Bashkimi Evropian e ka “sanksionuar” Kosovën lidhur me situatën e krijuar në veri të vendit pas vendimit për targat, duke e hequr nga agjenda e takimit të sotëm të ambasadorëve propozimin për liberalizimin e vizave. Para dhjetë ditësh edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ua ndaluan vizitat përfaqësuesve të qeverisë me arsyetimin e situatës së krijuar në veri. Kryeministri Albin Kurti nuk kishte dëgjuar kërkesat e tyre që çështja e targave të shtyhet për dhjetë muaj – ndërkohë që pritej të arrihej marrëveshje mes Kosovës e Serbisë. Vetë Kurti e tha se afati për arritjen e marrëveshjes nga ndërkombëtarët është përmendur marsi i vitit të ardhshëm
Sanksioni nga BE
Në Bruksel sot pritet të zhvillohet takimi urgjent për çështjen e targave pa kaluar afati prej 48 orësh i shtyrjes së shqiptimit të gjobave për banorët serbë veriut që nuk i kanë konvertuar targat në RKS.
Për në kryeqytetin evropian nga Kosova është nisur zv/kryeministri Besnik Bislimi i cili pritet që të diskutoj me përfaqësuesin serb Petar Petkoviq për gjetjen e një zgjidhjeje, pasi shefat e tyre para dy ditësh për kundër takimin 8 orësh nuk u dakorduan për tejkalimin e kësaj situate.
Ndërkohë që pritet nisja e këtij takimi, një “sanksion” nga Bashkimi Evropian erdhi për Kosovën, shkruan Gazeta Insajderi.
Propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili parasheh lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 janar e vitit 2024, u hoq nga agjenda e takimit të sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së.
Arsyet për këtë janë politike dhe lidhen me situatën në veri të Kosovës.
“Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, ta kemi këtë pikë në agjendën e Coreper-it [trupi i ambasadorëve] nuk është ideale”, thuhet në njoftimin e presidenca çeke që kryeson BE-në.
Sipas saj, diskutimi për këtë çështje do të mbahet më 30 nëntor.
Kjo erdhi vetëm një ditë pasi që përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së ishin pajtuar me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024. Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës – njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar, për shkak të vendimit të kryeministri Albin Kurti për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave që bartin targa ilegale serbe.
Serbët në veri, të kontrolluar në masë të madhe nga Beogradi zyrtar, i kundërshtojnë targat e Kosovës, RKS, dhe kanë paralajmëruar rezistencë ndaj tyre. Zyrtarët kryesorë në këto komuna janë larguar nga institucionet e Kosovës, përfshirë kryetarët e komunave, gjykatave, prokurorive, administratës e policët.
ShBA-ja ua mbyll derën zyrtarëve qeveritarë
Para dhjetë ditësh Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sanksionuan zyrtarët qeveritarë. Ua mbylli derën ministrave e kryetarëve të komunave, ani pse kishin agjendë takimesh atje.
Si pasojë e refuzimit për të dëgjuar thirrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të shtyhet për dhjetë muaj çështja e targave për serbët e veriut, kjo e fundit ka anuluar vizitat e planifikuara të dy prej ministrave të qeverisë që drejtohet nga Albin Kurti.
Albulena Haxhiu ministrja e Drejtësisë dhe Elbert Krasniqi ministër i Pushtetit Lokal, nuk do të mund të udhëtojnë gjatë kësaj periudhe në Amerikë.
Këto udhëtime zyrtare u shtynë me urdhër direkt të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, shkruan Gazeta Insajderi.
Të njëjtin fat patën edhe kryetarët e komunave, Shpejtim Bulliqi, Alban Hyseni dhe Qemail Aliu.
Kriza në pjesën veriore ishte arsyeja kryesore pse kryetaret dhe ministrat e Kurtit nuk udhëtojnë për në SHBA.
“Kjo nuk është koha më e përshtatshme për ministrat që të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara për takime zyrtare”, kështu kanë deklaruar nga Ambasada Amerikane në një përgjigje për Gazetën Insajderi. Sipas zëdhënëses së Ambasadës Amerikane, Katherine Judd, SHBA-ja është e fokusuar për të bërë një zgjidhe të situatës.
Zëdhënësja e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Katherine Judd, në një përgjigje për Gazetën Insajderi, tha se kjo nuk është koha e përshtatshme që ministrat të udhëtojnë për takime zyrtare në SHBA.
“Kjo nuk është domosdoshmërish koha më e përshtatshme për ministrat që të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara për takime zyrtare”, thuhet në përgjigjet e Katherine Judd dhënë Insajderit.
Sipas ambasadës, SHBA-ja është e fokusuar për të zgjidhur situatën e krijuar në veri dhe besojnë se edhe qeveria Kurti është e fokusuar në zgjidhjen e krizës që ka kapluar vendin.
“Megjithatë, ekziston një pyetje e veçantë, e cila është planifikuar udhëtimi në Shtetet e Bashkuara për takime zyrtare. Ne jemi në një krizë tani. Ne jemi shumë të fokusuar në këtë krizë; ne besojmë se kjo qeveri është shumë e fokusuar në këtë krizë”, thuhet me tej në përgjigjen për Insajderin.
Nga ambasada amerikan kanë sqaruar qartë punën e refuzimit të vizave, e cila u përfol kohëve të fundit në media.
Zëdhënësja amerikane, Katherine Judd tha për Insajderin se nuk ka asnjë rrethanë që qeveria e SHBA-së të mos lëshojë vizë për një ministër të Qeverisë së Kosovës.
“Nuk shohim asnjë rrethanë për të cilën Qeveria e Shteteve të Bashkuara do ta ketë të vështirë t’i lëshojë vizë një ministri në Qeverinë e Kosovës. Nuk mund të flas për raste specifike dhe individuale të vizave, por nuk jam në dijeni të ndonjë rrethane ku një ministër i qeverisë nuk do të kualifikohej për të marrë vizë për punë zyrtare”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së SHBA-së dhënë Insajderit. /Gazeta Insajderi