×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Shqiptarët popull evropian”, historianët kritikojnë ashpër akademikun Frashër Demaj

    Insajderi
    17 March 2023 - 19:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    E ardhmja e Kosovës dhe Shqipërisë e gjithë shqiptarëve është perëndimi, jemi  racë evropiane popull evropian, jemi  histori evropiane, jemi kontributor të civilizimit evropian, përveç disa shekujve që na kanë lidhur tragjikisht, s’kemi asnjë lidhje me Lindjen”, kjo deklaratë e akademikut, Frashër Demaj nuk u pëlqye nga njohësit e historisë, i njëjti u kritikua për papërgatitje në këtë fushë.

    Njohësit kritikuan qasjen e Demajt i cili tha se shqiptarët janë popull evropian dhe nuk kanë asnjë lidhje me Lindjen.

    I kontaktuar nga Gazeta Insajderi, studiuesi dhe përkthyesi, Col Mehmeti ka thënë se deklarata e akademikut Demaj ka dy probleme shqetësuese përtej saj.

    Sipas tij, Demaj ka pak bagazh si historian, është vetëm autor i disa librave dhe pa përkthime në gjuhën angleze. Së dyti, Mehmeti thotë se komuniteti i historianëve në Kosovë reflekton gjendjen katastrofike institucionet e dijes dhe në ato që quhen shkenca humane.

    “Përtej përmbajtjes së deklaratave në fjalë, unë i shoh këtu dy probleme larg më shqetësuese. Pikësëpari, personi në fjalë me bagazhin e paktë prej historiani (autor i disa teksteve shkollore dhe me zero publikime në gjuhën angleze), zor që përkon me thirrjen akademik korrespodent. Pikësëdyti, komuniteti i historianëve në Kosovë vetëm sa reflekton gjendjen katastrofike në institucionet e dijes dhe në ato që quhen shkenca humane. Prurjet e vetme që dalin janë shumë-shumë tema të përgjithshme, të konsumuara e jorelevante”, tha ai për Insajderin.

    Historiani Mehmeti tha se përcaktimi mbi orientimin politik, kulturor e gjeopolitik tek Perëndimi, nuk është vetëm i elitave politike. Ai tha për Insajderin se kjo është pranuar nga të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare.

    “Orientimi politik, kulturor e gjeopolitik i shqiptarëve është Perëndimi dhe kjo nuk është përcaktim thjesht elitash politike, por një preferencë e pranuar me plot vullnet nga të gjitha porcionet e shoqërisë shqiptare”, pohoi studiuesi.

    Se shqiptarët janë racë Evropiane, studiuesi tha se kjo nuk mund të qëndroj pasi ajo që kuptohet si “Evropë” ka ndryshuar, nuk ka qenë statike përherë.

    Ai sqaroi se në shekullin e 15-të, sensi i të qënit evropian kuptonte Italinë, Spanjën dhe Perandorinë e Shenjtë Romake që ishin në opozicion më atë Osmane.

    “Ajo që kuptohet sot si ‘Evropë’ nuk duhet të imagjinohet si gjendje statike dhe e përhershme. Kjo për arsye se vetë nocioni ‘Evropë’ ka ndryshuar gjatë gjithë kohës: në shekullin e 15-të, njëfarë sensi i të qenit ‘evropian’ nënkuptonte Italinë, Spanjën e Perandorinë e Shenjtë Romake që ishin në opozicion me Perandorinë Osmane; më vonë të ishe ‘evropian’ kishte kuptim edhe politik e ideologjik. Brenda, asaj që e kuptojmë si ‘Evropë’ ka pasur plot pole e qendra të ndryshme kulturore e vlerore. Në vend të insistimit në mitin reduksionist sikur shqiptarët kanë pasur relacion vetëm e vetëm me Evropën, një qasje më objektive do të vinte në spikamë faktin që historia e shqiptarëve në premodernitet ekziston brenda një kuadri shumë më gjerë mesdhetar e danubian”, tha për fund Mehmeti për Insajderin.

    “Paraqitja e akademikut ishte më shumë sikur  e një rapsodi”

    Edhe profesori i historisë dhe studjuesi, Azdren Shala ka kritikuar paraqitjen  e akademikut Demaj në Oxygen show.

    Shala tha se paraqitja e Demajt, është më shumë paraqitje e një rapsodi. Kjo pasi sipas tij, në deklaratën e akademikut u konsumua edhe racizmi dhe ksenofobia.

    Pretendimet e tij se shqiptarët janë racë evropiane, sipas studiuesit tregojnë amatorizëm.

    “Paraqitja e historianit Frashër Demaj gjatë një emisioni televiziv ku ai fliste për historinë e shqiptarëve, më shumë se paraqitje e një njeriu që e ka mision të vërtetën shkencore, ishte paraqitje e një rapsodi. Brenda atij kolazhi prej këngësh, që ai i thotë rrëfim mbi historinë, përveç të pavërtetave historike, aty u konsumua edhe racizmi e ksenofobia. Pretendimet e historianit Demaj, se ne jemi racë evropiane, tregojnë amatorizmin dhe ngarkesat e tij”, tha Shala për Insajderin.

    Shala potencoi se të flitet për shqiptarët në aspektin e racës biologjike dhe pretendimin për pastërtinë e saj ndër shekuj, tregon joseriozitetin e historianit.

    “Të flasësh për shqiptarët si racë biologjike duke ia bashkangjitur pretendimin e pastërtisë së saj ndër shekuj, pa asnjë ndikim ose përzierje me raca tjera, flet shumë për (jo)seriozitetin e këtij historiani. Mbi të gjitha, biologjia është krejtësisht element pa rëndësi dhe askund në asnjë vend serioz nuk është kriter shkencor që mund të ndihmojë në formulime në shkencat humane”, ka thënë ai për Insajderin.

    Mes tjerash, Shala tha se elementi tjetër i rëndësishëm është ngarkesa që e karakterizon akademikun. Sipas njohësit, ai ka ngulm t’i paraqesë shqiptarët si kulturë dhe civilizim evorpian. Por, ai thotë se është larg historisë kjo tendencë.

    Injorimi i 500 viteve sundim nga Perandoria Osmane dhe pretendimet që ajo periudhë kohore nuk la gjurmë brenda shqiptarëve, Shala thotë se është padije.

    Profesori Shala pohon se e vërteta e shqiptarëve është tjetër, ai thotë se shqiptarët janë edhe Lindje edhe Perëndim. Shton se kanë marrë dhe kanë dhënë nga Oksidenti dhe Orienti.

    “Përtej kësaj kakofonie nacionaliste të historianit Demaj, e vërteta e shqiptarëve është tjetër. Shqiptarët janë edhe Lindje edhe Perëndim. Kanë marrë dhe dhënë shumë si nga Oksidenti, ashtu dhe nga Orienti. Sot, agjenda e shqiptarëve është Evropa me të drejtë, por nuk është e drejtë që për shkak të agjendës të hiqen dorë dhe të mohohen vlerat që i kemi nga kultura orientale. Këtë askush nuk ua kërkon shqiptarëve, përveç atyre shqiptarëve dritëshkurtër dhe me komplekse që ia kërkojnë vetës. Kësaj i thonë të bëhesh me katolik se Papa”, tha Shala për Insajderin.

    “Narrativa e tij është komuniste”

    Kritika ndaj Demajt ka hedhur edhe studiuesi i politikës dhe njohësi i historisë, Adnan Ramadani.

    Ai tha për Insajderin se narrativa e Demajt është e njohur në publik, pasi është komuniste.

    Ramadani tha se kjo narrative është me burime të dobëta shkencore  e përcjellur nga konstruksionet shoqërore dhe literaturë e imponuar.

    “Akademiku” Frasher Demaj ne paraqitjen e tij ne emision Oxygen, shpërfaq një narrartive tashme te njohure edhe ne akademi po edhe ne opinion te njohur si narrartive komuniste mbi historinë dhe historiografinë shqiptare. Kjo narrative historike cilësohet me burime te dobëta shkencore e përcjellje shume nga konstruksionet shoqërore(Mitet), dhe ne te njëjtën kohe një literature e imponuar nga sistemi komunist”, tha ai për Insajderin.

    Sipas tij, kjo frymë po përmbyset falë autorëve të ndërkombëtarë si Noel Malcom, Oliver Schmit dhe Natalie Clayer.

    “Kjo narrative tashmë ka filluar të përmbyset falë autorëve të huaj si Noel Malcom, Oliver Schmit, Nathalie Clayer etj. Deklarimet e akademikut shpërfaqin edhe njëherë llumin dhe ngecjen e stafit akademik për të u perballë me kaluaren tonë historke në menyre objektive dhe shkencore”, tha për fund Ramadani./Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark