×
  • Lajme
  • Botë
  • Insajderi / Ballina 5

    Si u fundos anija në brigjet e Greqisë

    Insajderi
    18 June 2023 - 10:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ekspertët e ligjit ndërkombëtar detar dhe rojave bregdetare kanë deklaruar se kushtet në anije tregonin qartë se ishte në rrezik dhe duhet të kishin nxitur operacionin e menjëhershëm të shpëtimit, pavarësisht se çfarë mund të kishin thënë njerëzit në kuvertë.

    Një gjë është e qartë: Më 9 qershor, një anije e vjetër peshkimi u nis nga lindja e Libisë drejt Italisë. Po transportonte shumë njerëz.

    Gati 750 burra, gra dhe fëmijë nga Siria, Egjipti, Palestina dhe Pakistani ishin në kuvertën e saj, duke ikur nga vendet e tyre të pashpresa dhe të arrinin te më të afërmit e tyre në Evropë.

    Pesë ditë më vonë, anija u fundos në afërsi të Greqi në pjesën më të thellë të Detit Mesdhe. Vetëm 104 persona, krejt burra, mbijetuan. Trupat e 78 të tjerëve janë nxjerrë të pajetë nga deti.

    Ka më shumë pyetje sesa përgjigje për atë që çoi te një prej tragjedive më të rënda në historinë e Mesdheut.

    Aktivistët, ekspertët e migracionit dhe politikanët opozitarë kanë kritikuar autoritetet greke që nuk kanë vepruar më herët për të shpëtuar migrantët, edhe atëherë kur rojat bregdetare shoqëruan anijen për disa orë dhe shikuan teksa ajo fundosej.

    Më poshtë është afat kohor i ngjarjeve bazuar në raportet nga autoritetet greke, një anije tregtare dhe aktivistë që thanë se ishin në kontakt me pasagjerët. Ato përshkruajnë sekuenca ngjarjesh që ndonjëherë janë të njëjta, por shesh dallojnë nga njëra-tjetra.

    Roja Bregdetare të Greqisë ka njoftuar se anija e mbingarkuar po lundronte krejtësisht në rregull, duke refuzuar pothuajse të gjithë ndihmën, deri disa minuta para se të fundosej. Kjo mbështetet pjesërisht nga rrëfimi i cisternës tregtare që ndodhej aty pranë.

    Mirëpo aktivistët kanë thënë se njerëzit në kuvertë ishin në rrezik dhe bënin lutje të përsëritura për ndihmë më shumë se 15 orë para se anija të fundosej.

    Ekspertët e ligjit ndërkombëtar detar dhe rojave bregdetare kanë deklaruar se kushtet në anije tregonin qartë se ishte në rrezik dhe duhet të kishin nxitur operacionin e menjëhershëm të shpëtimit, pavarësisht se çfarë mund të kishin thënë njerëzit në kuvertë.

    Në këtë afat kohor mungon dëshmia e të mbijetuarve, të cilët janë transferuar në kampin e mbyllur dhe janë mbajtur larg gazetarëve.

    Të gjitha ngjarjet shtjellohen me zonën kohore të Greqisë.

    Kontakti i parë

    Rreth orës 11 të mëngjesit të së martës, autoritetet italiane informuan Greqinë se një anije peshkimi e mbushur me migrantë ishte në ujërat ndërkombëtare në jugperëndim të Peloponezit. Greqia ka sqaruar se autoritetet italiane u alarmuan nga një aktivist.

    Në të njëjtën kohë, aktivistja për të drejtat e njeriut Nawal Soufi shkroi në rrjetet sociale se ishte kontaktuar nga një grua në një varkë që ishte larguar nga Libia katër ditë më parë.

    Migrantët kishin mbetur pa ujë të pijshëm, shkroi Soufi dhe ndau koordinatat GPS përmes telefonit satelitor që tregonte se ata ishin afërsisht 100 kilometra larg Greqisë.

    “Situatë dramatike në anije. Ata kanë nevojë për shpëtim të menjëhershëm”, shkroi ajo të martën në mëngjes.

    Gjatë ditës, Soufi tregoi për 20 telefonata me njerëzit në anije dhe më vonë postoi edhe audio incizimin.

    Një aeroplan vëzhgimi nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare Frontex vërejti anijen e mbingarkuar në orën 12:47 dhe njoftoi autoritetet greke. Frontex nuk pranoi të ofrojë më shumë informacione.

    Njoftimet e ndryshme

    Në orën 14:00, autoritetet greke vendosën kontakte me dikë në anije. Anija “nuk kërkoi asnjë ndihmë nga roja bregdetare apo nga Greqia”, thuhej në një deklaratë nga autoritetet greke. Por aktivistët kanë sqaruar se njerëzit në anije kishin nevojë për ndihmë të martën pasdite. Në orën 15:11, shkroi Soufi, migrantët i thanë asaj se shtatë persona ishin pa ndjenja.

    Në të njëjtën kohë, “Alarm Phone”, rrjet aktivistësh, të cilët menaxhojnë linjën telefonike për migrantët që kanë nevojë për shpëtim, ka njoftuar se morën një telefonatë nga një person në anijen e peshkimit.

    “Ata thonë se nuk mund të mbijetojnë natën, se janë në ankth të rëndë”, ka shkruar “Alarm Phone”.

    Në orën 15:35, helikopteri i rojave bregdetare greke ka lokalizuar anijen me migrantë. Fotoja nga helikopteri tregonte se anija ishte e mbushur me migrantë që nuk kishin as nga të lëviznin.

    Që atëherë deri në orën 21:00, autoritetet greke kanë njoftuar se ishin në kontakt me njerëzit në anije nëpërmjet telefonit satelitor, radios dhe një varkë e Rojës Bregdetare që mbërriti natën afër anijes. Ata shtuan se njerëzit në anije vazhdimisht insistonin se donin të vazhdonin në Itali dhe refuzuan shpëtimin.

    Furnizimi me ushqim

    Në orën 17:10, autoritetet greke i kërkuan cisternës me flamur maltez të quajtur Lucky Sailor që t’i sillte anijes me migrantë ushqim dhe ujë.

    Sipas kompanisë që menaxhon Lucky Sailor, njerëzit në anije “ishin shumë hezitues për të marrë ndonjë ndihmë” dhe bërtisnin se “duan të shkojnë në Itali”. Eastern Mediterranean Maritime Limited në një deklaratë ka njoftuar se drejtuesit e anijes u bindën që të furnizoheshin me ushqim dhe ujë.

    Rreth orës 18:00, helikopteri i Rojave Bregdetare të Greqisë raportoi se anija “po lundronte në kurs të qëndrueshëm dhe po vazhdonte tutje”.

    Mirëpo në orën 18:20, Alarm Phone ka njoftuar se njerëzit në kuvertën e anijes raportuan se nuk po lëviznin dhe se “kapiteni” kishte braktisur anijen me një varkë të vogël. “Ju lutemi ndonjë zgjidhje”, ka bërë thirrje një person nga anija.

    Autoritetet greke kanë njoftuar se anija ndaloi rreth asaj kohe për t’u furnizuar nga “Lucky Sailor”.

    Në orën 18:55, shkroi Soufi, migrantët në bord i thanë asaj se gjashtë persona kishin vdekur dhe dy të tjerë ishin shumë të sëmurë. Asnjë institucion tjetër deri më tani nuk ka përmendur vdekjet para fundosjes së anijes.

    Rreth orës 21:00, autoritetet greke i kërkuan një anijeje të dytë tregtare, me flamur grek, të dërgonte ujë dhe e lejuan largimin e cisternës “Lucky Sailor”.

    Më pas, rreth orës 22:40, një varkë e Rojave Bregdetare nga Kreta mbërriti te anija dhe qëndroi aty pranë derisa u fundos. Sipas Rojës Bregdetare, anija nga distanca “e vëzhgoi në mënyrë diskrete” anijen me migrantë. Edhe një herë, roja bregdetare ka njoftuar se anija me migrantë nuk dukej se kishte ndonjë problem dhe po lëvizte “me shpejtësi të qëndrueshme”.

    Orët e fundit

    Sipas rrëfimit të Soufit, përpjekjet për të ofruar ndihma mund të kenë kontribuar në problemet e anijes.

    Pak pas orës 23:00, ajo shkroi se anija filloi të lëkundet teksa migrantët tentuan të kapnin shishet me ujë nga anija tjetër.. Sipas njerëzve në kuvertë, litarët ishin të lidhur në anije, duke e destabilizuar atë dhe duke shkaktuar “gjendje paniku”, ka thënë ajo.

    Raporti nga “Lucky Sailor” tregon se asnjë litar nuk ishte i lidhur me anijen dhe furnizimet u dërguan në pako që ishin të lidhura me litar.

    “Ata në kuvertë kapën litarin dhe e tërhoqën”, ka sqaruar kompania që menaxhon “Lucky Sailor”.

    Zëdhënësi i Rojave Bregdetare greke ka thënë të premten vonë se anija e tyre kishte lidhur shkurtimisht një litar të lehtë me anijen e migrantëve rreth orës 23:00. Ai theksoi se asnjë nga mjetet lundruese nuk kishte tentuar të tërhiqte anijen e mbingarkuar me njerëz.

    Komandanti Nikos Alexiou ka thënë se rojat bregdetare donin të kontrollonin gjendjen e anijes, por drejtuesit e saj kishin refuzuar ndihmën dhe zgjidhën litarin përpara se të vazhdonin lundrimin.

    Kontakti i fundit i Soufit me anijen ishte në orën 23:00. Ajo më vonë ka thënë se “ata nuk shprehën kurrë vullnetin për të vazhduar lundrimin drejt Italisë”, ose refuzuan ndihmën nga Greqia. “Ata ishin në rrezik dhe kishin nevojë për ndihmë”.

    Fundosja e anijes

    Sipas autoriteteve, anija vazhdoi lundrimin deri në orën 1:40 të mëngjesit të së mërkurës, kur motori i saj u ndal. Anija e Rojave Bregdetare më pas u afrua për të “përcaktuar problemin”.

    Pak minuta më vonë, Alarm Phone pati komunikimin e fundit me njerëzit në anije. Aktivistët ishin në gjendje të kuptonin vetëm: “Përshëndetje miku im… Anija që dërgoni është…” përpara se të ndërpritej telefonata.

    Në orën 2:04 të mëngjesit, më shumë se 15 orë pasi autoritetet greke dëgjuan për herë të parë për rastin, roja bregdetare raportoi se anija ka nisur të lëkundet fort nga njëra anë në tjetrën dhe më pas ishte përmbysur.

    Njerëzit në kuvertë u hodhën në det, ndërsa të tjerët u mbajtën pas saj teksa ajo fundosej. Shumë të tjerë, duke përfshirë gra dhe fëmijë, u bllokuan nën kuvertë.

    Pesëmbëdhjetë minuta më vonë, anija u fundos në ujë.

    Në errësirën e natës, 104 njerëz u shpëtuan dhe u sollën në breg në Maja Queen IV, jaht luksoz që po lundronte në afërsi të anijes së fundosur. Autoritetet greke nxorën 78 trupa të pajetë.. Asnjë person tjetër nuk është gjetur që nga e mërkura.

    Rreth 500 persona janë të zhdukur.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark