×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Si në Teksas | Striptizëm e kazino bashkë – Insajderi sjell dosjen e Prokurorisë për Dodë Ricën, bosin e klubeve “Shqiponja”

    Insajderi
    11 October 2022 - 15:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shmangie tatimi. Bixhoz brenda objektit ku po zhvillohej striptizëm, si nëpër filmat për kazinotë e famshme të Teksasit. Marrëdhënie afarizmi me biznesmenin e njohur për organizim të bixhozit ilegal. Insajderi sjell dosjen e Prokurorisë për biznesmenin Dodë Rica, që edhe tash po e vazhdon aktivitetin për të cilin është i njohur – klubet e natës me vallëzim striptizmi.

    Të dielave në mëngjes rruga në të djathtë te rrethit tek hyrja në Fushë Kosovë mbulohet me zërin e pulave që therën në rrugë nga tregtarët e tyre. Njihet si pazari i Fushë Kosovës, ku tregtohen mallra nga kafshët e deri tek armët e ftohta, e nga pemët e deri te veturat, dhe shumëçka në mes.

    Kur bie nata ajo zhurmë zëvendësohet me diçka krejt tjetër.

    Brenda objektit që është në fillim të asaj rruge klientët mbyllen brenda një depoje të adaptuar në klub nate. Dëgjojnë gjithfarë muzike. Gjithfarë zhurmash. Por, më shumë shkojnë aty për të parë. Shikojnë striptizeret duke performuar në atë që e kanë quajtur ‘Sybor Club”.

    Në videot që i promovon  “Shqiponja Strip Club Kosovë”, thuhet se kjo shfaqje ofrohet çdo natë.

    Ky biznes është në pronësi të Dodë Ricës. 

    Pronari i klubit të striptizimit “Shqiponja” nën llupën e Prokurorisë Speciale

    Pronari i klubit të striptizimit “Shqiponja”, Dodë Rica që nga viti 2019 është duke u hetuar Prokuroria Speciale, për kryerjen e veprën penale “shmangie nga tatimi”. Vetëm në vitin 2021 ndaj tij u ngritë aktakuzë. Po dyshohet se kreu shmangie tatimore në vlerë prej 36 mijë e 389 euro. Bazuar në regjistrin e bizneseve, ai ka 5 njësi të shtrira, njëra në Prishtinë dhe 4 tjera në Gjakovë. Emri i Ricës, përmendet edhe në vitin 2018 teksa tentonte të hapte një strip klub poshtë bodrumit të  Hotelit Grand në Prishtinë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në dosjen që ka siguruar Gazeta Insajderi potencohet se Ricaj për dy vite radhazi përmes biznesit “Shqiponja Strip Club”, ka kryer shmangie tatimore.

    “Gjatë periudhës kohore 02.11.2017 deri në me datën 21.03.2019, përmes biznesit “Shqiponja Stript Club” Sh.pk, me seli në rrugën “Konjuhi” në Graçanicë, i pandehuri i lartcekur, me qellim të fshehjes apo shmangies pjesërisht apo tërësisht të pagesës së tatimit, që parashihet sipas Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat (Ligji Nr.03/L-222), të sanksionuar sipas nenit 63 par.1, duke dhënë shënime të pavërteta lidhur me te ardhurat e bizneseve të tij “Shqiponja Stript Club” Sh.pk, me qëllim që të shkaktoj shmangien nga pasojat juridike ose pasojat e mundshme ligjore, duke e dëmtuar Buxhetin e Republikës së Kosovës me shumës së përgjithshme 36,389.24 euro, në emër të biznesit të lartcekur”, thuhet dosjen e siguruar nga Gazeta Insajderi.

    Lidhja mes Dodë Ricës e Mentor Maqanit

    Biznesmeni Rica ka dhënë deklaratën e tij në Policinë e Kosovës me 18 nëntor të vitit 2020. Ai kishte deklaruar se biznesi i tij me emrin “Shqiponja Strip Club” është hapur me 20 dhjetor të vitit 2017.

    Objektin e kishte marrë me qira nga Mentor Maqani, një tjetër person i njohur për organet e drejtësisë në vend.

    Mentor Maqani

    Siç ka raportuar Insajderi, InDoks në emisionet “Dosja e bixhozit” e “Dosja Karaçeva” si dhe emisionin “Mafiozi shqiptar” ka bërë një profil të të kaluarës kriminale të Maqanit. Ai është i bashkë-akuzuar me Ismet Osmanin-Currin, në një rast ku po ndiqen për fajde dhe më shumë se kaq, ku viktimë është biznesmeni Faton Dalladaku.

    Dalladaku ka dhënë një intervistë të gjatë për InDoks ku ka rrëfyer vuajtët nga grupi i Currit, vëllezërit Krasniqi të “Apexave” dhe grupe të tjera.

    Mentor Maqani në anën tjetër është edhe i përfshirë në “Dosja Karaçeva”, ku Inspektorati Policor i Kosovës kreu një operacion të madh kundër bixhozit ilegal në kufirin Kosovë-Serbi e ku më pas u akuzuan hiç më pak se 73 persona.

    Te ‘Dosja e bixhozit’, i përfshirë në krime në industrinë e kumarit përmendet edhe vëllai i Mentor Maqanit, Flakroni.

    Dodë Rica  konfirmonte se po në këtë objekt, që e mori me qira nga Mentor Maqani organizoheshin edhe lojëra të fatit.

    “Biznesin “Club Shqiponja Stript” e kishte hapur me datën 02.11.2017, e ka marr me qira nga Mentor Maqani ndërsa hapjen e lokalit e kishte bere me date 20.12.2017, ndërsa në katin e dytë të objektit e kishte lëshuar me qira personit Mentor Maqani, i cili i ka vendosur aparate të lojërave të fatit, ku kishte punuar 1 muaj, por për të më lehtësuar pagesën e qirasë prej 3000€, Mentori ka punuar në lokalin e tij deri në ditën kur është mbyllur lokali dhe asnjëherë nuk ka marrë para për qira nga Mentori”, kishte deklaruar biznesmeni Rica përcjell Gazeta Insajderi.

    Rica në deklarimin e tij përmend edhe pagesat për qira për hapësirën e parapara në Grand Hotel. Konfirmon se AKP ia kishte anuluar kontratën.

    “Lidhur me dy pagesa në muajin e dytë dhe te tretë të vitit 2019, si deponime për qira në Bankën Ekonomike në vlerën 3.000 € dhe 2.600 €, i pandehuri deklaron se në këtë çështje duhet ta sqarojë me financierin B.Q, ndërsa një pagesë me shumën prej 2.586€, ka marrë me qira bodrumin e “Grand Hotelit” në Prishtinë nga AKP-ja, si dhe AKP-ja i kishte paguar dy muaj qiranë në atë lokal dhe pas dy muaj iu kishte anuluar kontrata, ndërsa arsyeja e tij për mos deklarimin e pazarit ditor përmes banke ishte se për shkak të një gjobe nga ATK-ja, e kishte të bllokuar llogarinë bankare, ndërsa për vitet 2017, 2018 dhe 2019, lidhur me borxhin e mbetur në ATK-në, rreth deklarimit do të sqaron financiari i tij”, kishte thënë ai.

    Seanca e fundit 7 tetor, në rastin e tij ka dështuar të mbahet në mungesë edhe të tre të akuzuarve tjerë që po dyshohen që në total dëmtuan buxhetin e shtetit në vlerë prej 10 milionë eurove.

    AKP ia shuan ‘ëndrrën’ biznesmenit që tentoi të hapë klub striptizimi në Hotelin Grand

    Në mënyrë të dyshimtë, 4 vjet më parë biznesmeni Dodë Rica pati tentuar të hap një klub striptizimi në qendër të Prishtinë, më konkretisht në bodrumin e Hotelit Grand. Ishte Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) që ia la në gjysmë këtë tentativë. Procedura për dhënien e qiras për hapësirën në Grand u pezullua, pasi biznesmeni Rica nuk kishte treguar çfarë aktiviteti do të ushtrohej aty.

    Gazeta Insajderi në atëkohë kishte raportuar ekskluzivisht për rastin.

    Në vitin 2018 nëpër sheshet e Prishtinë e nëpër rrjete sociale kishte filluar shpërndarja e fletushakave ku njoftohej për hapjen e një klubi të striptizimit në bodrumin e Hotelit Grand.

    Pas këtyre paralajmërimeve, Gazeta Insajderi e kishte vizituar bodrumin e hotelit duke parë nëse po zhvilloheshin punimet për hapjen e klubit.

    Por në hapësirën të cilën lokali i striptizmit “Shqiponja” kishte arritur ta marrë me qira nga AKP-ja, dera e hapësirës ku ishte planifikuar hapja e lokalit të striptizmit ka qenë e mbyllur.

    Punëtorë të sigurimit në Hotelin Grand i thanë Insajderit se në hapësirën ku ishte planifikuar hapja e lokalit të striptizmit, ka dy ditë që janë ndalur punimet. Deklaruan se vendimi  ishte marrë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

    Ndërkohë, pronari i klubit të striptizmit “Shqiponja”, Dodë Rica, nuk ka pranuar të flasë lidhur me planifikimet për hapjen e lokalit të striptizmit në qendër të Prishtinës. Përmes telefonit, Rica i ka thënë Insajderit se për biznesin e tij “nuk ka pse t’i interesojë asnjë njeriu”.

    “Për çfarë të intereson ty kjo gjë? Janë ca gjëra që ty nuk kanë çfarë të interesojnë dhe nuk i interesojnë asnjë njeriu”, ka thënë Dodë Rica, pronar i rrjetit të lokaleve të striptizmit “Shqiponja”.

    Nga Agjencia Kosovare e Privatizimit kanë thënë se pronari i klubit të striptizmit “Shqiponja”, Dodë Rica, kishte aplikuar si person fizik për marrjen me qira të hapësirës në Hotelin Grand, në një tender që AKP-ja kishte hapur më 17 dhjetor – në të cilën kishin aplikuar 6 ofertues.

    Ylli Kaloshi, zëdhënës  në AKP, kishte thënë për  Insajderin se pasi biznesmeni Rica kishte fituar tenderin për marrjen e qirasë së hapësirës në bodrumin e Hotelit Grand, agjencia ishte njoftuar lidhur me veprimtarinë e mundshme që do të ushtrohej në atë hapësirë të Hotelit Grand.

    “Në lidhje me hapësirën në fjalë që është pjesë e Hotelit Grand, tenderi për dhënie me qira është shpallur me datën 17 dhjetor 2018 dhe për hapësirën në fjalë ka pasur 6 ofertues, ndërsa oferta me çmimin më të lartë ka qenë ofertë personit fizik. AKP nuk kërkon nga palët se çfarë veprimtarie ka planifikuar të ushtroj ai”, ka thënë Kaloshi për Insajderin.

    “Në lidhje me hapësirën në fjalë që është pjesë e Hotelit Grand, tenderi për dhënie me qira është shpallur me datën 17 dhjetor 2018 dhe për hapësirën në fjalë ka pasur 6 ofertues, ndërsa oferta me çmimin më të lartë ka qenë ofertë personit fizik dhe jo e personit juridik. AKP sipas Rregullores për Qiradhënie nuk kërkon nga palët se çfarë veprimtarie ka planifikuar të ushtroj ai”, ka shpjeguar Kaloshi.

    Disa ditë pasi pronari i klubit të striptizmit “Shqiponja” fitoi tenderin e shpallur nga AKP-ja, agjencia i kishte kërkuar sqarim me shkrim Dodë Ricës në lidhje me veprimtarinë që do të ushtrohet në bodrumin e Hotelit Grand. Mirëpo, AKP ende nuk kishte pranuar përgjigje çështjen.

    Si pasojë e kësaj, AKP mori vendim që të pezullojë procedurën për qiradhënie.

    “AKP ende nuk ka ndonjë njoftim nga pala për llojin e veprimtarisë që planifikon ta ushtroj dhe deri në sqarimin e plotë të situatës do ta pezulloj procedurën e qiradhënies”, kishte deklaruar Kaloshi.

    “Edhe pse AKP nuk ka ndonjë përgjegjësi e as kompetencë ligjore për dhënie të licencave apo të lejeve për veprimtari biznesore, Agjencia Kosovare e Privatizimit siguron opinionin publik se nuk është e gatshme të ofroj hapësirat që i administron për çdo lloj veprimtarie që krijon shqetësim të qytetarëve”, ka thënë zyrtari për komunikim me media i AKP-së.

    Ndonëse planifikohej hapja e klubit të striptizmit “Shqiponja” në Prishtinë, në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) nuk rezultonte të jetë regjistruar hapja e klubit të striptizmit në Komunën e Prishtinës.

    Në ARBK figuron i regjistruar që nga viti 2017, klubi i natës “Club Shqiponja Stript” nën pronësi  të Dodë Ricës në pesë njësi. Katër figurojnë në Gjakovë dhe njëra në Prishtinë.

    Të dhëna të marra nga ARBK

    Përveç klubit të natës, Ricës nën pronësi i figuron edhe Hoteli “Jakova”, me lokacion në Gjakovë. Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve tek pjesa e aktiviteteve figuron si aktivitet i regjistruar paraqiten restorante dhe aktivitete shërbyese lëvizëse të ushqimit, ndërkohë që si aktivitet tjetër përmendet “krijimtaria artistike” duke mos specifikuar se çka konsiderohet “artistike”.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark