×
  • Lajme
  • Lajme

    Si po ‘harrnohet’ rruga Podujevë – Prishtinë

    Insajderi
    04 July 2024 - 14:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mbrëmja e 2 nëntorit të vitit 2021 e pati gjetur kryeministrin Albin Kurti bashkë me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në terren.

    Me maska në gojë – për shkak të pandemisë COVID-19 – të dy këta patën premtuar se rruga Podujevë – Prishtinë do të përfundojë në fund të vitit 2022.

    2 nëntor 2021 – Albin Kurti dhe Shpejtim Bulliqi në konferencë për media rreth rrugës Podujevë – Prishtinë

    Teksa tani jemi në gjysmën e dytë të vitit 2024, kjo rrugë ende nuk është përfunduar.

    Bile, dikush edhe mund të mbajë maska edhe sot e kësaj dite kur kalon nëpër këtë rrugë – jo për shkak të pandemisë së dikurshme – por për shkak të pluhurit që po shkaktohen nga punimet në rrugë.

    Premtimi i sivjetëm është i ri – me përmbajtje të vjetër. “Në fund të vitit kryhen punimet”, është fjalia me të cilën po zotohen udhëheqësit më të lartë të institucioneve vendore edhe në këtë vit.

    Liburn Aliu dhe Hysen Durmishi – dy personazhet kryesore në ministrinë e Infrastrukturës, po u japin premtim llapjanëve se rruga do të përfundojë brenda vitit 2024.

    Pluhuri i madh, kolonat dhe acarimi gjatë kalimit në rrugën Podujevë – Prishtinë, vecse pritet të rritet me ardhjen e mërgatës për pushime në vendlindje.

    Pika kufitare në Merdarë – një pikëkalim shumë i frekuentuar nga shqiptarët që jetojnë në perëndim, pritet që ta shtojë dukshëm prezencën e veturave në magjistralen Podujevë – Prishtinë.

    Ama kjo duket se nuk po iu bënë përshtypje përgjegjësve institucionalë.

    Javëve dhe ditëve të fundit, tri kompanitë të cilat janë duke kryer punime në ndërtimin e kësaj rruge e kanë reduktuar kapacitetin punues.

    Tri asfaltime të kohëve të fundit – që për shumë qytetarë po quhet qesharake, kanë ndodhur në këtë magjistrale.

    Asfaltimet nuk janë bërë më të gjata se 300 metra.

    Madje, mësohet se stantardi i ri i kompanive në këtë rrugë është që të shtrohet asfalt cdo 300 metra.

    Madje, asfaltimi i fundit u bë të martën, në ditën kur në Podujevë pati stuhi të madhe të shiut dhe puna vazhdonte derisa moti nuk ishte i përshtatshëm për t’u kryer asfaltimi.

    Por, kjo po shkakton irritim tek qytetarët. Nervoza dhe irritimi nuk po bëhet vetëm ndaj institucioneve përgjegjëse për ndërtimin e magjistrales – por edhe e shoferëve ndërmjet vete.

    Një rast i kacafytjes si pasojë e kolonave në rrugën Podujevë – Prishtinë, ka ndodhur dje në fshatin Vranidoll.

    Bashkim Berisha dhe një person i mitur me inicialet I.B.. mbetën të arrestuar pas një konflikti që nisi në kolonat në magjistrale.

    Lidhur me rastin ka reaguar edhe Policia, e cila ka njoftuar se dy të arrestuarit janë intervistuar, dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje.

    Gazeta Insajderi vazhdimisht ka raportuar për problemet dhe dramën e ndërtimit të kësaj rruge.

    Përveç problemeve teknike dhe vonesave – kjo rrugë e kishte dërguar në Prokurori – zv.ministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

    Ai ishte intervistuar nga Prokurori lidhur me tenderët e dhënë për ndërtimin e rrugës që të shpie nga Podujeva në drejtim të Prishtinës.

    Lidhja e afërt e Durmishit me disa prej pronarëve të kompanisë, kishin bërë që të ketë hetime për mënyrën e dhënies së tenderëve për ndërtimin e rrugës.

    Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark