Gërmimet që ishin paraparë të fillonin sot në Kishevak në Serbi janë shtyrë edhe për një javë.
Sipas Kushtrim Garës, koordinator i Komisionit Qeveritarë për Persona të Zhdukur, shtyrja e gërmimeve ka ndodhur për shkak të kushteve klimatike.
Megjithatë, sipas tij është caktuar një takim për 25 mars për të biseduar me palën serbe për çështjen e të zhdukurve me një delegacion nga Kosova që do të udhëhiqet nga Ibrahim Makolli, njofton Radio Kosova.
Kryetari i Komisionit qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, kishte paralajmëruar se me 31 mars do të përpilohet lista e re e lokacioneve ku do të bëhen gërmime për të zhdukurit.
Gjetaj ka thënë se në hartën e gërmimeve prioritet do të jetë regjioni i Novi Pazarit.
Ndërkohë gërmimet në Kishevak ishin ndërprerë në dhjetor të vitit të kaluar./Insajderi.com