Insajderi
Lajme

Shukri Buja për protestuesin: Serbia e goditi me plumba, por nuk e rrëzoi – sot e rrëzoi dora e policit

Insajderi
06 October 2026 - 11:50
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Shukri Buja për protestuesin: Serbia e goditi me plumba, por nuk e rrëzoi – sot e rrëzoi dora e policit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja, ka reaguar lidhur me protestën e djeshme në Prishtinë, ku në disa pamje shihen pjesëtarë të Policisë së Kosovës duke ndërhyrë ndaj një protestuesi.

Buja ka thënë se protestuesi është Gazmend Bytyqi, të cilin e ka identifikuar si veteran të UÇK-së dhe ish-pjesëtar të Njësisë Speciale në Zonën Operative të Nerodimes.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Buja ka kritikuar ndërhyrjen e policisë, duke e lidhur atë me sakrificën e veteranëve të luftës.

“Serbia e goditi me plumba, por nuk e rrëzoi. Përballoi dhimbjen, plagët dhe tmerrin e luftës, sepse e dinte për çfarë po luftonte. Por sot… e rrëzoi dora e një polici të shtetit për të cilin ai dhe shokët e tij derdhën gjak”, ka shkruar Buja.

Ai ka thënë se, sipas tij, ndërhyrja ndaj Bytyqit nuk është vetëm goditje ndaj një veterani.

“Ajo dorë nuk goditi vetëm një veteran. Goditi plagët tua. Goditi sakrificën tënde. Goditi lirinë që e fituat me gjak”, ka shkruar Buja.

Buja ka shprehur solidaritet me Bytyqin, duke e cilësuar atë “emblemë të lirisë”.

“Më dhemb për ty, bashkëluftëtari im. Më dhemb edhe më shumë kur shoh se si trajtohet liria për të cilën luftuam”, ka shkruar ai.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark