën dhe stresin e lidhur me punën apo familjen, e rëndësishme është kujdesi dhe mbrojtja psikologjike.

Qëndrimi në shtëpi për më shumë se 5 javë tashmë, po shoqërohet me stres, ankth, trishtim dhe ndjenja të tjera që e ndryshojnë dinamikën e marrëdhënieve në shtëpinë tonë, deri në zënka me partnerin, apo mbyllje në vetvete.

“Iconstyle.al” ka kontaktuar me psikologen Lediona Braho për t’u njohur me disa këshilla për të kaluar të gjithë këtë situatë sa më lehtë, pa dëmtuar veten dhe të tjerët rreth nesh.

Nga shmangia e zënkave me partnerin duke ndarë peshën e punëve në shtëpi, tek përzgjedhja e aktiviteteve dhe ruajtja e kontakteve shoqërore për të menaxhuar ankthin e krijuar nga pandemia apo izolimi në shtëpi, më poshtë do të shihni disa këshilla me vlerë që do t’i hyjnë në punë kujtdo që e gjen veten në situata të vështira.

Intervista e plotë me psikologen Lediona Braho:

-Shqiptarët dhe karantina: Si e shikon këtë raport në aspektin psikologjik, tani që ka kaluar më shumë se 1 muaj që jemi të izoluar?

Gjatë kësaj periudhe të qëndrimit në shtëpi, kur ka kaluar më shumë se një muaj, kam vëzhguar reagimet e njerëzve dhe kam biseduar me qytetarë të ndryshëm. Nga këto vëzhgime dhe biseda kam kuptuar se në këto javë distancimi social, si mënyra e vetme për t’u mbrojtur nga infektimi me COVID-19, njerëzit kanë pasur reagime nga më të ndryshmet. E rëndësishme është të kuptojmë që këto reagime janë normale, të natyrshme. Në periudha pandemie, ku rreziku i infektimit është prezent, ku rutina e jetës së përditshme ka ndryshuar shumë, ku shumë njerëz përballen me frikën dhe stresin e lidhur me punën, papunësinë ose dhe dinamika familjare të caktuara – të gjitha këto, ndikojnë në mënyra të rëndësishme në psikën e njerëzve.

Përgjithësisht, njerëzit ndihen të frikësuar, në ankth, të trishtuar, nervozë, të zemëruar, të stresuar dhe të shqetësuar për veten dhe të tjerët. Nivelet e shqetësimit janë më të mëdha te grupet që quhen “më vulnerabël”, si të moshuarit, gratë shtatzëna, persona familjarë të të infektuarve, të infektuarit, personeli mjekësor dhe mbështetës dhe personat me probleme të mëparshme të shëndetit mendor. Pra, sa më i madh ekspozimi ndaj rrezikut të infektimit, aq më të forta reagimet emocionale dhe sjellore. Ndaj, kujdesi dhe mbështetja materiale dhe psikologjike duhet të jetë shumë më i madh për këta persona.

-Si mund ta menaxhojnë njerëzit ankthin dhe frikën që ka krijuar situata me pandeminë?

Ka shumë mënyra sesi njerëzit janë mobilizuar dhe mund të mobilizohen në vazhdimësi për ta përballuar më shëndetshëm ankthin dhe shqetësimet emocionale. Udhëzimet ndërkombëtare na tregojnë se janë disa praktika që duhen pasur parasysh dhe zbatuar sa më shumë të jetë e mundur. Disa nga këto udhëzime të përmbledhura janë:

Qëndroni në shtëpi sa më shumë të mundeni; pazarin dhe blerjet t’i bëjë një familjar që nuk futet në kategoritë më vulnerabël që përmenda më sipër; kujdesuni për higjienën dhe pastërtinë sipas udhëzimeve të autoriteteve; informohuni në burime të sigurta dhe përzgjidhini burimet e informacionit; zgjidhni dy momente kryesore gjatë ditës për të dëgjuar apo lexuar lajmet dhe shmangeni ekspozimin e tepërt ndaj medias; krijoni një rutinë ditore që përfshin punë shtëpie, punë nga shtëpia (për ata që janë në punë) dhe aktivitete që ju bëjnë të ndiheni mirë; ruani kontaktet sociale dhe lidhjet me të tjerët përmes komunikimeve virtuale. Këto janë pak a shumë gjërat që të gjithë mund të bëjmë për të qenë më të mbrojtur psikologjikisht gjatë kësaj periudhe.

-Çfarë aktivitetesh rekomandon për përballuar izolimin?

Për të përballuar më mirë ndjenjën e izolimit që mund të na kaplojë gjatë kësaj periudhe, rekomandohen aktivitete të ndryshme. Natyrisht, njerëzit kanë metodat e tyre të qetësimit dhe argëtimit, të gjithë jemi kreativë në mënyrat tona. Për shembull, disa preferojnë më shumë argëtimin përmes filmave, muzikës dhe lojërave, disa të tjerë preferojnë aktivitete më relaksuese si joga, meditimi, leximi, terapia; disa i kushtojnë më shumë energji shtëpisë, gatimit, pastrimit, etj. Pra, ka aktivitete të shumta që na japin kënaqësi, na bëjnë të ndihemi të qetë, të gëzuar, në kontakt me veten dhe të tjerët. Ndaj sugjerimi mund të ishte që të përpiqemi të shtojmë sa më shumë “përbërës” në rutinën tonë gjatë kësaj periudhe, duke kombinuar periudhat e qetësisë me ato të lojës dhe argëtimit. Fokusimi në të tashmen, përzgjedhja e aktiviteteve, pushimi dhe ngopja me gjumë, ruajtja e lidhjeve shoqërore dhe bisedat me miqtë, kujdesi për ushqimin – të gjitha janë shumë të rëndësishme.

-Ka shumë njerëz që kanë dikë të afërt ose në familje të infektuar me koronavorus! Çfarë këshille mund t’ju japim për të menaxhuar ankthin?

Natyrisht, këta persona janë më të ekspozuar ndaj rrezikut dhe ndjenjat e tyre mund të jenë edhe më të forta dhe negative krahasuar me njerëz të tjerë që mund të jenë po them, më të mbrojtur ndaj rrezikut (edhe pse askush nuk është imun).

Është e rëndësishme që ata të kujdesen për higjienën, për ushqimet që konsumojnë, të pushojnë, të kujdesen edhe familjarin e infektuar (nëse e kanë në shtëpi), duke bërë kujdes maksimal; të pranojnë ndjenjat e tyre duke mos e fajësuar veten, të flasin me të tjerët, të krijojnë një rutinë sado të thjeshtë që përfshin aktivitetet që listova më sipër dhe të fokusohen më shumë te e tashmja, te gjërat që kanë, te e përditshmja, duke gjetur mënyra për t’i shprehur emocionet dhe ndjenjat e vështira dhe duke mos i ushqyer frikërat dhe mendimet negative.

Mund të duket pak e vështirë, por ka gjithmonë mbështetje shtesë që ata mund të marrin, po ashtu edhe publiku i gjerë. Të gjithë njerëzit që ndiejnë se kanë nevojë për mbështetje psikologjike mund të shfrytëzojnë ndihmën pa pagesë që ofrohet nga psikologë të shumtë në të gjithë Shqipërinë.

-Si mund t’i shmangin zënkat/debatet çiftet që tani jetojnë bashkë 24 orë në karantinë?

Debatet në çift dhe zënkat mund të jenë të pranishme në shumë familje shqiptare këto ditë. Unë besoj se ato çifte me histori të mëparshme konfliktesh janë më të predispozuar të kenë konflikte më të shpeshta këtë periudhë. Kjo vjen për arsye se stresi i shtuar i bën marrëdhëniet në çift dhe marrëdhëniet brendafamiljare në përgjithësi më të tendosura.

Qëndrimi me orare të zgjatura në shtëpi mund të shtojë irritimin dhe zemërimin ndaj njëri-tjetrit, çështje të vjetra mund të aktivizohen, probleme të pazgjidhura mund të bëhen më të ashpra, ndaj do na duhet të bëjmë më shumë kujdes. Ndoshta sugjerimi kryesor që mund të ndihmojnë në pakësimin e zënkave dhe në krijimin e bashkëpunimit më të madh mes partnerësh do të ishte përfshirja në aktivitete të përbashkëta në shtëpi, duke ndihmuar njëri-tjetrin.

Për fat të keq, në shoqërinë tonë nuk është e pazakontë që punët e shtëpisë t’i bëjnë gratë dhe vajzat, por do të ishte një ndihmë shumë e madhe, për të dyja palët, nëse burrat dhe djemtë do të përfshiheshin më shumë në këtë aspekt. Kjo do t’i ndihmonte vetë ata për t’u ndjerë më të dobishëm, por edhe vajzat dhe gratë për t’u lehtësuar sadopak nga pesha e punëve të përditshme dhe për të pushuar edhe ato më tepër gjatë ditës. Nga ana tjetër, bashkëpunimi në shtëpi ndihmon edhe në përmirësimin e komunikimit në çift. Nëse ka konflikte më të mëdha që kanë nevojë për t’u konsultuar me të tjerë, sërish çiftet kanë mundësi të konsultohen me profesionistë, të cilët janë në dispozicion për të ndihmuar sa më shumë njerëz që kanë nevojë për mbështetje emocionale në këto ditë të pazakonta.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark