Si arriti Jimmy Carter ta nxjerrte një armëpushim dimëror nga Karaxhiqi në Bosnje? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Si arriti Jimmy Carter ta nxjerrte një armëpushim dimëror nga Karaxhiqi në Bosnje?

    Insajderi
    09 January 2025 - 14:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në dimrin e vitit 1994, ish-presidenti i SHBA Jimmy Carter, i cili vdiq në fund të dhjetorit, udhëtoi për në Bosnje me një iniciativë personale për të ndalur luftimet. Ai siguroi ‘armëpushimin e Krishtlindjeve’ – por takimi i tij me Radovan Karaxhiq shkaktoi polemika të mëdha.

    Siç raporton BIRN-i, 30 vite më parë, Jimmy Carter, i cili vdiq më 29 dhjetor, udhëtoi për në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë kohës që njihej si dimri i tretë i luftës. Ai e bëri vizitën në cilësinë personale, pasi ishte larguar nga Shtëpia e Bardhë në vitin 1981.

    LEXO EDHE:

    Lufta në Bosnje, e cila filloi në vitin 1992, ishte ndezur për dy vite e gjysmë në kohën kur Carter ishte i përfshirë. Deri atëherë, forcat serbe të Bosnjës kontrollonin pjesë të mëdha të territorit.

    Planet e paqes në 1992 dhe 1993 i lanë vendin planit më të rëndësishëm deri më sot – planit të paqes të Grupit të Kontaktit të qershorit të 1994-ës. I përbërë nga SHBA, Britania e Madhe, Rusia, Gjermania dhe Franca, Grupi i Kontaktit u formua në prill të 1994-ës si një platformë për të koordinuar politikën e tyre për Bosnjën.

    Harta e zbuluar në fillim të korrikut 1994 parashikonte një raport territorial dhe administrativ të territorit boshnjak në një Federatë Boshnjako-Kroate 51 për qind dhe për serbët e Bosnjës 49 për qind. Sarajeva e pranoi propozimin por forcat serbe të Bosnjës tashmë kontrollonin mbi 70 për qind të territorit boshnjak dhe pranimi i planit nënkuptonte heqjen dorë nga më shumë se 20 për qind e asaj që zotëronin në atë kohë.

    Udhëheqja serbe e Bosnjës, me qendër në qytetin Pale, vazhdoi të refuzonte Grupin e Kontaktit dhe këmbënguli që plani të ishte vetëm “bazë” për bisedimet e ardhshme.

    Presidenti Carter tregoi në librin e tij të kujtimeve të vitit 2007 ‘Përtej Shtëpisë së Bardhë: Udhëtimi i Paqes, Luftimi i Sëmundjeve, Ndërtimi i Shpresës‘ se ai u përfshi në Bosnje në qershor 1994.

    Chris Spiro, politikan në New Hampshire të SHBA, shoqëroi ambasadorin serb Milan Milutinoviç për të vizituar Carterin dhe për të përcjellë një mesazh nga Slobodan Millosheviq. Mesazhi ishte se Millosheviqi ishte i gatshëm të arrinte një zgjidhje politike. Millosheviqi donte që Carter të vizitonte Serbinë. Kjo nuk ndodhi, por serbët e Bosnjës të udhëhequr nga Radovan Karaxhiq bënë iniciativën e tyre drejt Carter, dhe ai u nis për në Bosnjë.

    Para udhëtimit të tij, Carter telefonoi atëbotë Presidentin Bill Clinton për ta informuar atë. Carter shkroi në kujtimet e tij të vitit 2007 se “Clinton ishte i kënaqur, por disi skeptik. Ishte e qartë për mua se zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë po tregoheshin të kujdesshëm që të distancoheshin nga përfshirja ime”. Në autobiografinë e tij pasuese të vitit 2015, ‘A Full Life: Reflections at Ninety‘, Carter shkroi se përpara misionit të tij ai mori miratimin e Clinton dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Boutros Boutros-Ghali.

    Carter, gruaja e tij Rosalyn dhe ndihmësit mbërritën në Sarajevë më 18 dhjetor të 1994-ës. Në kryeqytetin e rrethuar, Carter u takua me Presidentin boshnjak Alija Izetbegoviq. Izetbegoviq dhe këshilltarët e tij ishin dukshëm shumë të shqetësuar nga gatishmëria e Carter për të takuar Karaxhiqin.

    Ata e panë vizitën si një përpjekje nga ana e udhëheqësit serb të Bosnjës për të përdorur Carterin si një mjet propagande dhe e deklaruan këtë publikisht. Sipas Douglas Brinkley në librin e tij të vitit 1998 ‘Presidenca e Papërfunduar: Udhëtimi i Jimmy Carter përtej Shtëpisë së Bardhë‘, një ekspert i Bosnjës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare – Alexander R. Vershbow – i tha Carterit se Karaxhiq po e përdorte atë.

    Ngjahsëm, një studiues amerikan i historisë së Bosnjës, Robert Donia, shkroi në librin e tij të vitit 2015 ‘Radovan Karaxhiq: Arkitekti i gjenocidit boshnjak‘ se udhëtimi ishte “përpjekje për të joshur ish-presidentin në miratimin e qëllimeve të luftës serbe të Bosnjës”.

    Të nesërmen, Carter dhe delegacioni i tij shkuan me veturë në Pale. Atje Carter u takua me udhëheqjen e Pale-s, përfshirë këtu edhe Karaxhiqin dhe shefin ushtarak serb të Bosnjës, Ratko Mlladiq. I pranishëm ishte gjithashtu Borko Gjorgjeviq, kirurg plastik serbo-amerikan, i cili ishte emisar i Karaxhiqit.

    Negociatat për armëpushimin pasuan me Carter dhe ekipin e tij që u kthyen në Sarajevë dhe më pas u kthyen përsëri në Pale përpara se të ktheheshin në Sarajevë dhe të ktheheshin në Amerikë në fund të kësaj vizite. Pas kthimit në bisedime, pati konfuzion se çfarë saktësisht ishte rënë dakord. Në fund, rezultati ishte një armëpushim katër mujor i Krishtlindjeve i vitit 1994, i cili zgjati deri në pranverën e hershme të vitit të ardhshëm.

    Mediat ndërkombëtare në atë kohë mbuluan udhëtimin e Carter-it, por ky aspekt i diplomacisë së ish-presidentit ishte harruar. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark