Në Ditën Ndërkombëtare kundër Duhanit, e cila u shënua edhe në Kosovë, u tha se Kosova duhet bërë më shumë për të parandaluar pirjen e duhanit, sidomos në ambiente publike.
Ibrahim Tërshnjaku, shefi i inspektoratit Sanitar të Kosovës, ka thënë se në Kosovë është shtuar numri i atyre që pijnë duhan në ambiente publike, përkundër hyrjes në fuqi të ligjit që ndalon një gjë të tillë.
Për më tepër, ai ka kritikuar inspektoratet e tjera, për siç ka thënë ai, moskoordinimit për ndaluar pirjen e duhanit në vende publike.
“Inspektoratet e tjera duhet të jem shumë korrekt ndoshta edhe kritik ndaj tyre por nuk e kanë treguar aktivitetin siç është inspektorati sanitar”, ka thënë Tërshnjaku.
Ligji që ndalon pirjen e duhanit në ambiente publike ka hyrë në fuqi në maj të vitit 2013, por që nga ajo kohë, jo rrallë është raportuar për shkelje të këtij ligji thuajse në të gjitha qytetet e Kosovës.
Por, Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka thënë se rastet e tilla nuk duhet shihen si dekurajim sepse sipas tij, zbatimi i këtij ligji merr kohë.
“Nuk duhet të jemi të dekurajuar nga këto fakte sepse zbatimi i ligjit kundër duhanit nuk është i lehtë askund dhe nuk do të jetë i lehtë as tek ne”, ka thënë Rrahmani.
Edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka thënë se ligji kundër duhanit po shënon ngecje në zbatim.
“Në kohët e fundit po shënon ngecje në zbatimin e tij dhe kjo ndodh në radhë të parë për shkak të mungesës së përkushtimit dhe vetëdijes institucionale”, ka thënë Agani.
Sot janë organizuar disa aktivitete për të shënuar Ditën Ndërkombëtare kundër Duhanit në Kosovë.
Miliona njerëz vdesin në botë si pasojë e konsumimit të duhanit ndërkaq vetëm 8% e popullsisë botërore jetojnë në vendet me taksa të larta të duhanit./Insajderi.com