×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Shqiptarët në Siri krijojnë brendin e tyre | Armë, trajnime e luftëtarë, Insajderi sjell rrëfimin për ta

Insajderi
11 April 2022 - 16:16
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Të mbetur në një qytet të Sirisë që ende nuk kontrollohet nga forcat e regjimit të Bashar Al-Asadit, shqiptarët në Siri kanë krijuar brendin e tyre. Edhe armët i kanë të veçanta. Edhe trajnimet. Edhe ushtarët. Insajderi sjell detaje për këtë grup, brendin e tyre të ri të armëve dhe liderin e tyre që për më shumë se gjysmë dekade është në listën e zezë të  ShBA-ve për terroristët e kërkuar nëpër botë, por para disa ditësh publikoi një ligjëratë për luftën në Ukrainë

Visar Duriqi

Në një shqipe të rrjedhshme, por i mbuluar me maskë e kapelë ku i shihen vetëm sytë, një shqiptar që jeton në qytetin Idlib u shpjegon ‘vëllezërve’ të tij në xhihad se si ti përdorin e përshtatin armët e tyre.

Video është nxjerr në publik në fillim të prillit 2022. Pos në rrjetet sociale me qasje të lehtë nga publiku, grupi i shqiptarëve në Idlib shpërndajnë propagandën e tyre edhe nëpër rrjete sociale ku kërkohet anëtarësim në grup. Janë me qindra prej tyre pjesë e këtyre grupeve.

Të udhëhequr nga Abdul Jashari, një shqiptar nga Maqedonia e Veriut ( i lindur më 25 shtator 1976) grupi njihet si ‘Xhemati Alban’. Janë xhihadistët e fundit që haptazi vazhdojnë që të promovojnë betejën e tyre për ri-ngjalljen e Khalifatit Islam që e nisi organizata terroriste Shteti Islamik (ISIS).

‘Xhemati Alban’ është i lidhur Xhabhatu Al-Nusra, krahu tjetër i ndarë nga ISIS, që tashmë vazhdon të operoi si Tahrir al-Sham (HTS).

Po në prill të vitit 2022 Abdul Jashari ka nxjerr në publik një ligjëratë të tij, pas shumë kohës, ku ai flet për ndikimin që do të ketë lufta e Rusisë në Ukrainë. Siç shpjegon ai në mbi 40 minuta ligjëratë që e posedon Insajderi, ‘pa besimtarët të vriten mes vete është në favor të myslimanëve’.  Në prapavijë të kësaj ligjërate herë pas herë vërehen zëra të tjerë që e miratojnë çka do që ai thotë.

Për mbajtjen gjallë të brendit ‘Xhemati Alban’, InDoks dhe Insajderi kishin raportuar në dokumentarin “ISIS 2.0.- A po ringjallet Kalifati?”. Në këtë dokumentar për herë të parë ishin sjellë para publikut pamje të këtij grupi që vazhdonte të ishte aktiv dhe shumë operativ në territorin sirianë, me operacione ushtarake, trajnime ku nuk kurseheshin as fëmijët, dhe me propagandë që promovonte xhihadin.

O sollën para publikut pamje ekskluzive të aktiviteteve të tyre, nga ato të jetës së tyre të përditshme deri tek sulmet që organizonin.  Aty u soll para publikut edhe rrëfimi për Vladimir Jaksimoviq nga regjioni i Gjilanit ( i lindur në vitin 1975), një serb për të cilin dyshohet së është pjesë e strukturave të inteligjencës serbe, por që rekrutoi shqiptarë për nevojat e grupeve terroriste në Irak e Siri.

Kush është lideri i grupit ‘Xhemati Alban’ që kërkohet si terrorist nga ShBA-të?

‘Xhemati Alban’ për lider e ka shqiptarin nga Maqedonia e Veriut, Abdul Jashari i njohur edhe si Abu Katada Al-Albani.

Ai konsiderohet si një këshilltar i ngushtë i Abu Muhamed al-Julani, Komandanti i Përgjithshëm i grupit militant sirian Tahrir al-Sham.

Më 10 nëntor 2016, Departamenti i Thesarit të ShBA-së e përcaktoi Jasharin si terrorist dhe deklaroi se ai ndihmoi në mbledhjen e fondeve për familjet e luftëtarëve të Frontit Jabhat al-Nusrah.

Gjatë verës së 2015, Jashari drejtoi operacionet ushtarake të Frontit Jabhat al-Nusrah në veri të Sirisë. Ai ka mbajtur një qëndrim të rëndësishëm ushtarak brenda radhëve të xhihadistëve për më shumë vite, dhe vazhdon ta mbajë atë.

Edhe pse është i kërkuar nga ShBA-ja për më shumë se gjysmë dekade, ai vazhdon të jetë aktiv në Siri. Komunikimi i tij i fundit me publikun është ligjërata e tij për luftën në Ukrain që u bë publike në fillim të prillit 2022.

Brendi i ri armëve dhe trajnimeve- çka është ‘Alanian Tactical”?

“GJËRAT BAZIKE NË PËRGADITJEN E ARMËS”. Kështu është titulluar video e publikuar në fillim të prillit 2022 nëpër rrjete sociale të mbyllur vetëm për anëtarë të ngush të grupit “Xhemati Alban’. Insajderi e posedon të plotë këtë video.

Një person që flet shqip për 5 minuta aty në detaje tregon se si armët që blihen në treg të zi dhe jo vetëm, e që sigurohen nga grupi, modifikohen e përshtaten për nevojat e grupit.

Ai në detaje tregon edhe metodat që grupi përdor për ta bërë secilën armë më efikase dhe të personalizuar për përdoruesin e saj, si dhe me video jepen instruksione se si të përdorën ato që të jenë më efektive në vrasje njerëzish.

Kanë hapur edhe një grup të veçantë ku ndajnë përvoja, pamje e strategji të lidhura me armët. ‘Vëllezërit e taktikave”, është grupi që kanë hapur, ku edhe kanë zbuluar brendin e ri që kanë krijuar.

‘Albanian Tactical’ është brendi i ri që ka krijuar ‘Xhemati Alban’, një grup i xhihadit më shqiptarë nga pothuajse të gjitha trojet shqiptare, pa përjashtuar edhe shqiptarët nga Kosova që tashmë janë stacionuar në Idlib.

Ky brend i ri i ‘Xhematit Alban’ ka edhe logon e veçantë. Në të dominon një thikë dhe një trekëndësh.

“Albanian Tactical’ ka hapur edhe lokalin e tyre për shitje të pajisjeve ushtarake, në të cilin janë ekspozuar nga veshjet ushtarake, armët e ftohta, deri tek armët e zjarrit me të gjitha aksesorët e tyre.

Edhe pse ekspozojnë taktika, armë e lokacione se ku po ushtrojnë, grupi ‘Xhemati Alban’, dhe promovuesit e brendit të ri, ‘Albanian Tactical’ janë kujdesshëm që në videot e fotografitë e tyre gjithnjë të shfaqen me maskë dhe pjesën më të madhe të kohës edhe me doreza.

Republika e Kosovës për një periudhë do të mbetej në dhëmbëzoret e krizës globale me xhihadin. Llogaritej që të ishte vendi i parë në Evropë, krahasuar me numrin e banorëve, për numrin e qytetarëve që kishin përfunduar në llogoret e luftës në Irak e Siri. Fytyra atë kosovarëve do të bëheshin edhe fytyra të propagandës së ISIS.

Besohet se mbi 300 kosovarë i ishin bashkuar këtij konflikti, pjesë e mirë e tyre bash organizatës terroriste ISIS.

Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë, i njohur si ISIS-i, u deklarua edhe i mundur nga Amerika gjatë presidencës së Donald Trump, pasi që vranë liderin e kësaj organizate dhe disa nga figurat kyçe të saj. Por, elementë si ‘Xhemati Alban’ çdo ditë e më shumë ngrenë dilemën: A u deklarua para kohe shuarja e ISIS-it?

Që nga nisja e konfliktit në Irak e Siri, Kosova ka ndjekur penalisht e dënuar dhjetëra qytetarë. Mbi 100 prej të tyre, kryesisht gra e fëmijë, por pa përjashtuar këtu edhe burra, u pranuan për riatdhesim nga shtetit.

Pjesa më e madhe e atyre që janë dënuar për pjesëmarrje në organizata terroriste në konfliktin në Irak e Siri tashmë kanë përfunduar periudhën e tyre të dënimit, dhe vetëm pak prej tyre ende mbesin në burg.

Në publik nuk dihet se çka ka ndodhë me ata që e kryejnë dënimin. A ka program për ta që të risocializim. A mbikëqyret aktiviteti i tyre.

InDoks edhe në vitin 2020 pati raportuar ekskluzivisht për herë të parë edhe për pamje të një celulë të re e ndërlidhur me ISIS-in që udhëhiqej nga shqiptarët.

/Insajderi.org

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark