Sot janë arrestuar dy zyrtarë të Komunës së Suharekës pasi dyshohet se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”. Enver Shabani drejtor i Shërbimeve në Suharekë dhe Berat Kabashi zyrtar ne drejtorin e shërbimeve publike/menaxher i kontratës ranë në pranga pas raportimit të Gazetës Insajderi.
Shabani dhe Kabashi dyshohet se kanë përfituar nga detyra e tyre duke shkelur ligjin e Prokurimit Publik. Prokuroria Themelore në Prizren, Prokurori i Shtetit Petrit Kryeziu ka nisur hetimet lidhur me këtë rast që qoi në arrestimin e dy zyrtarëve.
“Të pandehurit: Berat Kabashi dhe Enver Shabani prej datës 18.05.2022 deri ma datë 12.12.2022 në Suharekë duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë dhe atë Berat Kabashi në cilësinë e menaxherit dhe Enver Shabani në cilësinë e mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë duke shfrytëzuar detyrën nuk i përmbushin detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojnë çfardo dobie për vete dhe personat e tjerë“, thuhet në dokumentin të cilin e ka parë Insajderi.
Sipas Prokurorisë ata dyshohet se me këto veprime i kanë mundësuar dobi pasurore personit tjetër dhe i shkaktuan dëm buxhetit të Komunës së Suharekës.
Gazeta Insajderi kishte raportuar në prill se ishte hapur tenderi për ndërtimin e disa rrugëve në fshatin Mushtisht, ani pse për të njëjtat rrugë ishte lidhur kontrata në vlerë prej 72 mijë eurove vitin e kaluar.
Bëhet fjalë për ndërtimin e rrugëve: Rexhep Velia, Molika , Shaljanët, Tafa, Ilaz Shala, Gentiana, Haxhi Shania, Avdyl Aga, Jetush Shala dhe Kovaqi.
Saktësisht me datën 17 maj 2022, Komuna e Suharekës kishte nënshkruar kontratë në vlerë prej 72 mijë e 213 eurove për ndërtimin e rrugëve të përmendura më sipër.