13:12 - 12 Nëntor 2020

Dhe sot jemi të gjithë të fajësuar, të poshtëruar dhe të përbuzur, së bashku me UÇK-në. Jacque Ellul thotë: Kombet që nuk kanë themeluar institucionin e propagandës, janë destinuar të zhduken. Shqiptarët i kanë hip trenit drejt greminës

Shaqir ISLAMI

Mosdija ka qenë armiku kyç i njerëzimit. Mosdija na bën ne që të bëhemi armik i vetes. Mosdijen e shndërruam në armë kundër nesh. Dhe sot, në shekullin 21 shqiptarët janë viktimë e mosdijes së vet. Kjo duhet të studiohet, të hetohet, të analizohet, të shpjegohet në imtësira; se si me mosdijen tonë, të gjithë së bashku e sollëm UÇK-në nëmurin e turpit.

Tashti, të gjithë jemi të zënë në befasi! Të habitur shumëkush; ca të zemëruar;tjerët të fyer; dikush i gëzuar;të gjithë bashkë të poshtëruar dhe të përbuzur. Ndonëse procesi i luftës së informacionit ndodhte para syve dhe veshëve tanë. Dhe, më e keqja,kryesisht informacioni i helmosur buron nga ‘gojët tanë’. Të gjithë së bashku, gazetarë, politikanë, akademikë, ushtarë e komandantë e thurëm bashkërisht këtë grackë për ta njollos UÇK-në dhe akuzuar atë si organizatë kriminale.

Të gjithë ishim aktorë në këtë dramë-zie; dikush me dije, dikush pa dije. Dikush me qëllim; dikush paqëllim! Por, të gjithë bashkë-fajtorë. Të gjithë bashkë e mbrujtëm brumin e tradhtisë ndaj vlerave më fisnike të mbrojtjes së atdheut, siç është një Ushtri Çlirimtare. E njollosëm UÇK-në me akuza të rremë, me dyshime të kota, me shpifje e me zili dhe me lakmi e xhelozi, me motive laramane nga më të ndryshmet. Së pari na e shartuan krimbin e dyshimit mes nesh; dhe e mbollën farën e përçarjes dhe mosbesimit ndaj njëri tjetrit dhe ndaj institucioneve të shtetit. Duke e futur pykën e dyshimit mes nesh dhe historisë sonë, shkaktuan plasaritje dhe plagë të pashërueshme në indin tonë kombëtarë. Narrative të ndryshme vërshuan sferën publike, duke shkaktuar mjegullnajë mes identitetit kombëtarë dhe atij fetarë. Kështu na e krijuan ‘disonancën kognitive’. Identiteti fetar na e bren dhe gërryen, ditë-për-ditë identitetin kombëtarë.

Pamëshirshëm dhe me mjeshtëri u sulmua përmes informacionit – në mënyrë të orkestruar si një simfoni – çdo vlerë, çdo simbol, çdo traditë, çdo besim i jonë. Mosbesimi pushtoi mendjet dhe zemrat tona. Me mjeshtri u ndërtua narrativi brejtës i besimit ndaj UÇK-së dhe komandantëve të saj. Tashmë dy dhjetëvjeçarë, në mënyrë sistematike, ditë-për-ditë dhe pak-nga-pak u thur në mënyrë tinëzare narrativi rrënues i kohezionit shoqëror, dhe e cili tmerrësisht e polarizoi shoqërinë. E ndau në dy pjesë: tradhtarë dhe patriotë. Një garë e vrazhdë e imponuar nga jashtë, e përçuar përmes mediave tona elektronike dhe të shtypit; dhe thashethemnajave në mediat dhe platformat sociale. Krijimi i kuvendimeve dhe debateve sociale përmes troll-fermave dhe provajderëve për manipulime sociale, është beteja e përditshme në jetën tonë shoqërore, politike dhe ekonomike.

Animoziteti, mosbesimi dhe urrejtja është përditshmëria e secilit nga ne. Këto janë tipare të një populli të propagandizuarsistematik në mënyrë të përsosur, të pamëshirshëm dhe në vazhdimësi kohore. Narrativi nisi të zhvillohet shumë herët; së pari na dolli në shesh, gjoja se, vetëm një i ‘penduar’ i luftëtarëve me emrin Nazim Bllaca. U dha haberi nga goja e tij, për kinse krimet që ishin bërë nga ai me shokët e vet ushtarë të UÇK-së. Kjo kumtesë e tij kumboi si vetëtimë në qiell të hapur dhe shërbeu për publikun e brendshëm. Kjo kumtesë ishte ‘topa e borës’ që do ta sillte ortekun e madh të borës, që na ka mbuluar sot. Ne të gjithë heshtëm! Hajde se do harrohet shpejt!

Pastaj, u sajua narrativi famëkeq i “Shtëpisë së Verdhë”, e cila duhej ta krijonte opinionin publik global. Që pastaj të del në skenë, euro-deputeti zviceran DickMarti me raportin e vet të gatuar në kuzhinat e propagandës serbe, mu në mes të Kuvendit Europian. Dick Marti është personi gjetur si burim dezinformacioni i besueshëm si për publikun e brendshëm, ashtu dhe atë ndërkombëtarë. Zvicra me renome besimi në mbarë botën dhe shteti më i njohur neutral në planet. Edhe vet shqiptarët, i besuan zviceranit të sëmurë mendërisht. Ndërsa burim i informacionit ishte Kuvendi Europian. A ka burim më të besueshëm për ta poshtëruar dhe akuzuar një popull ? Ne të gjithë heshtëm dhe u paralizuam nga frika dhe turpi! Si mund ta kundërshtojë një popull viran, i përçarë, … Kuvendin Europian; për të cilin shqiptarët bëjnë be se është burim i lirisë, drejtësisë dhe demokracisë ?

Dhe sot jemi të gjithë të fajësuar, të poshtëruar dhe të përbuzur, së bashku me UÇK-në. Jacque Ellul thotë: Kombet që nuk kanë themeluar institucionin e propagandës, janë destinuar të zhduken. Shqiptarët i kanë hip trenit drejt greminës.