×
  • Lajme
  • Analiza

    Si u përdorën humbjet në rrjet si arsye për reduktime gjatë verës – Kjo është historia e tyre

    Insajderi
    16 August 2022 - 16:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Humbjet komerciale, të shkaktuara nga vjedhjet dhe humbjet teknike të Kompanisë KEDS janë 19%” sipas Ministrisë së Ekonomisë janë edhe një arsye pse në vend ja nisën reduktimet e rrymës. Por sipas zyrtarëve të KEDS-it, që nga viti 2013 ka pas rënie të humbjeve teknike dhe atyre të shkaktuara nga vjedhjet

    Pak orë pasi nisën reduktimet e energjisë elektike, 6 orë në favor të dritës dhe 2 në favor të territ në Kosovë, Qeveria doli me një njoftim.

    Në njoftimin për media të Ministrisë së Ekonomisë, që drejtohet nga Artane Rizvanolli, thuhet se prodhimi ditor në KEK është rreth 507 MWh, derisa kërkesa për konsum është deri në 750 MWh.

    Përveç kësaj qeveria gjeti një fajtor të ri pse vendi po përballej me reduktime të rrymës në muaj e verës, shkruan Gazeta Insajderi

    Tha se humbjet komerciale (të shkaktuara nga vjedhjet) dhe teknike të Kompanisë KEDS janë 19%.

    “Këto humbje ende mbulohen nga të gjithë, pra prodhimi ose importi, jo nga vet KEDS-i”, u tha në sqarimin e Ministrisë së Ekonomisë.

    Humbjet komerciale dhe ato në rrjet nuk janë arsyetim për këto ndërprerje të rrymës që kanë nisur të hënën.

    Sipas konfirmimit nga KEDS – humbjet kanë rënë përgjatë viteve, prej kur është privatizuar distribucioni.

    Zëdhënësi i kësaj ndërmarrje, Vitor Buzhala tha për Insajderin se në vitin 2013 humbjet kishin qenë 32% por se tash kanë rëndë dukshëm.

    “Humbjet në vitin 2013 kanë qenë 32 për qind, ndërsa tash janë rreth 18 për qind. Duhet ta dini që aty hyjnë edhe humbjet teknike të cilat janë të pranishme në secilin sistem elektroenergjetik të botës. Pra, i kemi ulur në mënyrë të konsiderueshme, por dihet që vjedhjet luftohen nga sistemi i drejtesisë dhe i rendit. Dhe, angazhimi i sistemit të drejtësisë ka lënë për të dëshiruar, duke mos i shqyrtuar pjesën më të madhe të lëndëve për keqpërdorime që i kemi dërguar”, tha Buzhala për Insajderin.

    Ndonëse Qeveria deklaroi se humbjet ende mbulohen nga të gjithë, pra prodhimi ose importi, jo nga vet KEDS-I, kjo kompani thonë se nuk i shkohin si akuza nga qeveria po gatishmëri për t`iu bashkuar në këtë luftë. Dhe se një pjesë e humbjeve janë bartur mbi ta.

    “Sidoqofte, angazhimi direkt i qeverisë në këtë luftë është hap për tu përshëndetur dhe do të ndihmojë shumë. Pra, ne nuk i lexojmë si akuza ato nga qeveria, por si gatishmëri për tu bashkuar në këtë luftë. Fundja, humbjet na kanë kushtuar edhe ne si kompani miliona euro çdo vit, pasi një pjesë të konsiderueshme të tyre i kemi bartur mbi supet tona”, thuhet në përgjigjene Buzhalës.

    Në njoftimin për ndërprerjen e energjisë nga 2 orë pas gjashtë orësh me furnizim, KEDS fajësonte qeverinë që nuk ka shpërndarë asnjë cent tek furnizuesit nga subvencionet e paralamëruara nga qeveria në vlerë 100 milionë euro.

    “Gjatë shqyrtimit të jashtëzakonshëm tarifor, rregullatori kishte marrë parasysh subvencionin e qeverisë prej 100 milionë eurosh. Asnjë cent nga ajo shumë nuk është shpërndarë tek furnizuesi”, thuhet në komunikatën e KEDS të së dieles mbrëma.

    “Tek ne nuk ka tranferuar fonde qeveria. Dihet botërisht që i ka ndarë 20 milionë euro për import në fund të vitit të kaluar — fillim të ketij viti, por ato para janë trasnferuar në KEK. Për detaje ju lutem drejtojuni atyre subjekteve”, tha Buzhala pwr Insajderin.

    Ministria s`ka reduktime – KEDS vazhdojën reduktimet

    Pasditën e së hënës, Ministria e Ekonomisë bëri një njoftim të dytë rreth krizës energjetike. Njoftoi se është kthyer furnizimi i rregullt me energji elektrike, falë bashkëpunimit me Koroporatën Elektroenergjetike të Shqipërisë.

    “Duke u nisur nga situata botërore me krizën energjetike që ka prekur edhe rajonin, të gjitha institucionet përgjegjëse po punojnë intensivisht dhe në koordinim për sigurinë e furnizimit me energji elektrike”.

    “Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike”, thuhej në këtë njoftim.

    Por se nuk do të ketë më reduktime u mohua nga KEDS, të marten.

    Zëdhënësi i kësaj ndërmarrje tha për Gazetën Insajderi, se reduktimet e energjisë elektrike janë rikthyer sërish sot.

    Ai ka thënë për Gazetën Insajderi se të martën kufizimet kanë filluar nga ora 9:00, derisa ka shtuar se arsye për reduktime është meqë furnizimi është duke u bazuar nga prodhimi vendor dhe se nuk ka para që të blihet energji në tregjet ndërkombëtare.

    “Edhe sot nga ora 9 kanë filluar kufizimet e energjisë elektrike. Që 1 vit e më shumë e kemi bartur krizën në supet tona. Aktualisht kufizimet parashihen të jenë 2 orë pa energji elektrike dhe 6 me energji. Alternativa e kursimit të energjisë duhet të aplikohet”.

    “Gjithashtu duhet që çmimi të reflektojë koston dhe të ketë infuzion financiar për sistemin elektroenergjetik. Dihet se ishin planifikuar të jepen 90 milionë euro, porse ato para nuk janë dhënë asnjëherë dhe kjo e ka zhytur në kolaps sistemin elektroenergjetik”, ka thënë ai për Gazetën Insajderi, duke treguar se kanë instruksione prej KESKO-s që reduktimet të vazhdojnë.

    Për dallim nga KEDS, KEK-u ka thënë sot se bashkëpunimi me KE të Shqipërisë ka dhënë rezultate pozitive.

    Sipas një njoftimi, KEK deri më tani ka depozituar mbi 120,000 MËh energji elektrike në KESH, me qëllim të zbutjes së kërkesës në ngritje për energji elektrike në Shqipëri.

    “Duke qenë se sot konsumi vendor në Kosovë ka shënuar ngritje në orë të caktuara (në kohë të pikut), KEK në bashkërendim me Ministrinë e Ekonomisë kanë ndërmarrë veprime të shpejta me ç’rast nga ora 14:00h janë siguruar 100 MËh/h nga energjia e depozituar e KEK-ut në KESH dhe paralajmërimi për reduktime u ndalua. Bashkëpunimi i ndërsjellë në mes KEK dhe KESH çdo ditë e më shumë po tregon rezultatet pozitive në tejkalimin e krizës energjetike nga ku përfitues janë qytetarët e të dyja vendeve”, thuhet në njoftim e KEK. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark