×
  • Lajme
  • Lajme

    Shtrenjëtimi i çmimit të energjisë elektrike “përplas” presidencën me kryeministrinë

    Insajderi
    07 March 2023 - 18:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zyra e presidentes, Vjosa Osmani i ka rekomanduar Zyrës së Rregullatorit për Energji që tarifat e energjisë të mos ndryshohen dhe që kostot shtesë të operatorëve të mbulohen përmes pakos 75 milionëshe të BE-së, derisa nga ekzekutivi kanë sugjeruar që tarifat për amvisërinë të mbeten të pandryshuara, e të përshtaten ato për bizneset, sidomos ato të mëdha.

    Në arsyetimin e Presidencës thuhet se për shkak të normës së lartë të inflacionit tarifat duhet të mbulohen përmes subvencionimit.

    “Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin për ndikimin eventual socio-ekonomik të një vendimi të tillë dhe për barrën që një vendim i tillë do t’i shkaktonte qytetarëve e në veçanti grupeve më të cenueshme të shoqërisë, si pensionistët, nënat vetushqyese, mbajtësit e skemave sociale dhe njerëzit dhe familjet e margjinalizuara”, thuhet mes tjerash në rekomandimin e Presidencës.

    Komente ka dorëzuar edhe Zyra e Kryeministrit, në të cilat sugjerohet që tarifat për amvisërinë të mbeten të pandryshuara dhe që mbulimi i hendekut të bëhet duke përshtatur tarifat për bizneset, sidomos ato të mëdha.

    “Mbulimi i hendekut për HLM për 2023 të bëhet kryesisht nga bizneset: Në shqyrtimin e ndodhur vitin e kaluar, përkundër propozimeve nga MFPT por edhe nga palë tjera siç është Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, ZRRE la të pandryshuara tarifat për bizneset, duke ndryshuar vetëm tarifat për amvisëritë me shtimin e bllokut të ri tarifor për konsumin mbi 800 kWh. Nisur nga kjo situatë, për vitin 2023, sugjerojmë që tarifat për amvisëritë do të mbeten të pandryshuara, ndërsa mbulimi i hendekut të bëhet (në masë të madhe) duke përshtatur tarifat për bizneset, dhe sidomos bizneset e mëdha. Një përshtatje e tillë për bizneset e mëdha mund të shihet edhe në kontekstin e hapjes së tregut, ku tarifat e rregulluara do duhej që gradualisht të konvergjonin me tarifat që aktualisht janë në treg të hapur”, thuhet në komentet e dërguara nga Zyra e Kryeministrit.

    Ndryshe, tarifat që aktualisht janë në fuqi ishin miratuar më 8 shkurt të vitit të kaluar.

    Me këto tarifa, shtrenjtim të faturave kanë pasur ata që shpenzojnë mbi 800 kilovat për orë brenda muajit.

    Konsumatorët e tarifës mbi 800 kilovat për orë kanë tarifën e lartë prej 12.5 cent për kilovat dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.

    Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj, tarifa e lartë është 7 centë, ndërsa ajo e ulët, 3 centë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark