Mustafa Osmani me prejardhje nga Tetova ka lënë gjurmë të një punëtori të zellshëm e të pashembullt në historinë e një kompanie të madhe prodhuese në Zvicër. Ai ka punuar për 44 vite në të njëjtën kompani pa munguar as edhe një orë të vetme.
“Vetëm kur kam marrë pushim, kam munguar. Ndryshe, kurrë, asnjëherë, përplot 44 vite punë i kam pa munguar“, kujton ai të kaluarën e tij dhe vazhdon: “nuk jam ankuar asnjëherë. Nuk di çfarë është të kesh dhembje as sot që jam në pension“, rrëfen 65 vjeçari me banim në qytetin e Wilit.
Mustafa ka punuar si kryepunëtor i një sektori prodhues deri në fund të muajit janar të këtij viti. Ka bërë plot 36 vite punë në të njëjtën kompani të njohur prodhuese të zinxhirëve të motorëve për prerjen e drurit, të markës “Stihl”, shkruan Albinfo.ch.
Por, para kësaj ai kishte punuar për 8 vite, mes vitit 1972 deri më 1980 në një tjetër ndërmarrje. Pak ditë para pensionimit zyrtar, kompania prodhuese, Stihl, i kishte lëshuar Mustafës certifikatën e punës me vlerësimet më pozitive të mundshme për një punëtor.
Ata kanë vlerësuar lartë përgjegjësinë Mustafës që ka treguar ndaj vendit të punës dhe fleksibilitetin e gatishmërinë për të punuar me orare të ndryshme sa herë që është paraqitur nevoja.
“Veçanërisht duhet përmendur që z. Osmani përgjatë tërë stazhit të punës nuk ka pasur asnjë mungesa në punë. Ne e njohëm atë si njeri i gatshëm për të ndihmuar, i sinqertë e plotësisht i besueshëm e i hapur për bashkëpunim“, ka vlerësuar në superlativ punëdhënësi punëtorin që i kishte shërbyer mbi tri dekada. /Insajderi.com