BQK-ja si mbikëqyrëse e Byrosë së Sigurimeve në një raport konfidencial që ka siguruar Gazeta Insajderi ka ngritur dyshime për paratë që për policat kufitare që janë marrë me para të gatshme. “Byroja nuk posedon policen e sigurimit të parasë së gatshme nga vjedhja”, alarmon ky mekanizëm i shtetit.
Visar Duriqi
74 % të policave kufitare që ka shitur Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) në një kohë të ekzaminimit nga shteti- në këtë rast Banka Qendrore e Kosovës (BQK) del që janë bërë me para në dorë- cash.
Kjo e ka alarmuar këtë mekanizëm shtetërore. “Byroja nuk posedon policen e sigurimit të parasë së gatshme nga vjedhja”, thuhet në raportin konfidencial të ekzaminimit të BKS-së, një kopje të të cilit e ka Gazeta Insajderi.
Dhe, krejt ky veprim ishte bërë me ndryshime të brendshme të bazës ligjore që ishin bërë, sipas BQK-së, në kundërshtim me rregulloret e kësaj të fundit.
Në këtë kohë Byroja po drejtohej nga Sami Mazreku, tash i penalizuar nga BQK-ja ku ai për së paku pesë vite nuk mund të punoi në industrinë e sigurimeve.
LEXO: BQK ndëshkon Sami Mazrekun- Gjysmë dekade jashtë industrisë së sigurimeve
“Gjatë vitit 2022, Byroja ka bërë ndryshim/plotësimin e Rregullores për shitjen e policave të sigurimit të detyrueshëm kufitar të auto-përgjegjësisë dhe kthimit të primit. Rregullorja përkatëse përcakton që koordinatorët e pikave kufitare mjetet monetare nga shitja e policave kufitare t’i deponojë në llogarinë e Byrosë në afatin sa më të shkurtër kohor, duke mos qenë në përputhje me Udhëzimin Nr.02/20141 të BQK-së”, thuhet në këtë raport konfidencial që e ka siguruar Insajderi.
Dhe, duke qenë që rregullorja i del shtetit që është në kundërshtim me bazën ligjore të BQK-së, kjo e fundit kishte vendosur që të bënte testime.
Pas testimeve BQK-ja ishte alarmuar nga ajo cka gjeti.
“Nga shqyrtimi i 39 mostrave përkatëse është evidentuar se 29 mostra apo 74% të shitjes së policave të sigurimit kufitar pagesa e primit është realizuar me para të gatshme”, thuhet në këtë raport konfidencial, raporton Gazeta Insajderi
Po ashtu, nga mostrat përkatëse “është identifikuar se deponimi i parasë së gatshme të grumbulluara gjatë ditës nga shitja e policave të sigurimit kufitar në llogaritë bankare të Byrosë nga koordinatorët nuk është bërë në fund të ditës dhe është përcjellë me vonesa nga 1 deri në 5 ditë”, thuhet në raport dhe konstatohet se ky është veprim i cili nuk është në pajtim me Udhëzimin me numër 02/2014 të BQK-së.
“Kjo çështje është adresuar edhe në raportin e fundit të plotë të BQK-së”, konstaton raporti i ri konfidencial, por që duket se nuk u mor parasysh.
Pse sipas BQK-së marrja e parave në dorë për policat në kufi, në masën 74 %, dhe vonesa e deponimit të këtyre parave cash është me rrezik?
“Praktika e tillë e deponimit të parasë së gatshme nga koordinatorët në banka komerciale, reflekton mungesë të kontrolleve të brendshme adekuate dhe ekspozon Byronë ndaj humbjeve financiare”, thuhet në raport.
Sipas këtij mekanizmi shtetëror, “Byroja nuk posedon policen e sigurimit të parasë së gatshme nga vjedhja apo marrëveshje me kompani siguruese ose transportuese për transportimin e mjeteve monetare nga pikat kufitare deri në banka komerciale, me ç ‘rast ekspozohet ndaj humbjeve potenciale financiare dhe ekspozon Byronë në rrezik operacional”, konstatohet në raportin konfidencial që e ka siguruar Gazeta Insajderi.
Gazeta Insajderi përgjatë javëve të fundit ka publikuar një sërë raportimesh për parregullsitë dhe aferat që BQK-ja identifikoi në Byronë e Sigurimeve, e ku pos ndëshkimit të ish-Drejtorit Sami Mazrekaj me përjashtim nga industria për pesë vite, ka marrë masa të qitjes së para përjashtimit- me kërcënimin se mund ta kenë fatin e Mazrekut edhe disa drejtues me rëndësi të industrisë në fjalë nga kompanitë e fuqishme në treg.
Lexo edhe këto raportime të Insajderit: