Kompania “Matkos Pharm” Liman Buzuku në cilësinë e drejtorit u arrestua për dyshimet për falsifikim të dokumenteve, fiton tender rreth 100 mijë eurosh nga ShSKUK. Vetë ky institucion dy herë ka kërkuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit që kësaj kompanie t`i ndalohet pjesëmarrja në tenderet publike. Gazeta Insajderi, sjell detaje të kontratës së re dhe rastit të falsifikimit të dokumenteve për të cilin u arrestua Buzuku
Vetëm pesë muaj pasi që u arrestua drejtori i kompanisë “Matkos Pharm”, për dyshimet për falsifikim të dokumenteve në tendere, kjo kompani mori tender të ri nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik i Kosovës.
Në muajin tetor të vitit të kaluar, policia pati arrestuar Liman Buzuku, i cili në këtë kompani mbanë pozitën e drejtorit, nën dyshimin se ka përdorur dokumente të falsifikuara, në një tender të komunës së Drenasit.
Por pavarësisht kësaj, në muajin mars të këtij viti e njëjta kompani, fitoi tender të ri nga ShSKUK-ja.
Gazeta Insajderi, ka siguruar kontratën e lidhur mes “Matkos Pharm” dhe Shërbimit Spitalor të Kosovës, vlera e të cilës arrinë 97 mijë e 500 euro.
Sipas kësaj kontrate që mbanë titullin “Furnizim me barna nga lista esenciale për nevojat e SHSKUK-së”, kompania duhej që brenda 24 muajve ta furnizonte ShSKUK-në me barna.
Vet ky inistucion publik kishte kërkuar që kompania “Matkos Pharm”, të eleminohej nga tenderët publik.
Në një përgjigje për Gazetën Insajderi, drejtori i prokurimit në ShSKUK, Selami Krasniqi ka deklaruar se kanë kërkuar dy herë që kjo kompani të futet në listën e zezë.
“Autoriti kontraktues i SHSKUK-së, ka bërë kërkesë në OSHP dy herë për ta futur këtë Operator Ekonomik në listë të zezë. Mirëpo ende nuk janë shqyrtuar këto kërkesa pasi që nuk është konstituar bordi i OSHP-së”, thuhet në përgjigjen e Krasniqit për Insajderin.
Pavarësisht kësaj, kompani “Matkos Pharm”, u shpërblye me tender, duke fituar rreth 100 mijë euro të taksapaguesve kosovarë. Në ShSKUK thonë se nuk kishin mund ta eleminojnë atë nga gara.
“Pa pas një vendim të formës së prerë nga institucionet kompetente autoritetet kontraktuese nuk kanë të drejtë të diskualifikojnë OE nga konkurrenca”.
“Për këtë operator ekonomik ende nuk kemi një vendim të formës së prerë nga institucionet përkatës, në bazë të cilit ky OE nuk do të mund të merrte pjesë në një tender duke pas parasyshë nenin 65 të LPP-së”, tha Krasniqi.
Gazeta po ashtu ka kërkuar nga ShSKUK të dijë se cilat kritere i kishte plotësuar kjo kompani ecila edhe përkundër që nga vet ky institucion ishte denoncuar në OSHP, prap kishte fituar tenderin, por nuk ka marrë përgjigje.
Në ShSKUK nuk kanë treguar as nëse e njëjta kompani ka zbatuar kontratën e lidhur në muajin mars me të.
Arrestimi dhe falsifikimi i dokumenteve
Gazeta Insajderi, ka raportuar me 25 tetor të vitit të kaluar se Liman Buzuku, ishte kapur në një aksion të Policisë së Kosovës, pasi që ekzistonte dyshimi se kanë falsifikuar dokumentet dhe se të njëjtat i kanë dorëzuar gjatë pjesëmarrjes në tenderin e 5 majit në Komunën e Drenasit.
Biznismeni Liman Buzuku, dyshohet se ka falsifikuar referencën për kompaninë, “Matkos Pharm SH.P.K” të lëshuar kinse nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Suharekë, për një kontratë në vlerë 56 mijë euro.
Buzuku kishte nënshkruar edhe deklaratën nën betim përmes së cilës “dëshmonte” se është i gatshëm të marrë përsipër “se e pranon mundësinë e sanksioneve penale dhe civile, gjobave dhe dënimeve”.
Dokumenti që dyshohet se është falsifikuar nga “Matkos pharm” e se gjoja së është lëshuar nga QKMF Suharekë mbanë datën 19 gusht 2020.
Por, disa muaj pas Qendra Kryesore e Mjekësis Familjare në Suharekë, e kishte konfirmuar se dokumenti i paraqitur nga Buzuku nuk ishte protokoluar nga Zyra Juridike e këtij institucioni.
I njëjti dokument që ishte dorëzuar nga “Matkos Pharm” në tenderin e Komunës së Drenasit nuk mban as stemën dhe nuk figuron si dokument zyrtar i lëshuar nga QKMF – Suharekë. /Gazeta Insajderi