×
  • Lajme
  • Analiza

    Si e zhvilluan Kurti e Sveçla një betejë frontale kundër aleatëve, në ditë vikendi?

    Insajderi
    31 March 2024 - 14:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kurti SHBA’në e Sveçla BE’në. Që të dy në ditë vikendi u “armatosën” me argumente kundër aleatëve ndërkombëtarë të Kosovën t’i godasin për mënyrën se si po e shohin Beogradin e Serbisë. Kryeministri i Kosovës tha se DASH-i s’po e sheh Beogradin me sytë e tij, e ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se BE’ja po heziton ta vë para përgjegjësisë Beogradin për sulmin terrorist në Banjskë.

    Sveçla shprehej i befasuar me qëndrimin e zyrtarëve evropianë përballë Beogradit në një intervistë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Serbia është mësuar që të luajë rolin e viktimës qoftë dhe në rastin e Banjskës. Për mua si dikush që është rrit në Kosovë, por dhe që kam qenë në realitetin politik të saj, sjellja e Serbisë nuk është e befasishme. Befasuese është sjellja e qarqeve të ndryshme në Bashkimin Evropian. Sot dëgjova një deklaratë të zv/kryetares së PE e cila shprehte kundërshtinë e saj ndaj qasjes së pabalancuar, të padrejtë të BE, ku struktura ekstremiste të Serbisë sulmuan KFOR. Dhe në vend që Serbia të dënohej, iu vunë sanksione Kosovës”, deklaroi Sveçla.

    Kritikat në drejtim të BE’së i vazhdoi duke thënë se ata po hezitojnë ta vënë para përgjegjësisë Serbinë.

    Dihet kush e bëri sulmin, dihet se kush e ka dhënë urdhrin. Edhe për Banjskë tashmë dihet dhe janë të gjitha informatat që ne i kemi ndarë me partnerët tanë. Ka hezitim nga BE-ja që të vënë para përgjegjësisë shtetin e Serbisë. Nuk duhet të biem në kurthin e dënimit vetëm të Radoiçiqit, për shkak se ai nuk është individ, ai ka qenë nënkryetar i një subjekti politik drejtpërdrejtë i lidhur me Serbinë. Në fakt ka qenë lideri. Pastaj ai është armatosur“.

    “Kafshatën e madhe” Sveçla ia la Kurtit. Ky i fundit kritikoi amerikanët që s’po mund të përshtaten me të sepse është “më ndryshe sesa kryeministrat e mëparshëm”.

    Unë jam bërë kryeministër pas një plejade të kryeministrave që ishin shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin e bukur të ndryshëm prej meje, dhe kjo ma vështirëson mua punën për raportin e ri që unë dua të ndërtoj me të gjithë partnerët tanë perëndimor. E kjo është një rrugë dykahore e jo vetëm një. Në marrëdhënie edhe merr edhe jep. E jo vetëm të japësh. Kjo është arsyeja pse unë besoj që tej publikohen, super afirmohen dallimet e rastit për çështje të caktuara kohë pas kohe me ShBA-të“, deklaroi ai.

    Sido që të jetë unë një gjë ua kam bërë të qartë të gjithëve, ‘as nuk pres nga SHBA-të që ta shohin Beogradin zyrtar me sytë e Albin Kurtit, por as ata nuk duhet të presin që unë ta shoh Beogradin zyrtar me sytë e Departamentit Amerikan të Shtetit’”, shtoi tutje shefi i ekzekutivit.

    Kurti, teksa foli për dallimin në qëndrime me SHBA’në, pretendoi se e njeh më mirë Serbinë sesa vetë aleatët.

    Një tendencë për “normalizim” të situatës karshi përçarjeve me aleatët e Kosovës e pati edhe kryediplomatja Donika Gërvalla. Gërvalla i ka quajtur normale siç iu referua ajo “debateve” me SHBA’në lidhur me tema të caktuara. Ajo ka thënë se është shumë normale të ndodh kjo mes partnerësh.

    Ne, e para, nuk kemi tensionim të raporteve prandaj duhet të ishim shumë të kujdesshëm në terminologjinë që përdorim. Kemi disa tema ku nuk pajtohemi 100 për qind në aspektin teknik, mirëpo kjo është plotësisht normale në marrëdhëniet mes dy partnerësh të ngushtë. Konsideroj se kjo është shumë normale, jo vetëm mes partnerësh, mes dy shtetesh, por është normale edhe në një familje, e cila, përsëri po e përsëris, kemi të njëjtat synime të dyja, edhe SHBA edhe Republika e Kosovës, në të gjitha temat që kanë të bëjnë me rajonin tonë edhe me përparimin e vendeve tona”, deklaroi ajo para disa ditësh.

    Instancat më të larta të diplomacisë amerikane adresuan kritikat e tyre për komunikim me Qeverinë Kurti. Ishte zyrtari i lartë amerikan, James O’Brien, që ngriti shqetësim për mos-koordinim të ekzekutivit me Kurtin në krye me përfaqësuesit amerikanë. O’Brien në shkurt të këtij viti thoshte se Kurti po merr vendime “në mes të natës” kur e kritikonte vendimin për rregulloren e re të BQK’së.

    “Ka mënyra tjera për ta siguruar këtë qartësi, përfshirë përmes dialogut, përmes konsultimeve joformale, ashtu si shtetet moderne u japin përgjigje këtyre çështjeve. Jo duke shpallur vendime në mes të natës pasi partnerët tuaj më të afërt ju thonë se kjo është ide e keqe dhe qeverisje e dobët”, deklaronte O’Brien në një intervistë për Zërin e Amerikës.

    Për t’i jehuar acarimet SHBA-Qeveria Kurti, vetëm një ditë më pas ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kishte ftuar konferencë të jashtëzakonshme. Ai në atë konferencë potenconte dëmtimin e raporteve, pas tentimit të ministrave të Kurtit për t’i përshkruar si të mira.

    “Jam i shqetësuar që ka deklarata pas kësaj interviste të O’Brien, që sugjerojnë që marrëdhënia mes Kosovës dhe ShBA-së nuk është prekur dhe se nuk do të prekur nga kjo situatë, më duhet të jem i qartë që kjo thjeshtë nuk është e vërtetë. Kjo nuk është situata”, deklaronte Hoveiner.

    Kokëfortësisë së Kurtit vule i dha Escobar. Ai në një konferencë për shtyp tha se SHBA po ka probleme me kryeministrin Kurti. Madje, ai thoshte se s’ishte vetëm SHBA’ja që e kishte një problem të tillë.

    “Kemi problem në komunikim me qeverinë e kryeministrit Kurti. Dhe nuk është që vetëm ne kemi këtë problem, Kosova ka probleme komunikimi edhe me BE-në, NATO-n dhe vendet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Do të donim që partneriteti të kthehej siç ka qenë më parë”, deklaronte emisari amerikan. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark