×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Si ka vepruar Këshilli është vepër penale”, “Puka mashtrues ordiner”- Hasani e komenton vendimin për dekanin e Juridikut

    Insajderi
    13 February 2024 - 17:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Profesori i Fakultetit Juridik, Enver Hasani, ka thënë se Këshilli i Etikës nuk ka kurrfarë të drejte për verifikimin e diplomave dhe dokumenteve publike të stafit akademik. Hasani këtë e tha pas vendimit të Këshillit të Etikës për dekanin e Juridikut, Avni Pukën, ku thuhet se është konfirmuar vërtetësia e diplomës së tij në një universitet në Itali dhe se Puka s’ka bërë plagjiat.

    Hasani në një deklarim për Insajderin ka thënë se si ka vepruar Këshilli i Etikës përbën vepër penale, sepse ka “nostrifikuar” diplomën e Pukajt. Tutje, ai ka kërkuar po ashtu publikimin e disertacionit të doktoratës nga ana e Pukajt.

    “Këshilli Etikës nuk ka asnjë kompetencë për verifikim të diplomave dhe dokumenteve të tjera publike të stafit akademik. Kjo si ka vepruar Këshilli Etikës përbën vepër penale sepse me këtë ka “nostrifikuar” një diplomë pa pasur kompetencë. As UP e as Këshilli Etikës nuk mund të validojnë dokumentet publike në territorin e Kosovës. Këtë e kanë vetëm autoritetet shtetërore, në rastin konkret MASHT dhe strukturat e saj”, ka deklaruar Hasani.

    “E kam parë vendimin dhe është në tërësi manipulim me faktet. Procedurën e ka nisur vetë personi që akuzohet për falsifikim, pra zoti Puka. Kanë vendosur një grupim njerëzish në konflikt të tërësishëm të interesit dhe duke ndërruar tezat: kontestuese është nëse zoti Puka ka disertacion të mbrojtur në Fakultetin  Juridik të Universitetit “La Sapienza” dhe, nëse ka, ta bëj publik atë dhe ta dërgoj për nostrifikim. Kur kjo të jetë bërë, çdo pretendim tjetër imi që kamë bërë publik qe disa herë, vjen në vend të vetin. Pra, kusht themelor është bërja publike e tekstit të doktoratës, versioni zyrtar, dhe atë përmes MASHT, si organ i vetëm kompetent për një gjë të tillë”, vijon deklarimi i tij.

    Përveç kësaj, një komision i formuar për doktoratën e zotit Puka në UP, që përmendet në vendimin e Këshillit të Etikës, është krejt kundërligjor sepse profesorët pas moshës 70 vjeçare nuk guxojnë të ketë asnjë marrëdhënie ose angazhim me UP (me përjashtim të profesorëve emeritus) . Për fat të keq kanë manipuluar me mirësinë e dy ish-kolegëve tanë të respektuar nhga katedra penale. E përsëris, problemi parësor është mashtrimi me doktoratën nga Fakulteti Juridik i Universitetit “La Sapienza”. Kjo duhet të provohet siç duhet dhe pastaj shkohet në fazën tjetër, nëse zoti Puka vërtetë dëshiron të provoj se nuk është mashtrues ordiner”, vijon deklarimi i tij.

    Këshilli i Etikës në Universitetin e Prishtinës ka publikuar një vendim për dekanin e Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, Avni Puka, pas denoncimit të profesorit Enver Hasani. Ky i fundit e denoncoi këtë të parin duke thënë se ka mashtruar për kryerjen e doktoratës së tij në Itali, si dhe e ka akuzuar për plagjiatuarë.

    Në vendimin e Këshillit të Etikës së UP’së, thuhet se kanë marrë konfirmim përmes një deklarate nga Universiteti i Romës “La Sapienza” për kryerjen e doktoratës atje nga dekani Puka.

    “Këshilli i Etikës duke u bazuar në deklaratën e Universitetit të Romës “La Sapienza” të Italisë dhe diplomën e prezantuar, konfirmon vërtetësinë e përfundimit të studimeve të doktoratës në Universitetin e Romës nga ana e Prof. Asoc. Dr. Avni Puka”, thuhet në vendimin e tyre.

    Në vendim tutje thuhet se Këshilli i Etikës ka dalë me përfundim se Puka nuk ka bërë plagjiat në punimin e doktoratës në UP.

    “Këshilli i Etikës, duke u bazuar në raportin e ekspertizës profesionale, konstaton origjinalitetin e punimit të doktoratës të Prof.Asco. Dr.Avni Puka me titull: “Përgjegjësia penale e personave juridikë”, të mbrojtur me datën 08.09.2016, pranë Fakultetit Juridik, Universitetit të Prishtinës”, vijon vendimi.

    Profesori i Juridikut, Enver Hasani, e denoncoi më herët Avni Pukën se ka mashtruar kur ka njoftuar se ka kryer doktoratë në Itali në Universitetin “La Sapienza”.

    Në një letër drejtuar rektorit, Hasani e akuzoi Pukën edhe për plagjiaturë në një libër. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark