×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Hysen Durmishi në prokurori- Akuzat publike të kompanisë ankuese për tenderin dhjetëra-milionësh të rrugës Prishtinë-Podujevë

    Insajderi
    09 May 2024 - 14:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ishte dje në cilësinë e të dyshuarit pranë Prokurorisë Speciale pasi që nënshkroi kontratat në vlerë prej 38 milionë eurove për rrugën Prishtinë-Podujevë. Gjykata e Tenderëve konstatoi se Durmishi dhe ministria e tij kishin shkelur ligjin kur kishin nënshkruar pesë kontrata gjatë kohës sa kishte ankesë aktive lidhur me procedurat e tenderimit. Kompania që po ankohej vitin që shkoi ishte ‘Sallahu SH.P.K.’, ku në mesin e ankesave akuzonte edhe firmën ‘Arbotec’ të Hektor Beqirit ‘”Pro Co Group’ të biznesmenit Florent Emini dhe ‘Bageri’ të Bujar Shabanit për mos-përputhshmëri në specifikat e kërkuara në tender për realizimin e punimeve. Insajderi ju sjell detaje nga ankesa që kjo firmë kishte parashtruar para nënshkrimit të kontratës:

    Firma ‘Sallahu SH.P.K.’ në një nga pretendimet e para në ankesën e tyre thotë se iu është mohuar e drejta për qasje në dokumente publike. Përfaqësuesi i tyre shprehet se kishte dyshime për “shumë shkelje” andaj kërkonin kontrollimin e dokumentacionit, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Në përgjigjen në fjalë nuk është ofruar asnjë arsyetim se përse AK ka konstatuar se kërkesa jonë nuk ka qenë e parashtruar konform legjitlaionit në fuqi në fushën e prokurimit publik, por është përdorur vetëm si arsyetim për të na pamundësuar qasjen dhe kontrollimin e dokumentacionit për të cilin jemi të bindur se ka shumë shkelje, dhe për të na pamundësuar parashtrimin e një Kërkese për rishqyrtim me prova”, thuhet në ankesën e tyre, e cila është publike në OSHP.

    Firma e “jaranit” të Përparim Ramës, Naim Sallahut, pretendon edhe se komisioni vlerësues i MMPHI’së e ka eliminuar padrejtësisht. Anëtarët e këtij komisioni madje i quan edhe “të papërgjegjshëm”.

    “Komisioni Vlerësues (per te cilin kemi dyshime se nuk ka qene kompetent ) me rastin e vlerësimit, ekzaminimit dhe krahasimit të tenderve ka vepruar ne Kundershtim me Ligjin per Prokurim Publik, Rregulloren nr. 001/2022 per Prokurim Publik dhe Udhezuesin 01 2023 per Prokurim Publik, duke na eliminuar neve si operatore i pergjegjshem pa asnje prove dhe argumentim ligjor dhe duke rekomanduar operatore te pa pergjegjshem per kontrate ne kundershtim me ekonomicitetin dhe efikasitetin”, thuhet në njoftim.

    Ata në ankesë kanë të bashkëngjitur një kallëzim penal për ish-shefin e prokurimit, Nexhat Krasniqin dhe anëtarët e komisionit vlerësues. Krasniqi në fund të 2023-ës ishte vendosur në listën e zezë të Departamentit amerikan të Shtetit për shkak të përfshirjes së tij në “korrupsion të madh”.

    Shpallja e kontratës gjatë kohës sa ishte aktive ankesa e “Sallahu SH.P.K” (pjesë e ankesës) u konfirmua edhe nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).

    “OSHP konform kompetencave ju njofton se për aktivitetin e prokurimit me titull: : Zgjerimi i rrugës Nacionale N25, Prishtinë – Besi – Podujevë, Loti 0, 1, 2, 3 dhe strukturat Lot 5, iniciuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, OSHP-ja, për aktivitetin e prokurimit ne fjale, me date 16.06.2023 ka pranuar ankese te cilën OSHP e ka kualifikuar si të plotë dhe për ankesën me numër te protokollit 2023/397, sipas dispozitave te nenit 113 dhe 114 e ka autorizuar ekspertin shqyrtues për shqyrtimin e pretendimeve ankimore”, tha OSHP’ja.

    “OSHP ju njofton se bazuar ne nenin 112 të LPP-së, Efekti pezullues i ankesave përveç nëse paneli përkatës shqyrtues nxjerr një vendim tjetër me shkrim dhe përderisa ta nxjerrë këtë vendim, dorëzimi i një ankese e obligon autoritetin kontraktues që automatikisht ta pezullojë zbatimin e aktivitetit të prokurimit me të cilin ka të bëjë ankesa në fjalë”, shtoi tutje OSHP’ja.

    Firma e Naim Sallahut ankohet edhe në kompanitë e Hektor Beqirit, Florent Eminit dhe Bujar Shabanit. Për firmën e këtij të fundit, “Sallahu SH.P.K” pretendonte se s’plotëson asnjë kriter.

    “Per Lot 0 eshte rekomanduar Grupi i Operatoreve Ekonomik ”Pro Co Group Shpk & Levantna Ingenieria Y Construction Sl” Per te gjitha deshmite sipas Kerkesave te Njoftimit per Kontrate dhe Dosjes se tenderit per te cilat AK kunderligjshem nuk na ka ofruar qasje , pretendojme dhe kemi dyshime se asnjeren nga to nuk i ploteson ky operatore i rekomanduar per kontrate”.

    Gjykata e Tenderëve kishte marrë vendim më 20 qershor të vitit që shkoi që ta refuzonte ankesën e firmës së Naim Sallahut.

    “Paneli shqyrtues vendosi lënien në fuqi te kontratës lidhur me aktivitetin e prokurimit në rastin konkret duke u nisur kryesisht nga parimi i përgjithshëm i interesit publik duke ju referuar nenit 104 par. 4 pika (iii) të LPP-së, sipas të cilit OSHP duhet të marrë për bazë pasojat e mundshme të veprimeve ose masave që mund të dëmtohen, duke përfshirë interesin publik…”, u tha ndër të tjera në vendim.

    E kaluara e errët e ‘Sallahu SH.P.K’

    Naim Sallahu dhe Lulzim Sallahu janë kontraktorë të mëdhenj të Përparim Ramës. Ky i fundit ua kishte besuar tenderin prej tetë milionë euro për ndërtimin e “Rrugës A”. biznesmenëve të dënuar nga gjykata. Naim Sallahu isthe dënuar për gjashtë muaj nga Gjykata Themelore në Prishtinë për falsifikim të dokumenteve zyrtare.

    Vendimi ishte marrë nga Themelorja më 30 mars të 2018-s. Bazuar në vendimin e Themelores, Sallahu kishte paraqitur një dokument të falsifikuar kinse nuk ka obligime tatimore ndaj ATK-së.

    Kësisoj, ai kishte paraqitur ofertën në Ministrinë e Infrastrukturës në tenderin për zgjerimin e rrugën nacionale ‘Nr 9 Segmenti Gjurgjice-Kjevë”.

    Themelorja kishte konstatuar se Sallahu nuk i kishte shlyer borxhet siç shihet në vërtetim.

    Po ashtu, në vendim thuhej se Sallahu kishte paraqitur 50 punëtorë në kompaninë e tij, kurse në fakt kishte vetëm 29.

    Në dhjetor të vitit 2020 Gazeta Insajderi kishte publikuar hulumtimin për një tender mbi 2 milionë euro në komunën e Vitisë, ku kompania “Sallahu” dyshohej se kishte falsifikuar dokumentet, e futur emra të inxhinierëve, në një rast edhe pa qenë fare ata në dijeni.

    I tillë ishte rasti i inxhinierit të gjeodezisë, Selim Berisha. Ai kishte deklaruar atëherë se nuk është në dijeni për para-kontratën e nënshkruar në emër të tij dhe kompanisë “Sallahu” dhe se nuk ka bashkëpunuar asnjëherë me këtë firmë.

    “Thënë shkurt: kompania ka keqpërdorur diplomën dhe nënshkrimin tim”, pati thënë inxhineri Selim Berisha.

    “SA Sallahu” sh.p.k megjithëse, sipas Prokurorisë Speciale, aplikoi me dokumente të falsifikuara, nuk e fitoi këtë tender, që në shpallje ishte planifikuar si tender i madh prej mbi 17 milionë eurosh, kurse në fund përfundoi duke u fituar nga dy kompani krejt tjera.

    Këtë vit vëllezërit Lulzim e Naim Sallahu janë ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për tu përballur me akuzat për keqpërdorim me prokurim publik dhe falsifikim të dokumenteve në lidhje me projektin e rikonstruimit të segmentit të rrugës rajonale Prizren – Prevallë.

    Aktakuza thotë se i pandehuri Lulzim Sallahu dhe i pandehuri “SA Sallahu” sh.p.k, me pronar dhe aksionar 100 % Lulzim Sallahu, më 5 shtator 2019 në Prishtinë, në cilësinë e pronarit të “SA Sallahu” sh.p.k., me rastin e aplikimit në procedurat e prokurimit publik në projektin “Rikonstruimi i Rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë”, të publikuar nga Ministria e Infrastrukturës, me vetëdije, me qëllim të mashtrimit si dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e Autoritetit Kontraktues, ashtu që kompania e tij “SA Sallahu” sh.p.k, të shpallej fituese e kontratës për projektin në fjalë, kishte paraqitur dokumente me përmbajtje të rreme, sikurse janë: CV-të dhe referencat në emër të N.M, I.F, B.K., dhe L.G..

    Sipas aktakuzës, këto referenca janë paraqitur si dëshmi se kinse të lartpërmendurit ishin pjesë e stafit, respektivisht të angazhuar si inxhinierë të kompanisë dhe se kishin përvojën e nevojshme të punës që kërkohej në njoftimin për kontratë.

    Ndërkaq, i pandehuri Naim Sallahu në vitin 2019, thuhet se me qëllim që t’ia mundësojë vëllait të tij të pandehurit Lulzim Sallahu që përmes kompanisë “SA Sallahu” sh.p.k., të plotësonte kushtet e Autoritetit Kontraktues përkatësisht Ministrisë së Infrastrukturës, të shprehura në njoftimin për kontratë lidhur me projektin “Rikonstruimi i Rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë”, respektivisht kinse i njëjti kishte në përbërje të stafit të tij të angazhuar inxhinierë me përvojë, kishte përpiluar dhe nënshkruar referencat e cekura si në dispozitivin I, me përmbajtje të rreme.

    Rruga Prishtinë-Podujevë: Biznesmenët që i ‘gëzoi’ me miliona Hysen Durmishi

    Nga nënshkrimi i Durmishit për rrugën Prishtinë-Podujevë përfituan miliona euro Bujar Shabani, Hektor Beqiri, Florent Emini dhe Fatlum Pireva.

    Kush janë ata?

    As Bujar Shabani e as Hysen Durmishi s’i kanë mohuar asnjëherë raportet miqësore që kanë ndërmjet vete. Shabani, pronar i “Bageri”-t dhe “Kosova Asfalt” që ka përfituar kontratë të dyshimtë prej 8,6 milionë eurosh për lotin 2 të rrugës nacionale Prishtinë-Podujevë, ka aktakuzë. Akuzohet nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik. Shoku i Durmishit rrezikon të dënohet deri në pesë vite për mashtrimet me procedurat tenderuese.

    Gazeta Insajderi në korrik të 2022-ës ekskluzivisht solli deklaratat e inxhinierit dhe gjeodetes, të cilët ishin cak i mashtrimit të biznesmenit, Shabani. Ai dyshohet se ka përfituar afro 5 milionë euro nëpërmjet mashtrimit.

    Dosja kundër Shabanit është ende më e trashë. Jo vetëm tenderi prej 4.7 milionësh, por i njëjti dyshohet se ka mashtruar edhe kur ka konkurruar në tenderin tjetër “Zgjerimi i rrugës së fshatit Bibaj, kyçja në autostradë Arbër Xhaferi”.

    Ky tender peshonte 3 milionë e 798 mijë e 623 euro. Por që këtë tender nuk kishte arritur ta fitonte.

    Biznesmeni Shabani dyshohet se ka mashtruar inxhinierin Arben Vranovci që jeton në Norvegji, diplomën e të cilit e kishte përdorur për konkurime në tenderë, fillimisht pa marrëveshje kontraktuale e pastaj edhe me nënshkrim marrëveshje, gjë për të cilën inxhinieri nuk ishte kontaktuar asnjëherë. Inxhinieri Vranovci kur ka kuptuar diploma e tij po shfrytëzohet tinëz kishte denoncuar rastin në prokurori.

    Shabani dyshohet se ka mashtruar edhe gjeodeten Violeta Aliu Bislimi, licencën e së cilës e kishte përdorur jashtëligjshëm pasi kjo e fundit ishte punësuar në komunën e Ferizajt, dhe licenca është jovalide nëse personi punon në një institucion publik.

    Në anën tjetër afaristi Fatlum Pireva i “El Bau”-t, që është pjesë e konserciumit të lotit dy për rrugën nacionale Prishtinë-Podujevë bashkë me firmën e Shabanit, ngarkohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan për veprën penale mashtrim. Fatlum Pireva së bashku me Suad Pirevën dhe Muhadin Zukën dyshohet si i ka shkaktuar dëm Komunës së Gjilanit në vlerë prej afro 3 mijë euro.

    Avokati i biznesmenit, Pireva më 31 maj të 2022-ës i kishte propozuar gjykatës që procedura penale ndaj tij të pushojë për shkak të parashkrimit. Propozim ky i cili ishte refuzuar nga prokurori e gjyqtari i rastit.

    Sipas gjykatës, të pandehurit Fatlum Pireva dhe Suad Pireva, akuzohen se si persona fizik dhe përfaqësues të autorizuar të personit juridik “El-Bau”, me qëllim përfitimi nga fondet publike i kanë paraqitur fakte të rreme komunës së Gjilanit, ashtu që të njëjtit nuk kanë realizuar rrugën sipas kontratës duke i shkaktuar dëm komunës së Gjilanit në vlerën prej 2 mijë e 662 euro e 26 centë.

    Pireva dhe Shabani vjet kanë fituar një tender të dyshimtë në Komunën e Mitrovicës. Ndonëse Komuna e Mitrovicës kishte paraparë që ky projekt të kushtojë 600 mijë euro, fituesit e tenderit Bujar Shabani e Fatlum Pireva të akuzuar për mashtrim kanë ofruar çmimin prej 892.453 euro, që i bie afro 50% më shtrenjtë se vlera fillestare e ofruar.

    Rruga “Lah Nimani” ka një gjatësi vetëm 394 metra ndërsa investimit kap vlerën e mbi 890 mijë eurove.

    Bazuar në kontratë shihej se manipulimi me çmime ka ndodhur në të paktën tri pozicione. Tek pjesa e incizimit gjeodezik që do të kushtojë 92.609 euro. Sipas kontratës së nënshkruar për 394 metra gjatësi rrugore, komuna do të paguajë mbi 92 mijë euro, punë e cila mund të kryhet me aparatura të një zyre modeste gjeodezike.

    Për shënim gjeodezik gjatë punëve paraprake u parapanë të paguhen 15.389 euro.

    Tutje, në kontratën e nënshkruar nga komuna e Mitrovicës dhe operatorët ekonomik u parapa që fiksimi i pikave kontrolluese gjeodezike për ndërtimin e kanalizimit fekal të kushtojë 39 mijë euro.

    Shpenzime marramendëse të matjeve gjeodezike për këtë rrugë më të shkurtër se 400 metra nuk përfundojnë me kaq, pasi që ‘qershia mbi tortë’ parashihet edhe në një pozicion tjetër për matje gjeodezike, nga i cili është paraparë t’i paguhen operatorit ekonomik 38 mijë e 220 euro e që në përshkrim të tij shihet se është pozicion i njëjtë i emërtuar sikur pozicioni prej 39 mijë euro.

    Komuna e Mitrovicës në bazë të kontratës, paguajti dy herë për pozicionin e fiksimit të pikave kontrolluese gjeodezike për ndërtimin e kanalizimit fekal në rrugën “Lah Nimani”.

    Emër jo pak i njohur është edhe ai i biznesmenit Florent Emini, pronar i “Geo Map”. Kallxo.com kishte raportuar vjet se si Emini dhe bashkëshortja e tij, Armenda Beqiraj, në pronësi të “Pro & Co Group SHPK” – firmë kjo që është paraparë të punojë në lotin 0 të rrugës nacionale Prishtinë-Podujevë, kishin marrë disa kontrata nga Komuna e Vitisë, duke lënë dyshime për “njoftësi”.

    Në vitin 2019, kompania “Geo Map” kishte nënshkruar kontratën me dy llote për ‘hartim të projekteve investive’, në vlerë totale prej 52,729.5 euro. Në atë kohë, Fatbardha Emini, motra e Florent Eminit, i cili është pronar i kompanisë “Geo Map”, ishte drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Vitisë, që udhëhiqet nga Sokol Haliti i LDK-së.

    Po ashtu, për hartim të projekteve në vitin 2021 edhe kompania “NEWS Sh.P.K” kishte nënshkruar kontratë në vlerë prej 184 mijë euro, ku çmimi për njësi ishte 0.49 euro, kompania “NEWS” në kontratën e vitin 2023 ka ofertuar si konsorcium me kompaninë e Florent Eminit.

    Sipas raportit të kontratave të nënshkruara nga Komuna e Vitisë për vitin fiskal 2022, kompania “Pro & Co Group SH.P.K” ka fituar katër kontrata nga Komuna e Vitisë në vlerë të përbashkët prej 2,923,488 euro, nga gjithsej 17 kontrata me vlerë 6,431,988.15 euro që i kishte nënshkruar komuna në vitin 2022. Pra, kompania “Pro & Co Group SH.P.K”, i ka fituar 45% të vlerës së kontratave publike për punë.

    Në vitin 2021, “Pro & Co Group Sh.P.K” nga kjo komunë ka fituar vetëm një kontratë me vlerë 820,153.13 euro, nga gjithsej 11 kontrata me vlerë 2,050,116.98, apo 40% vlerës së kontratave publike për punë të inicuara nga Komuna e Vitisë.

    Florent Emini, pronari i kompanisë “Geo Map” është vëllai i ish-zëvendësministres së Administrimit të Pushtetit Lokal, Fatbardha Emini Halabaku. Ajo ishte edhe drejtoreshë e Arsimit dhe drejtoreshë e Kadastrit, Pronës dhe Gjeodezisë në Komunën e Vitisë.

    Hektor Beqiri, pronar i firmës “Arbotec”, siguroi një kontratë milionëshe nga Hysen Durmishi. Ky i fundit i kishte dalë në mbrojtje Beqirit kur kompania e tij dyshohej se kishte vjedhur zhavorr për realizimin e punëve në rrugën nacionale Prishtinë-Podujevë. Keqpërdorimet i kishin denoncuar inspektorët e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Për këtë Insajderi kishte raportuar ekskluzivisht në tetor të 2023-ës.

    “Ai (inspektorati) ka rrejt. Kaa rreejt. Kanë thënë se është zënë t’u vjedh zhavorr. Nëse është zënë duke vjedhur zhavorr le ta denojnë. Nuk është punë e jemja e as e pjesës së Infrastrukturës me u marr ku është tu eksploatu ai material. Ne e kontrollojmë çdo materjal që ai (Arbotec) e sjell në punishte dhe në punishte nuk kemi asi pozicioni. Kemi material 0.50 të gurthyesit”, tha ai duke shtuar se “ndoshta e kanë marrë materialin dhe e kanë dërguar diku tjetër por në trase nuk e ka përdor”, deklaroi Durmishi për Insajderin.

    Rastin e kishte konfirmuar edhe KPMM për Gazetën duke thënë se rasti është lajmëruar në Prokurori të Shtetit dhe të gjitha provat janë dorëzuar organeve kompetente.

    Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka theksuar për Insajderin se dy Ekskavatorët që ishin shpallur të sekuestruar nga Inspektorët janë liruar nga Prokuroria e Shtetit.

    Prokuroria e Shtetit tash e gati një vit ende s’ka njoftuar se ka filluar ndonjë hetim ndaj kompanisë. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark