Qeveria nis festimet me muzikë klasike, opozita orkestron përmbysjen e saj - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria nis festimet me muzikë klasike, opozita orkestron përmbysjen e saj

    Insajderi
    17 February 2016 - 01:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Policia po përfundonte vendosjen e rrethojave në tri sheshet ngjitas në kryeqytet, kur presidentja e vendit, kryeministri e i gjithë spektri ndërkombëtar, po dëgjonin veprën “Unë, Biri Yt Kosovë” në interpretim të sopranos Besa Llugiqi dhe Orkestrës Simfonike te Filarmonisë së Kosovës nën drejtimin e dirigjentit Baki Jasha.

    Udhëheqësia e lartë shtetërore me të ftuarit e saj, nisi në këtë mënyrë festimet zyrtare për 8 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ceremonia e mbajtur në sallën e një hoteli në Prishtinë, u refuzua me pjesëmarrje nga tri partitë opozitare të cilat nga selitë e tyre kanë transmetuar mesazhin se me 17 shkurt do të fillojë përmbytja e këtij pushteti.

    Kjo, pak a shumë është gjendja një natë para Ditës së Pavarësisë, të cilën pozita ka vendosur ta festojë me një program të ngjashëm me vitet tjera (përfshirë ekspozitat dhe koncertet rutinë nëpër institucionet shtetërore të artit), teksa opozita ka thirrur protestë gjithëpopullore pasi, sipas tyre, qytetarët e Kosovës nuk kanë arsye pse të festojnë.

    Lufta mes këtyre dy kauzave shkoi aq larg, me sharje e fyerje për dekorimin e shesheve ku do të protestohet/festohet, e deri te grindja me akuzime për zëvëndësimin e një posteri të Ibrahim Rugovës.

    Por përderisa opozita po kryen përgaditjet e fundit për protestën e nesërme që fillon në orën 14:00, udhëheqsia e shtetit u tregua më e hershme duke nisur festimet zyrtare për shtetësinë e vendit, qysh me 16 shkurt.

    Të ftuar nga presidentja Atifete Jahjaga, e cila sipas opozitës mban anën e pozitës, pushtetarët pa opozitën dëgjuan koncert nga Orkestra Simfonike e Filarmonisë së Kosovës, por para kësaj, dëgjuan edhe fjalimin e kryeministrit Isa Mustafa, i cili tha se “i njeh ngecjet dhe dështimet e këtyre 8 viteve” por pa i përmendur ato dhe pa treguar se kush është përgjegjës për to.

    Para kryeministrit, presidentja u tha të pranishmëve, përfshirë edhe përfaqësueve të misioneve ndërkombëtre në Kosovë, se Kosova nuk është pronë e asnjë partie apo lideri politik.

    Jahjaga tha se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë llogaridhënie duke i dhënë fund, sic ajo e tha në mënyrë specifike “degradimit moral dhe korrupsionit” në Kosovë.

    Në sallë kanë qenë shumica e akterëve të përfshirë në procesin 8 vjecar të shtetësisë së Kosovës, përpos anëtarëve që tash janë në opozitë, me liderët Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj dhe Visar Ymeri.

    Të tre liderët opozitarë, dy prej të cilëve në periudha të ndryshme gjatë këtyre tetë viteve kanë qenë pjesë vendimmarrëse në proceset e shtetbërjes së Kosovës, e kanë cilësuar si të parsyeshëm vendimin e Qeverisë për të festuar, sepse sipas tyre, po e njëjta Qeveri meriton të largohet pasi janë fajtorët kryesor të “degradimit moral dhe korrupsionit”.

    Madje lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dërguar mesazh për pushtetin, se me 17 shkurt nëpërmjet protestës “Republika do t’i kthehet qytetarit”.

    “Nuk frikohet arusha me shoshë”, tha Haradinaj disa ora para protestës, duke reaguar ndaj deklaratave të Hashim Thaçit, i cili pandërprerë kishte akuzuar opozitën që po vendos dhunë dhe anarki në Kosovë.

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark