×
  • Lajme
  • Lajme

    Si shpërndahet virusi Zika dhe cilët janë rreziqet?

    Insajderi
    02 February 2016 - 15:47
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Virusi Zika kohëve të fundit ka filluar të shpërndahet në mënyrë shumë të shpejtë nëpër botë, teksa ekspertët e cilësojnë këtë si një gjendje të jashtëzakonshme. Me këtë rast edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka kërkuar vëmendje dhe ka paralajmëruar për rreziqet e mundshme.

    Nga virusi besohet që janë të prekur më shumë se një milion e pesëqind mijë njerëz që nga shfaqja e tij në Brazil dhe shpërndarja e tij dramatike nëpër botë.

    Shkencëtarët po paralajmërojnë njerëzit të cilët jetojnë në klimat tropikale, veçanërisht gratë shtatzëna lidhur me këtë virus alarmues, raporton Insajderi.

    Çka është virusi Zika?

    Deri në kohët e fundit, Zika ka qenë një sëmundje e rrallë e lidhur me simptoma të buta. Ai e ka marrë emrin nga pylli Zika në Ugandë ku edhe u identifikua për herë të parë nga shkencëtarët në vitin 1940. Ai shpërndahet nga mushkonjat dhe është i quajtur “Arbovirus” ne familjen e njejtë me “West Nile” dhe me sëmundjen e etheve tropikale.

    Vetëm një sasi e vogël e këtij virusi ishte identifikuar deri në vitin 2013. Që nga paralajmërimi i parë i shkencëtarëve se ky virus mund të shpërndahet, në Brazil janë prekur mbi 1 milionë e 500 mijë njerëz.

    Ekspertët e kësaj çështjeje dhe virologët e kanë lidhur këtë virus me defektin e lindjes të quajtur mikrocefali, një defekt ku fëmijët lindin me koka të zvogëluara. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka konfirmuar se deri më tash nuk është shënuar ndonjë vdekje nga ky virus.

    Mikrocefalia

    Edhe më tutje ka shumë pak njohuri lidhur me virusin, i cili është shpërndarë nëpër botë vetëm për disa vite.

    Si mund të prekeni nga virusi Zika?

    Zika shpërndahet nga mushkonjat, të cilët e përhapin sëmundjen kur ato e pickojnë ndonjë person të infektuar me këtë virus, më pas pickojnë diçka apo dikë tjetër. Dy mushkonjat të cilat e shpërndajnë këtë virus më së shumti janë “Aedes aegypti dhe Aedes albopictus”

    Të dyja këto specie janë të shpërndara në të gjithë botën, duke përfshirë këtu edhe Evropën, Ballkanin dhe Kosovën.

    Cilët janë simptomat e virusit Zika?

    Zakonisht, simptomat e Zikas përfshijnë  ethe dhe temperaturë, puçrra të kuqe, dhimbje të shumta dhe sy të kuq.

    Megjithatë, një numër i madh i pacientëve të identifikuar me virusin Zika nuk kanë asnjë prej këtyre simptomave. Kjo është shqetësuese për virologët sepse nuk mund ta kenë të qartë numrin e të infektuarve.

    A është e rrezikuar Kosova?

    Duke qenë se në Kosovë numri i mushkonjave të cilët “transportojnë” këtë virus është i vogël, mund të llogaritet që Kosova është më pak e rrezikuar nga ai. Por, edhe kjo nuk siguron asgjë për shkak që vazhdimisht mund të ketë ndryshime.

    Një anë tjetër pozitive është se ky virus nuk shpërndahet direkt nga personi në person, por shpërndarja e tij bëhet e mundshme vetëm atëherë kur njëra prej dy mushkonjave pickon një person të prekur nga ky virus dhe më pastaj pickon një person tjetër.

    Pse po shpërndahet kaq shpejtë?

    Virologët të cilët po e studiojnë këtë sëmundje thonë se nuk është e qartë se pse ky virus, i cili ishte deri pak kohë më parë shumë i rrallë, po shpërndahet nëpër botë në vetëm pak vite. Shumica besojnë se rritja numrit të njerëzve që udhëtojnë nëpër vende të huaja është të paktën njëra prej arsyeve të mundshme, derisa të tjerët mbrojnë mendimin se ngrohja globale në rritje e temperaturave si rezultat e ndryshimeve klimatike mund të ketë rolin e saj./Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark