×
  • Lajme
  • Analiza

    Si u mbulua nga myku QMF në Gjilan katër muaj pas përurimit nga Hyseni? Nga Komuna thonë se është vendosur që hapësira të mos shfrytëzohet

    Insajderi
    14 February 2024 - 15:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në tetor të vitit 2023 , kryetari i Gjilanit kishte përuruar ambulanten në lagjen Arbëria. Por, vetëm katër muaj pas, atje është krijuar një gjendje e mjerueshme. Në pamjet të cilat kishte publikuar Insajderi disa ditë më parë shihej se aty muret janë mykur. Ndërsa tashmë është vendosur që hapësira të mos shfrytëzohet.

    Gazeta Insajderi

    Me 6 tetor të vitit të kaluar , kryetari i Gjilanit ka përuruar ambulanten në lagjen Arbëria, por sot një hapësirë aty është e pashfrytëzueshme.

    Sektori i stomatologjisë është mbuluar nga myku.

    Lidhur me këtë Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Komunën e Gjilanit, të cilët kanë bërë të ditur se kompanisë përgjegjëse i është dërguar vërejtje.

    Doruntina Hasani, drejtoreshë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjilan, tha për Gazetën Insajderi se kompania në fjalë është paralajmëruar se në rast të mos veprimit do i ndalet garancioni prej 5%.

    Lidhur me çështjen që keni ngritur, ju njoftojmë se operatorit ekonomik tanimë i është dërguar vërejtja përfundimtare për sanimin e të gjitha problemeve të shfaqura në objektin e QMF-së në Gjilan. Përmes organizatës e cila ka bashkëfinancuar ndërtimin e këtij objekti shëndetësor, operatori ekonomik është paralajmëruar se në rast të mos veprimit, do të ndalet garancioni në lartësi prej 5%  të vlerës së përgjithshme të kontratës dhe do të obligohemi të kontraktojmë një palë të tretë për të zgjidhur këtë problem“, tha ajo.

    Teksa bëri të ditur se është themeluar edhe një komision dhe është vendosur që hapësira në fjalë të mos shfrytëzohet.

    Gjithashtu, përmes Drejtorisë së Urbanizmit, është themeluar një komision i përbërë nga profesionistë të fushës të cilët me prioritet kanë trajtuar rastin në fjalë duke evidentuar problematikën e krijuar dhe dhënë rekomandimet se si duhet vepruar në vijim. Bazuar në këto rekomandime, nga menaxhmenti i QKMF-së, është kërkuar që hapësira në fjalë të mos shfrytëzohet deri në përmirësimin e gjendjes“, tha për Gazetën Insajderi Hasani.

    Nga përurimi i ambulantes në lagjen Arbëria e deri të myku

    Alban Hyseni përmes një postimi në “Facebook” me 6 tetor i kishte dhënë jehonë përurimit të ambulantes në lagjen Arbëria.

    Ai kishte ndarë edhe pamje brenda kësaj hapësirë.

    Por, vetëm katër muaj pas gjendja aty ka ndryshuar. Në disa foto që ka siguruar Insajderi shihet se kjo ambulantë është në gjendje të mjerueshme.

    Madje muret janë mbuluar pothuajse krejtësisht nga myki.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark