×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Si u prit lajmi për kalimin e fazës së parë në Këshillin e Evropës

    Insajderi
    25 April 2023 - 08:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    E hëna e 24 prillit të vitit 2023, në Kosovë do të mbahet mend për një çështje pozitive. 

    Dje, Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës vendosi që të dorëzojë në Asamblenë Parlamentare aplikimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë. Sigurisht, një lajm i tillë u duatrokitë në Kosovë, ndërsa Serbia, siç lehtësisht mund të paramendohet, e vajtoi këtë arritje të shtetit kosovar.

    “Gëzim në Kosovë, ankesa në Serbi”, është fjalia me të cilën mund të përmblidhen reagimet për kalimin e fazës së parë të Kosovës në procesin për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Si u prit lajmi në Kosovë e Serbi?

    Kosova feston…

    Të gjithë krerët e Kosovës e cilësuan si lajm të mirë e arritje për Kosovën, votimin me 2/3 e votave në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës. Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i falënderoi vendet përkrahëse, të cilat votuan në favor të Kosovës sot.

    “Falënderoj nga zemra të gjithë ata që na mbështetën në rrugën tonë deri këtu. Një falënderim i posaçëm iu shkon të gjithë atyre shteteve, të cilat edhe pse nuk e kanë njohur formalisht Republikën e Kosovës, nuk e kanë bllokuar anëtarësimin tonë.” – shkroi ajo.

    Ngjarjen e djeshme në KE, Kurti e quajti sukses, duke falënderuar ministren Gërvalla për këtë arritje.

    “Shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës do t’i shtojë vlerë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në shtetin tonë. Falënderoj ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ministren Gërvalla, zëvendësministrin Ahmeti dhe ekipet e tyre për punën e pandërprerë, si dhe partnerët tanë e shtetet anëtare, për përkrahjen e pakursyer.” – shkroi Kurti.

    Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i falënderoi të gjitha vendet aleate që votuan dje në KE në favor të Kosovës.

    “Së shpejti, flamuri i Republikës së Kosovës do të valëvitet edhe në Këshillin e Evropës. Faleminderit aleatëve tanë që sot votuan jo vetëm për Kosovën, por mbi të gjitha për demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut.” – shkroi ajo.

    Ndërsa, Enver Hoxhaj, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, i reagoi publikisht Hungarisë për votën e saj kundër Kosovës, duke thënë se një gjë e tillë është “politikisht dhe moralisht” e gabuar.

    “Është fatkeqësi që Hungaria ka ardhur në këtë pikë sa të mbështesë politikat hegjemoniste të Beogradit në rajon. Vota e Hungarisë në KIE kundër Kosovës është gabim politikisht dhe moralisht!” – shkroi Hoxhaj në Twitter.

    Një lajm i tillë, pra suksesi i Kosovës në fazën e parë drejt anëtarësimit në KË, e ka nervozuar Serbinë. Si gjthnjë, reagimet e Serbisë ishin të mbushura me ankesa.

    Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, në lidhje me këtë ngjarje, deklaroi se një vendim i tillë ishte i pritshëm. Në deklaratën e tij, Daçiqi theksoi se delegacioni i Serbisë ka votuar kundër, ndërsa pas votimit, është larguar nga salla.

    “Kjo ditë me rastin e atij vendimi sigurisht që përfaqëson muzgun e statutit të Këshillit të Evropës, sepse për herë të parë kërkesa e diçkaje që nuk është shtet dhe që nuk njihet nga OKB-ja dhe për një territor që është, nuk po konsiderohet një anëtar i OKB-së.” – deklaroi Daçiq.

    Daçiq u ankua edhe për qëndrimin dhe qasjen e Greqisë e të Sllovakisë, të cilat ndonëse nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, votuan në favor të Kosovës.

    “Në anën tjetër, jemi vërtet të zhgënjyer me qëndrimin dhe qasjen e Greqisë dhe Sllovakisë si anëtarë të BE-së që u mbajtën, në radhë të parë për këtë kemi dëgjuar prej tyre se nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Gjithashtu dua t’ju kujtoj se Bosnja dhe Hercegovina abstenoi. Imagjinoni ironitë. Imagjinoni sikur Republika Srpska të aplikonte për anëtarësim tani. Çfarë ironie dhe paturpësie është dhe po na japin leksione se po ndikojmë në shkatërrimin e tërësisë territoriale të Bosnje-Hercegovinës. Ata po marrin pjesë drejtpërdrejt në shkatërrimin e integritetit territorial të Serbisë.” – shtoi Daçiq.

    Shefja e Misionit të Serbisë në Këshill të Evropës, Aleksandra Gjuroviq, ka vlerësuar se vendosja në agjendë e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të  Evropës, ishte “demonstrim i fuqisë së shteteve të Quint-it, me Gjermaninë në krye”.

    Siç raporton “Tanjug”, Gjuroviq ka thënë se Berlini ka luajtur rol vendimtar për të mbledhur përkrahjen e shteteve anëtare për mbledhjen e jashtëzakonshme të Komitetit të Ministrave.

    “Është muzgu i të drejtës ndërkombëtare”, tha Gjuroviq, duke pretenduar se është shkelur statuti.

    Sipas saj, Gjermania është “shumë e interesuar që procesi i anëtarësimit të Kosovës në KiE të fillojë tani”.

    “Arsyeja për këtë është ajo që kemi dëgjuar në kontaktet joformale – kushtëzimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që të paraqitet në mbledhjen e 2 majit dhe të prezantojë draftin e statutit të Asociacionit me faktin se nuk do ta bëjë këtë, përveç nëse procedura për anëtarësimin e Prishtinës fillon para kësaj”, tha Gjuroviq.

    Me 33 vota pro, shtatë kundër dhe pesë abstenime u miratua kërkesa e Kosovës.

    Pro anëtarësimit të Kosovës votuan: Shqipëria, Andorra, Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Monako, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, San Marino, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar.

    Ndërkaq vota kundër e Hungarisë së drejtuar nga Viktor Orban, shtet ky që e ka njohur shtetësinë e Kosovës, ishte befasia e kësaj ngjarjeje.

    Pos Hungarisë kundër votuan edhe Spanja, Rumania, Qipro, Gjeorgjia, Azerbajxhani e Serbia.

    Kanë abstenuar: Greqia, Sllovakia, Ukraina e Bosnja.

    Ndërkaq shteti i Armenisë nuk ka marrë pjesë fare në votim.

    Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, i cili përfaqëson 46 shtete anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave sapo mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës.

    Me këtë vendim, Kosova ka kaluar etapën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark